Mbrëmja e 13 Marsit nis me ndezjen e zjarreve dhe vazhdon gjatë gjithë ditës së nesërme, me 14 Mars, datë që konsiderohet si ndarje me dimrin.

Në qytetin e Beratit dhe në fshatrat përreth, tradicionalisht ndizen zjarre me dru të vjetër apo shkurre si paralajmërim për Ditën e Verës. Por ky ritual prej vitesh e ka humbur traditën, pasi për ndezjen e zjarreve  nga fëmijët po përdoren goma makinash. Dhjetëra goma u dogjën  këtë mbrëmje pranë zonës në brigjet e lumit Osum  por edhe në mes të rrugës nacionale Berat-Dimal. Flaka dhe tymi në mes të rrugës u ka shkaktuar probleme drejtuesve të mjeteve. Djegia e gomave të makinave solli një ndotje  masive të ambientit dhe rrezik serioz për automjetet që kalonin përgjatë rrugës nacionale.

Reparti i zjarrfikësve ka qenë në gatishmëri duke shuar zjarret në disa zona dhe neutralizuar dhe pastruar djegien e gomave në rrugën nacionale.