Sigurimi në 1970: “Shpresat” në
Sofie, i provokuan femrat “imorale”

Sigurimi në 1970: “Shpresat” në <br />Sofie, i provokuan femrat “imorale”
TIRANE - Një fjalim i Hoxhës në 1970 në Tropojë, i kishte vënë kapak shpresave për përmirësim të marrëdhënieve me Jugosllavinë. Ndërkohë marrëdhëniet me Greqinë po shkonin drejt përmirësimit dhe pas pak kohësh ata do të njihnin raporte normale me hapje ambasadash respektive.

Kjo paralajmërohej qartë edhe në një relacion të ish-Zëvendësministrit të Brendshëm, Feçor Shehu për Behar Shtyllën, në fakt njëri ndër njohësit dhe zyrtarët më të aftë të shtetit monist në sektorin e politikës së jashtme, i cili pas tri mandatesh si ministër i jashtëm, tashmë mbulonte këtë sektor në ish-K.Q. të P.P.SH.

Por ky fakt, nuk i zbeh dot dozat qesharake në formë e përmbajtje të raportit të sipërpërmendur, i cili në fakt reflekton situatën e pashpresë e fallsitetin në të cilin ishte zhytur e gjithë shoqëria shqiptare e kohës.

Relacioni i ish-Sigurimit të Shtetit në vitin e largët 1970, na dëshmon - parë nga një këndvështrim tjetër - fare qartë se si shihej dhe komentoheshin përpjekjet për përmirësim të marrëdhënieve mes ish-RPSH dhe ish-Jugosllavisë titiste në Kosovë, dy vjet pas demonstratave të 1968 dhe çfarë pritej të ndodhte me Greqinë, çka të lë të kuptohet mirë edhe nga tonet e shprehura në relacion.

Shumica e raportit përshkruhet nga nota fare naive dhe përbën një material të mirëfilltë për një komedi politike, kur lexon pohime si:  Sekretari i partisë për bllokun nr. 6 të Sofies tha: “I çoni të fala shokut Enver Hoxha nga ana ime. Ju keni një udhëheqje trime dhe të sprovuar, të kalitur në luftë kundër imperializimit dhe revizionizmit”.

Apo diku tjetër edhe se: Në stadiumin e Pllovdivit, një bullgar zbret nga triubuna dhe puth e përqafon arbitrin tonë. Ai, në prani të publikut dhe milicëve thërret: “Rroftë Enver Hoxha! Rroftë kujtimi i Stalinit dhe i Gjergj Dimitrovit! - Lavdi Marksizëm-Leninizmit!”. Të gjithë të pranishmit në shkallët e stadiumit e duartrokitën këtë gjest.


Bie në sy se për rezultatet sportive të ekipit shqiptar, në relacion as që flitej fare. Por gjithashtu na bën të mësojmë edhe se cilat ishin metodat e homologëve bullgarë të Sigurimit të Shtetit, për të “joshur” shqiptarët “e paepur”, të cilët u rrinin kësisoj larg “me vetëmohim”, edhe veseve mashkullore, për hir të Partisë.

Raporti SEKRET i datës 13.07.1970 ( A.Q.SH. F 14 / AP STR V. 1970, D.79, fl. 1-3) të bën gjithsesi të mos i shmangesh dot e t’i hedhësh një sy, qoftë nisur edhe nga kurioziteti për të parë më thellë në një kohë të shkuar që nuk mund të përsëritet më:

                                                                       * * *

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA I


SEKRET

Tiranë më 13.7.1970

Lënda: Mbi disa aspekte nga turneu i ekipit të futbollit “Shpresa” në Bullgari

KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
SHOKUT BEHAR SHTYLLA


Nga takimet, bisedat dhe konstatimet e shokëve tanë që shoqëruan ekipin e futbollit “Shpresa” në Bullgari, me disa kosovarë, në territorin jugosllav dhe disa shtetas bullgarë e grekë në Sofie, rezulton:
“Kur mësuam se shoku Enver erdhi në Tropojë, u gëzuam dhe inçizuam fjalimin e tij, i cili na dha krahë frymëzimi dhe qëndrese. Shoku Enver ishte dhe është midis nesh. Ne po qëndrojmë dhe po luftojmë kundër shkjahut, por udhëheqësi në luftë qartëson fitoren”.

