Vetëm pak muaj pas hyrjes në fuqi të skemës që rriti pensionet, qeveria paralajmëron një tjetër ndryshim të përllogaritjes së pensioneve. Në një takim në njësinë numër 2 në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se do të rishikohet skema aktuale për pensionistët që vijojnë të punojnë, ndryshim të cilin e pati paralajmëruar edhe Report Tv.

Sipas shifrave zyrtare janë rreth 19.584 qytetarë që marrin pension pleqërie dhe që punojnë në tregun privat, dhe paguajnë sigurime njëjtë si të gjithë të punësuarit e tjerë. Me reformën e re, po diskutohet që të hiqet detyrimi për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për këtë kategori, njëjtë siç ndodh me të vetëpunësuarit pensionistë.

"Kemi diskutuar edhe për të tjera ndryshime që do të bëjmë në skemën e pensioneve për të thelluar reformën e pensioneve, duke filluar të krijojmë edhe një hapësirë tjetër për të gjithë ata që do duan të kursejnë më shumë për të pasur një pension më të lartë në të ardhmen, ku shteti do të fusi kontributin e vetë. Po ashtu do të rishikojmë edhe skemën aktuale për pensionistët e vetëpunësuar dhe për ata të që vazhdojnë të punojnë, pasi ka dhe aty hapësirë për të bërë disa disa axhustime, të cilat përsëri shkojnë në favor të pensionistëve”, tha kryeministri Rama.

“Siç është ligji aktualisht juve po të vazhdoni të punoni dhe të tërhiqni pensionin paguani kontribute dhe nuk merrni asnjë lloj bonusi shtesë në llogaritjen e pensionit. Ndërkohë që me ndërhyrje që do bëjmë këtë vit që do hyjmë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do ta tërhiqni pensionin dhe do merrni pagën, do të paguani kontribute dhe pensioni kur ta përfundoni të gjithë periudhën e punësimit do ju dalë më i lartë se ai pensioni i parakohshëm që jeni duke marrë”, tha ministrja Delina Ibrahimaj.

Ndryshim, Rama paralajmëroi të ketë edhe mbi ndihmën që i jepet familjeve në nevojë.

“Ju jeni të parët dhe bashkë me ju edhe familjet sigurisht në nevojë që janë në mbrojtjen ekonomike të qeverisë, për të cilat jemi duke përgatitur dhe një skemë të re të bazuar tek një kartë e shpenzimeve familjare në bazë të shportës, në mënyrë që ato lekë që ata marrin nga taksat e shqiptarëve të shkojnë për familjen, për fëmijët e tyre dhe asnjë lek të mos përfundojë në pijetore apo të mos shkojë në bixhoz dhe kjo është e rëndësishme. Ato lekë të cilat përmes kartës do të mund të shpenzohen me artikujt bazë në çdo lloj dyqani, në çdo lloj pike ku blihen ushqime të jenë të gjitha me TVSH në mënyrë që ajo TVSH-ja, që sot në shumë raste merret mënjanë nga shitësi të shkojë prapë në buxhet dhe nga ai buxhet të kthehet tek ju, të kthehet tek ata dhe jo të merret dhe t'i fshihet shtetit nga shitësi”, tha Rama.

Në takimin me pensionistët, që Rama i quajti mbështetjen më të madhe të qeverisë, kryeministri u ndal edhe te integrimi që sipas tij po ecën sipas planit.

Lajmi në përditësim....