Studentët shqiptarë të filmit do të kenë mundësi të përfshihen në projekte madhore të cilat do t’i hapin rrugë të reja drejt profesionit të tyre. Jonid Jorgji, kreu i qendrës së kinematografisë i ftuar këtë të premte në ‘Studio Live’ me moderator Ermal Qori tha se këto programe janë bërë veçanërisht për studentët që janë në vit të fundit. Sipas Jorgjit të rinjtë duke u përfshirë në këto programe do të kenë mundësi të përjetojnë një eksperiencë ndryshe.
“E filluam rishtaz dhe është bukur ta çelim për 1 Maj ditën e punëtorëve. Janë praktika pune për kineastët e rinj. Të jesh kineastë i ri nuk është e lehtë, dhe të shkelësh në sheshxhirim është sikur të shkosh në tempull. Për kineastët e rinj është shumë e rëndësishme, bëmë një program veçanërisht për studentët që janë në vit të fundit dhe ata që kanë mbaruar një shkollë të zanateve të filmit ( skenografi, kostumogarfi) të jenë pjesë e këtyre e seteve të xhirimit. Ne si qendër e kinematografisë që financojmë një numër filmash të shkurtët e të gjatë e kemi vënë me detyrim për filmat që financiojnë të kenë kinestë të rinj, si pjesë e programi të këtij lidershipi. Në të ardhmen kjo t’i shërbejë për profesionin e tyre”, tha Jorgji.
Jorgji thotë se studentët zgjidhen nëpërmjet një database, teksa nga ana tjetër thekson se po punojnë që të bashkëpunojnë edhe me produksione të huaja në Europë dhe SHBA.
“Universiteti i Arteve ka një mirë të madhe, sepse është i bazuar te praktika dhe kjo i ndihmon shumë studentët, për ta prekur sheshxhirimin. Ne po mundohemi që për studentët dhe kineastët e rinj të kenë mundësi të jenë pjesë që lidhen me produksione shqiptare dhe të huaj me të cilët po mundohemi të lidhim një marrëveshje bashkëpunimi në këtë aspekt.
Ne po bëjmë një database për të gjithë kineastët e rinj. Brenda këtij database për çdo produksion që finacojmë do të jenë të detyruar të zgjedhin nga ky database emrat dhe t' i bëjnë pjesë e produksioneve. Po punojmë që të bashkëpunojmë si me produksione në Europë dhe SHBA aty ku është edhe zemra e kinematografisë Hollivudi të çojmë një ose dy kineastë të rinj për të marrë eksperiencë. Industria e filmit ka një grup punëtorësh që sakrifikon shumë, ka një punë të lodhshme jo vetëm fizike, por edhe mendore. Çaplini thoshte të punosh në kinematografi është si të punosh në minierë dhe ai i ka bërë të dyja", tha Jorgji.
Gjatë kësaj interviste Jorgji vuri në dukje se gjatë viteve të fundit filmat shqiptarë jo vetëm kanë qenë pjesë e kompeticioneve të ndryshme, por edhe kanë marrë çmime dhe kjo është një gjë mjaft e rëndësishme për kinematografinë tonë.
"Pas viteve 90 artistët kanë synuar të testojnë veten jashtë, të marrin eksperienca. Kështu në këto 30 vite filmat shqiptarë kanë qenë në kompeticione të rëndësishme si në Kanë, Venecia dhe kanë marrë çmime. Kështu në Berlin ne u përfaqësuam me dy talente të reja në kategorinë 'Shooting Star', Fatlume Bunjaku dhe Renis hyka. Talente ne do të kemi gjithmonë dhe puna jonë është ti mbështesim ata", shtoi ai.
Në fund Jorgji nënvizoi se po punojnë pë realizimin e studiove ku mund të xhirohen filma jo vetë shqip por edhe të produksioneve të huaja.
"Shqipëria në vitet 50 ndërtoi kinostudion, sot është një kohë që po punojmë të ringremë një studio ku të xhirohen filma dhe të presim produksione të huaja. Ne s'kemi asnjë aryse të ngelemi mbrapa, për fatin tonë të mirë kemi kushte mjaft të mira si klimatike dhe gjeografike. Jemi një vend ideal për këto lloj studiosh, qoftë tokëspre dhe ujore", përfundoi ai.
Komente










