TIRANE- Sindikatat e Shëndetësisë janë mbledhur gjatë ditës së sotme për të diskutuar rreth situatës në të cilën ndodhen bluzat e bardha aktualisht në vendin tonë. Ata i kanë drejtuar disa kërkesa ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ku i kërkohet nënshkrimi i kontratës kolektive me mjekët, si dhe “reforma të mos prekë mjekët dhe infermierët, pasi ne renditemi ndër vendet që ka më pak mjekë për numër popullsie, por reforma të fokusohet në administratë, pasi ajo është e fryrë”.
 
Gjithashtu ata kanë marrë një vendim, që të gjitha sindikatat e shëndetësisë të shkrihen në një, në mënyrë që të mbrojnë më mirë interesat e punonjësve të këtij sektori.
 
KËRKESAT KONKRETE TE SHOQATES SE SHENDETESISE NDAJ MINISTRIT ILIR BEQAJ
Këshilli Sindikal duke e vlerësuar situatën sindikale si të papërshtatshme në interes të zbatimit të Kushtetutës dhe të drejtave sindikale për punonjësit e sektorit të shëndetësisë:
 
- I drejtohet ministrit të Shëndetësisë, i cili duhet të nënshkruajë me patjetër Kontratën Kolektive të Parë me këtë sindikatë shëndetësie, e cila ka qenë kontraktuese që nga viti 1994 e deri në fund të këtij viti dhe është sindikata më e madhe në vend, e cila ka aktualisht 56 mijë kontrata të nivelit të dytë, në fuqi deri në vitet 2014 dhe 2015.
 
- I pohon gjithashtu ministrit të Shëndetësisë që sindikata është gjithmonë në mbështetje të reformës në shëndetësi, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Por është sakaq, edhe në mbrojtje të interesave të punonjësve të shëndetësisë. Kështu, ajo kërkon që reforma të mos fokusohet në lëvizje e në prekje të tyre, dhe mendon se nëse do të ketë reformë (që ne themi se duhet të ketë), ajo duhet të reformohet në administratën burokratike të institucioneve shëndetësore, të cilat janë fryrë së tepërmi dhe duhet të fillojë një menaxhim i mirë i burimeve njerëzore. Por nuk ka për mendimin tonë, punonjës të tepërt të sistemit shëndetësor, sepse ne jemi vendi që kemi më pak punonjës shëndetësorë për 1 mijë banorë.
 
- Ajo që i pohohet tjetër ministrit të Shëndetësisë është që kushtet e punonjësve të shëndetësisë lënë për të dëshiruar. Ata janë gjithmonë në kushte jo të mira pune dhe janë gjithmonë të rrezikuar nga infeksionet apo rrezatimet si dhe probleme të tjera të mëdha, pikërisht për mungesë të kushteve mbrojtjëse në punë.
 
- Përveç kësaj, i kërkohet ministrit të Shëndetësisë që të vlerësojë edhe çështjen e pagave të punonjësve shëndetësorë, të cilët edhe pse këtë vit me heqjen e taksimit për pagat e ulëta, kanë përfituar disi, sërsih mbeten me pagat më të ulëtat në Europë.
 
- Gjithashtu, i pohojmë ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale që punonjësit e shëndetësisë të sektorit publik e privat (rreth 30 mijë punonjës), nuk kanë gjetur ende përfaqësimin e duhur në Këshillin Kombëtar të Punës. Ata përfaqësohen ndoshta nga disa sindikata fantazmë, persona të vetëemëruar, ose nepotikë.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)