Komisioneri për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, vjen nesër në Tiranë, pas vizitës në Maqedoninë e Veriut. Yarhelyi pritet që nesër të takohet me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe përfaqësues të opozitës. Pas takimeve Komisioneri për Zgjerim do të shkoje në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet se Varhelyi do ta shfrytëzojë vizitën për të theksuar edhe një herë përkushtimin e plotë të Komisionit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri e para në Ballkanin Perëndimor si komisioner dua të dërgoj sinjal të fuqishëm se perspektiva evropiane e rajonit është prioritet, si për mua personalisht, ashtu edhe për Komisionin Evropian”, tha Varhelyi.
“Ne qëndrojmë pas propozimit për të hapur negociatat e pranimit me të dyja vendet dhe punojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”, shtoi ai.
Oliver Varhelyi është një nga mbështetësit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave. Pak kohë më parë ai deklaroi se ka pasur diskutime "të hapura, konstruktive dhe inkurajuese" me Francën dhe Holandën për zgjerimin e ardhshëm të BE me Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu ai është shprehur se në pranverë duhet të punohet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Komente










