Për një pjesë të masava të propozuara nevojitet të kryhen ndryshime në legjislacion. “Shqiptarja.com” zbardh paketën e plotë të masave për sigurinë rrugore, të propozuara nga Këshilli Ndërministror me nismën e Ministrisë së Transportit.
PIKAT E ZEZA
Sipas të dhënave të transportit ekzistojnë 143 pika të zeza në rrjetin rrugor kombëtar, ku 105 pika të zeza janë në rrugët që administrohen nga Autoriteti i Rrugëve të Shqipërisë (ARRSh) dhe 38 pika të zeza nga organet e pushtetit vendor. Pikat e zeza janë ato zona në rrugë, tek të cilat brenda një harku kohor 1-vjeçar ndodhin 2 aksidente fatale. Për këtë problematikë propozohet ndërhyrja për përmirësimin e 10 pikave të zeza, për të cilat ekzistojnë projektet, sipas listës prioritare të njollave të zeza. Gjithashtu do të kryehen projektime dhe vlerësime të mundësisë për ndërhyrje në 14 pika të zeza të tjera në akset kombëtare, sipas Raportit të Sigurisë Rrugore 2013.
AUTOSHKOLLAT
Në një nga masat propozohet që të kryehet një auditim i autoshkollave, duke analizuar numrin e kursantëve të dalë nga autoshkolla në fjalë, të cilët janë përfshirë në aksidente rrugor dhe duke i bërë të dhënat publike. Ndërkaq, kontrolli mjekësor për kërkesat fizike dhe mendore për marrjen e lejedrejtimit të mjetit rrugor, propozohen të kryhen në kuadër të metodave të akredituara të BE-së. Të gjitha qendrat shëndetësore, publike apo private, që do të kryejnë këto kontrolle duhet të jenë të akredituara nga Ministria e Shëndetësisë.
NDËSHKIMET
Një nga masat e propozuara në kuadrin ndëshkimor është rishikimi i Nenit 129 të Kodit Penal. Sipas kësaj reformë, dënimi për kundravajtjet do të kishte si pikënisje fillestare masën ndëshkimore prej 15 ditësh burg. Ndërkaq pritet forcimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe zbatimi i tyre pa kompromis, në këto drejtime: respektimi i normave të shpejtësisë, mospërdorimit të alkoolit, drogave dhe telefonit celular, përdorimi i rripit të sigurimit dhe kaskave mbrojtëse. Për të bërë këtë më efikase Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), si edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës kanë hartuar një aktmarreveshje që do të thellojë bashkëpunimin për të gjobitur kundravajtësit.
SIGURIMI
Në analizën e organeve të Transportit është konstatuar një informalitet i lartë, për sa i përket sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike. Një masë e propozuar për të zgjidhur këtë problem është detyrimi që në fazën e regjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimit të taksave të tyre pasi të jetë lidhur paraprakisht kontrata e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.