“Para se shoku Enver të fliste në Tropojë, në Kosovë ushqehej iluzioni për një afrim të Shqipërisë me jugosllavët, por fjalimi i shokut Enver qartësoi çdo gjë” – thanë një grup arsimtarësh kosovarë, të cilët dhe iu lutën shokëve tanë për literaturë dhe fotografitë e shokut Enver.

Sekretari i partisë për bllokun nr. 6 të Sofies tha: “I çoni të fala shokut Enver Hoxha nga ana ime. Ju keni një udhëheqje trime dhe të sprovuar, të kalitur në luftë kundër imperializimit dhe revizionizmit.

Unë shefin tim e kam fashist (sepse punonte në një karburant), por organizata ime e partisë, 85% e partisë dhe e popullit bullgar, bile edhe e popullit rus, është me Partinë e Punës së Shqipërisë, e cila mbron marksizëm-leninizmin dhe do të triumfojë. Tani e më tepër se kurdoherë duhet luftuar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit.

Në stadiumin e Pllovdivit, një bullgar zbret nga triubuna dhe puth e përqafon arbitrin tonë. Ai, në prani të publikut dhe milicëve thërret: “Rroftë Enver Hoxha! Rroftë kujtimi i Stalinit dhe i Gjergj Dimitrovit! - Lavdi Marksizëm-Leninizmit!”. Të gjithë të pranishmit në shkallët e stadiumit e duartrokitën këtë gjest.

Në një darkë që u organizua, kryetari i Federatës bullgare të Fiskulturës dhe Sportit, Tonev, i afrohet një shokut tonë dhe i thotë: “Unë që në moshën 14 vjeç kam qenë metalurg, propozoj të pimë një gotë plot me verë për klasën punëtore shqiptare, për Partinë e Punës së Shqipërisë, për shëndetin e shokut Enver Hoxha, për kujtimin e J.V. Stalinit dhe Gjergj Dimitrovit”.

Bullgari Jançev që ish ngarkuar për të shoqëruar ekipin tonë tha: “Unë jam me kursin tuaj të politikës“ , ai në portofolin e tij, sëbashku me fotografinë e gruas dhe të djalit, mbante edhe fotografinë e Stalinit.
Trajneri i skuadrës bullgare “Shpresa”, Arxhamev tha: Midis nesh ekzistojnë kontradikta që shkojnë drejt shuarjes, por në rast të një agresioni të mundshëm nga ana e imperializimit, të dy popujt tanë do të luftojnë krah për krah”.

Në një bisedë me ne, përgjegjësi i ekipit grek, mbasi tha fjalët më të mira për futbollin tonë, u shpreh: Ka shenja të mira për një fqinjësi të mirë midis nesh. Në Athinë erdhën 4 shqiptarë për tregti, unë pata rastin t’i shoh vetë ata.
Ambasada greke në Beograd po bën ç’është e mundur që marrëdhëniet tregtare të çelin rrugë të reja deri në rang ambasade. Mua më pëlqen politika juaj, çdo natë në ora 19.00 ( sipas orës greke) unë dëgjoj Radio Tiranën në gjuhën greke. Juve luftoni një lloj si kundër Amerikës, edhe kundër Rusisë”.

Para dy muajsh, për shkak të pagave të ulëta, punonjësit e fabrikës së këpucëve në Pejë në shenjë demostrative lanë punën. Veli Deva që e dërguan për të ”stabilizuar gjendjen” shumë diskutantë e ironizuan duke e thirrë Velimir ( njeri i vënë në shërbim të serbëve). Puna rifilloi, por gjendja mbeti e njejtë.

Tendenca e largimit të specialistëve serbë nga Kosova , edhe pse trajtimi i tyre vazhdon të jetë më i mirë nga i vendasve, vazhdon.

Në territorin jugosllav, gjatë rrugës për në Sofie më datë 7.6.1970 nga ana e jugosllavëve, kundër ekipit tonë, u organizua një survejim sistematik prej Struge, në Shkup e deri në Kumanovë, nëpërmjet dy makinjave me 6 survejues.

Për ndjekjen dhe përpunimin e ekipit tonë në Sofie, bullgarët përdorën femra imorale, survejimin në qeëndrat ku ekipi qëndronte si dhe dy oficerë sigurimi të maskuar në hotelin “Gorna Banja” në atë kat që banonte ekipi ynë, të cilët drejtonin edhe punën agjenturalo-operative. Pati raste kur nëpërmjet këtyre femrave, ata tentuan të tërhiqnin shokët tanë në lokale të degjeneruara.

Zv/Ministri Punëve të Brendshme
Feçor Shehu


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim