TIRANE- Gjatë ditëve të para të muajit shkurt, tregu i sigurimeve pësoi një ndryshim të menjëhershëm, e cila solli shkarkimin e drejtorit të atëhershëm të INSIG, Tomorr Kalaja. Bëhet fjalë për rritjen e çmimit të tarifës së sigurimit, të detyrueshme të automjeteve TPL. Brenda një dite, shoqëria shtetërore e sigurimeve, e rriti tarifën e TPL-së nga rreth 16,500 lekë në 22,000 lekë. Ky trend u ndoq në mënyrë të menjëhershme nga të gjitha shoqëritë e sigurimit. Ndërkaq, Bordi i Mbikëqyrjes së INSIG-ut e riktheu në nivelin e mëparshëm çmimin e tarifës së TPL-së të kësaj kompanie. Megjithatë, pritet që çmimi i tarifës të rritet, por jo në nivelin e vendosur nga ish-drejtori Kalaja.
 
Shoqata e Siguruesve
Përsa i përket rritjes së tarifës së TPL-së, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, në një njoftim për shtyp e lidhi me rritjen e numrit të aksidenteve. Sipas Shoqatës së Siguruesve, përllogaritja e TPL-së është atribut ligjor i kompanisë dhe sqaron se rritja u ndikua nga rritja e numrit të mjeteve që qarkullojnë. Shkak për rritjen e tarifave të sigurimit të mjeteve, sipas Shoqatës, janë bërë edhe abuzimet me dokumentimin e shërbimit teknik të mjeteve, si dhe rritja artificiale e vlerave dëmshpërblyese me vendime gjyqësore.
 
Çmimi
Tarifa e TPL-së e vendosur nga ish-drejtori i INSIG-ut, Kalaja, pa u konsultuar më Bordin Mbikëqyrës, nuk zgjati për më shumë se dy ditë. Me t’u shkarkuar nga detyra, pas një urdhri të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, Bordi Mbikëqyrës, e riktheu çmimin e tarifës së TPL-së në nivelet e mëparshme. Aktualisht, kjo tarifë varion nga 15,000 lekë deri në 16,000 lekë, në varësi të fuqisë motorrike të automjetit. Burime nga INSIG-u kanë bërë të ditur se tarifa e TPL-së do të rritet. Kjo rritje do të bazohet në një studim të tregut dhe pritet që të mos jetë në nivelin e 22,000 lekëve.
 
Kreu i ri
Shkarkimi i ish-drejtorit të INSIG-ut, Tomorr Kalaja, erdhi pasi ai mori vendimin për të rritur çmimin e tarifës së detyrueshme të sigurimit të automjeteve, TPL, pa u konsultuar me Bordin Mbikëqyrës së INSIG-ut.  Në vend të tij, pas mbledhjes së Bordit Mbikëqyrës, në krye të shoqërisë INSIG u emërua Edlira Dvorani. Në datë 28 shkurt, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) e miratoi këtë emërim.

(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 5 mars 2014)

Redaksia online