Siguria ushqimore është një çështje aktuale e shoqërisë sonë që ngre shqetësim në shtëpinë e çdo shqiptari. Produktet që konsumojmë shpeshherë janë të injektuara me pesticide dhe hormone, të dëmshme për shëndetin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, vetëm gjatë 6 mujorit të parë të 2019-tës ka bllokuar 59 biznese, për shkak të kushteve të papërshtatshme apo mos disponimit të licencës. Kështu është shprehur për kamerën e Report TV, Mariglen Menkshi, specialistë në AKU.
“Në 6 mujorin e parë të vitit 2019, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar 59 biznese të cilat operonin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare ose duke mosdisponuar licencën përkatëse. Vetëm në sezonin turistik, kur është rritur dhe numri i inspektimeve dhe në bazë të planit turistik të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, janë bllokuar 10 biznese të cilat operonin në kushte të papërshtatshme dhe nuk dispononin licencën përkatëse”- u shpreh specialisti.
Rrugëve të Tiranës shohim shitës ambulantë, të cilët në trotuare, apo cepa rrugësh shesin perime apo fruta te ndryshme. Po sa të sigurta janë këto ushqime që qytetarët blejnë dhe konsumojnë, ku pluhuri rrugës dhe ndotja i rrethojnë?
Të pyetur nga Report Tv qytetarët shprehen mjaftë të shqetësuar për këtë fakt.
"Asnjë lloj sigurie nuk ka, përderisa prodhohen kështu pa kontroll, pa gjë, cfarë siguri ke" shprehet një qytetarë.
"Mesa dëgjojmë, me sa shohim, nuk janë të sigurta fare. Shiko pataten, shiko mishin,asgjë, qumështin." thotë një tjetër.
"-Fare të sigurta."
"-Jo, jo shumë të sigurta."
Ndërsa një qytetar tjetër thotë: Nuk kemi siguri, vetëm e marrim e hamë dhe prej ushqimeve janë shtuar sëmundjet janë shtuar të gjitha.
-Nuk janë shumë të sigurta- "u shprehën disa prej qytetarëve
Rreziku i ushqimeve që shiten në rrugë dhe qytetarët shpeshherë detyrohen ti blejnë, është I pranishëm gjatë gjithë vitit, por gjatë periudhës së verës edhe nën efektin e nxehtësisë ky rrezik rritet më shumë.