Një 34-vjeçar në kërkim dhe nën akuzë si i përfshirë në ngjarje kriminale nëpërmjet sigurimit të një sasie lënde plasëse, është arrestuar sot në qytetin e Durrësit.

Sipas njoftimit zyrtar i arrestuari ëshë identifikuar si Kristjan Lica banues në Dibër. Në 2023-in Gjykata e Durrësit, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

“Stukturat e DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë shkëmbyer informacione dhe kanë bashkëpunuar strukturat e Policisë Kufitare në Kukës dhe në Shkodër, për kapjen e 2 shtetasve në kërkim. 

Si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, u bë e mundur kapja në hyrje të RSh-së, në PKK Morinë, dhe ndalimi i shtetasit K. L., 34 vjeç, banues në Dibër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”. Ai akuzohet se ka siguruar një sasi lënde plasëse që është gjetur në një banesë në lagjen nr.10, Durrës, në vitin 2022, e cila nga hetimet rezultoi se do të përdorej për ngjarje kriminale”, njoftoi sot policia.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një malazez. Budak Rugova ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”.

“Si rezultat i bashkëpunimit me shërbimet e PKK Bashkim, Shkodër, u bë e mundur kapja në hyrje të RSh-së, në PKK Bashkim, dhe ndalimi i shtetasit malazez B. R., 44 vjeç, banues në Malin e Zi.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.