TIRANE -  I njëjti mekanizëm si me vjeljen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike. Kështu do të veprohet edhe me borxhet e sigurimeve shoqërore, ku është parashikuar të falet 80% e shumës që kompanitë e bizneseve i detyrohen Institutit të Sigurimeve, me kushtin që ato të paguhen në total dhe brenda afatit i cili u vendos të shtyhej për më 31 mars. 

Shtyhet për 31 mars shlyerja e sigurimeve të prapambetura
Qeveria shqiptare me propozim të kryeministrit Edi Rama ka vendosur të shtyjë për më 31 mars afatin e fundit për pagesën e detyrimeve të prapambetura të sigurimeve shoqërore.
 
Kjo u bë e ditur sot nga Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës, ku ai theksoi se duke marrë parasysh vështirësinë që po kalon vendi si pasojë e reshjeve, situatë kjo që ka prekur edhe bizneset, qeveria ka vendosur që data 15 shkurt të mos jetë më afati i fundit për pagesën e sigurimeve të prapambetura shoqërore, por ta shtyjë atë për më 31 mars.
 
Po ashtu Ministri Veliaj bëri publik edhe propozimin tjetër të qeverisë, atë të faljes me 80% të gjobave për mos pagesën e sigurimeve shoqërore, por me kusht që ato të paguhen në kohë, pra brenda 31 marsit. Sipas Veliajt ky afat shtyhet nga 15 shkurti në datën 31 mars. Brenda kësaj date të gjitha subjektet private që nuk kanë paguar apo janë në vonesë në pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore të punonjësve të deklaruar kanë mundësi që të zbatojnë këtë detyrim ligjor. Në të kundërt ashtu siç edhe është paralajmëruar më parë, pas këtij afati qeveria ka deklaruar se do të ndërmarë një aksion të gjerë për të ndërhyrë në të gjitha rastet ku ka mospagesa apo vonesa në pagimin e këtyre detyrimeve.
 
Në fjalën e tij Veliaj u shpreh se në interes të qeverisë shqiptare nuk janë gjobat, por mbledhja e sigurimeve shoqërore të prapambetura për të garantuar pension për të gjithë ata qytetarë, duke u njohur vjetërsinë e punës. Ministri Veliaj nënvizoi se ky është një propozim është i njëjtë me atë të mospagesës së energjisë, i miratuar pak muaj më parë nga qeveria.
 
“Dëshiroj të shpalos një propozim konkret, i cili kërkon që të shtyhet afati edhe pse kemi qenë në vështirësi edhe për shkak të reshjeve, dhe kjo duhet miratuar nga data 15 shkurt, në datën 31 mars, të sigurimeve shoqërore të prapambetura. Gjithashtu bashkë me këtë është edhe një ofertë për faljen me 80% të gjobave për mospagesën e sigurimeve shoqërore. Duke pasur parasysh kushtet që po kalon vendi, data 31 mars të aprovohet nga Këshilli Kombëtar i Punës. Ne nuk na interesojnë shumë gjobat por pagesa në kohë e sigurimeve shoqërore. Prandaj po veprohet si për rastin e mos pagesës së energjisë.” theksoi Veliaj
 
Përmbytjet, Veliaj: Bizneset të ndihmojnë me ushqime e veshmbathje zonat e prekura
Sa i përket situatës së reshjeve të dendura të shiut në vend, Veliaj kërkoi nga bizneset që të angazhohen në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura, për t’u siguruar atyre ushqime dhe veshmbathje, deri në normalizimin e situatës.
 
“Duke thënë këtë, meqë përmenda çështjen e përmbytjeve, do të doja të falenderoja anëtarët e komunitetit të bizneseve që janë paraqitur në ndihmë të banorëve të zonës. Të sigurohemi që asnjë familje të mos mbetet në nevojë për ushqime dhe veshmbathje. Pra këto janë dy propozimet konkrete.” tha Ministri Veliaj
 
Pas bërjes publike të propozimeve të Veliajt, nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës vendosën që të miratojnë propozimet në fjalë.

Veliaj: Deri në fund të vitit 2014 janë punësuar 92521 persona
Duke vijuar më tej, Veliaj nënvizoi se deri në fund të vitit 2014 janë punësuar 92521 persona.  Ministri Veliaj tha se rritja vjen falë punësimeve të reja dhe programeve të punës. Gjithashtu Në total Veliaj bëri të ditur se borxhi që institucionet publike dhe rivate kanë ndaj sigurimeve shoqërore shkojnë në afro 112 milionë dollarë, nga të cilat 97 milion vetëm nga sektori privat.
 
“Nëse parashikimet tona kanë qënë 81352, rrezultati i fundit nga drejtoria e tatimeve, drejtoria e sigurimeve shoqërore dhe inspektrotiati i punës në fund të 2014 rrezultojnë 92521 kontribues më shumë se ai që gjetëm në periudhën 2013” tha Ministri Erion Veliaj

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)