A do ta mbështesni miratimin e ligjit të Vettingut në Polici?
VETTINGU NË POLICI, I DOMOSDOSHËM
"Ne (LSI) që në parim e kemi miratuar Vettingun. Ai është i domosdoshëm, sidomos në kushtet që ndodhet Policia e Shtetit aktualisht. Pynonjës aktual të Policisë janë të përfshirë në Trafikun ndërkombëtar të drogës dhe në krimin e organizuar."
Ky vetting, sipas deputetes, po aplikohet në momentin e duhur. Vlerësimi i punonjësve të policisë me anë të kontrollit të figurës, të aftësive dhe të pasurisë është i nevojshëm.
PROBLEMATIKAT E VETTINGUT NË POLICI
Caka shprehet dyshuese për asistencën e faktorit ndërkombëtar, pasi nuk ekzistojnë reflektime të OSBE-së. Është thënë se OSBE ka qenë e pranishme gjatë hartimit, por nuk janë përmendur citate.
Një tjetër problematikë e shprehur nga Silvana Caka ishte mënyra se si ky Vetting është zgjedhur të funksionojë.
"Kush do të jenë personat që do të bëjnë vlerësimin? Ata do të jenë politikë e në varësi të drejtpërdrejtë nga politika. Ky fenomen duhet ta shqetësojë opinionin publik."
Deputetja vijon duke thënë se Policia i takon shqiptarëve dhe duhet të dilet në një përfundim të pranuar nga i gjithë Parlamenti.
Ajo deklaroi se LSI, të hënën do të ketë amendamentet e saj dhe se shqetësimet e LSI kanë të bëjnë me disa nene që lidhen me organet që do të hetojnë policinë. Silvana Caka sugjeron mënyrën se si duhet të përcaktohen organet drejtuese. Mënyra më e mirë, sipas saj, është një konkurs i drejtë. Ajo shpreh mendimin se të paktën bordi i përzgjedhjes do të duhet të zgjidhej në komision parlamentar.
“Nëse ne do e linim me të rënë të lapsit të Qeverisë, nuk do kishim votim për riciklim të po të njëjtave figura” është shprehur Silvana Caka. Ajo thekson se ky proces duhet të jetë apolitik dhe se duhet të aplikohen distanca nga emërimet politike.
Një problematikë tjetër që radhit LSI, është fakti që këtë Vetting nevojitet që organet hetuese të cilët do të vlerësojnë figurat, ta bëjnë vetë. Në ligj nuk është parashikuar një gjë e tillë dhe nëse nuk bëhet, Silvana thotë se atyre nuk mund t'u jepet e drejtë morale dhe juridike.
Deputetja është shprehur se nëse një Vetting i tillë do të praktikohej edhe në radhët e politikanëve, ajo do e kishte mirëpritur si diçka normale.
d.gj/ Shqiptarja.com