Eminenca e tij, Kardinali Ernest Simoni Troshani 95 vjeç, është ritakuar me motër Gratias Ruf pas shumë vitesh, në një takim të mbushur me emocione dhe kujtime të thella.

Ky rikthim në kohë lidhet me periudhën kur Kardinal Troshani, një figurë e njohur e Kishës Katolike shqiptare dhe simbol i qëndresës gjatë regjimit komunist, kishte vendosur t’u gjendej pranë misionareve gjermane që shërbenin në zonën veriore të vendit, duke ofruar së bashku me to përkujdesje dhe ndihmë për besimtarët, të varfrit dhe personat në nevojë.

Motër Gratias Ruf, 85 vjeçe, e njohur për shërbimin e saj si misionare në veri të Shqipërisë, ka qenë pjesë e këtij angazhimi human dhe fetar, në një kohë kur mbështetja për komunitetet ishte jetike.

Takimi mes Kardinal Troshanit dhe motër Gratias Ruf u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe mjaft prekëse, ku nuk munguan emocionet e forta, të shtyra edhe nga vitet e shumta që mbajnë mbi supe dhe nga kujtimet e përbashkëta të një shërbimi të përkushtuar ndaj komunitetit.

Ky ritakim solli në vëmendje jo vetëm lidhjen e tyre të hershme, por edhe kontributin e çmuar që kanë dhënë ndër vite në shërbim të njerëzve në nevojë.