Sinjalet pozitive që mund të marrë opozita, nga protesta e 16 shkurtit

Sinjalet pozitive që mund të marrë opozita, nga protesta e 16 shkurtit

Edhe pse lajmet rreth protestës janë të mbushura me tension dhe paralajmërime për dhunë, ana pozitive e protestës së nesërme është më e rëndësishme. Duke qenë një protestë e thirrur në kuotat më të ulëta politike të opozitës, ajo është pikë së pari një protestë për të bashkuar opozitën dhe për t’i dhënë rrugëzgjidhje shumë pikëpyetjeve që gjenden para saj.

Deri më sot opozita është e ndarë brenda saj në qëndrimet ndaj reformës së pabërë zgjedhore dhe fajëson PD-në, është e ndarë në qëndrimin ndaj zgjedhjeve, ku PD është më shumë afër bojkotit dhe të tjerat pro hyrjes, është e ndarë në qëndrimin ndaj rrugës radikale, atë të djegies së mandateve, apo rrugës institucionale, ku dhe këtu PD është e ndarë nga të tjerat.

Ka po ashtu një fenomen gjobëvënie të partive aleate të PD, ndaj PD, duke e shantazhuar pikërisht për këto kontradikta mes tyre, lidhur me kuotat që duan të lira për zgjedhje, nëse hyjnë së bashku.

Para opozitës sot, më shumë se kurdoherë, ka pikëpyetje të mëdha për lidershipin e saj dhe për të ardhmen e këtij lidershipi, çfarë është një stres më vete për palët . Është në pikëpyetje aftësia e Bashës për të ngjallur besim, paqartësia e Berishës nëse do një parti në pushtet, apo një parti gjithnjë e më të vogël të bashkuar rreth tij, është në pikëpyetje nëse më 2021, opozita do të jetë e bashkuar, apo një pjesë e saj, ose PD, ose LSI, do të bëjë koalicion me PS, nëse kjo e fundit nuk merr sërish 71 vota.

Protesta e nesërme nuk e sjell në pushtet opozitën dhe sikur t’i vërë flakën Kryeministrisë, edhe sikur të sillet si të dashuruarit e Paskuqanit ditën e Shën Valentinit nga liqeni, por ajo mund të jetë një moment, ku shumë gjëra brenda saj mund të precipitojnë dhe të fillojnë  të marrin formë.

Në varësi të asaj që do të quhet sukses i protestës, Partia Demokratike do të vendosë të hyjë në zgjedhje, apo të djegë mandatet. Dhe kjo varet nga sinjalet që ajo do të marrë nga protesta.

Nëse protesta i dështon, nëse grumbullon vetëm bërthamën e militantëve si në çadër, nëse e ndjen se nuk ka të ardhme t’i bashkohen qytetarët, atëhere PD do të marrë vendime rakdikale, do të djegë mandatet dhe do shkojë jashtë Kuvendit. Kjo do të zgjidhë plot probleme të saj, por mbi të gjitha do zgjidhë problemin e lidershipit.

Lulzim Basha nuk mund të jetë më pas kësaj lider i PD, pasi projekti i tij për ta sjellë PD në pushtet në rrugë institucionale dështoi në vitin e gjashtë të tij. Ai mund të rrijë si kryetar i partisë së vogël që i duhet Berishëve si studio juridike për t’i mbrojtur politikisht, por jo si përfaqësues i opozitës që do të vijë në pushtet.

Ky zhvillim mund ta shëmtojë skenën politike, por dhe mund të ndihmojë forca të reja të dalin në skenë, duke qenë të papërlyera dhe duke mos i dhënë Edi Ramës alibinë që i jep kjo opozitë.

Nëse sinjalet nga protesta do të jenë pozitive, nëse PD dhe të tjerë e ndjejnë se, përveç militantëve në protestë janë dhe qytetarët që bëjnë shumicën e këtij vendi, nëse kjo demonstrohet me fuqinë e protestës dhe jo fuqinë e dhunës, PD mund të qetësohet, Basha mund të ndjehet më i sigurtë, dhe ai mund të vazhdojë rrugën institucionale, duke hyrë në zgjedhje dhe duke vazhduar betejën për vitin 2021.

Një zhvillim po aq i rëndësishëm është dhe raporti që do të vendosë PD me aleatët pas protestës.

Fiks dy vjet më parë, në të njëjtën javë, PD e bëri këtë test, e vazhdoi me çadrën, dhe siç e pat thënë dhe vet Berisha, ajo ishte një protestë e militantëve të PD, jo e qytetarëve, dhe Basha nuk e lexoi mirë atë, kur u soll me protestën si pronë private, duke bërë pazar me Edi Ramën. Në fund të protestës së para dy viteve, Basha arriti në përfundimin se rruga e fitores për të, është një paqe me Edi Ramën, dhe nëse ai nuk kapte 71 mandate, koalicion me të kundër LSI.

Në këtë rast, ky është një film i përsëritur, por që të gjithë i druhen fundit. PD dhe LSI duhet të qartësojnë pas protestës një aleancë besnikësh, me kusht që asnjë prej të dyve të mos tradhtojnë njëri- tjetrin, nëse Rama nuk kap 71 mandate. Dhe kjo do të vërë në provë fuqinë e besimit që ata kanë tek njëri- tjetri. Protesta e nesërme mud ta japë një sinjal dhe për këtë.

Por mbi të gjitha, protesta ka shumë rëndësi dhe për vendosjen e raporteve normale të opozitës shqiptare me Perëndimin, Bashkimin Europian dhe SHBA. E futur në një rreth populist dhe pa vizion, opozita jonë është bërë zëdhënëse e çdo kauze që mendojnë se dëmton qeverinë, duke humbur koherencën e tyre me Perëndimin.

Ndërsa në vitin 2017, ata blenë një foto 20 mijë dollarë të Bashës me Trumpin që e varnin mbi furgona e kuaj nëpër fushatë, sot ata kanë një problem pikërisht me Shtëpinë e Bardhë, pasi ende nuk guxojnë të mbajnë një qënndrim ndaj politikës së SHBA për Kosovën.

Presidenti Trump ka shkruar sot një letër për presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, që i inkurajon të nënshkruajnë marrëveshje, ndërsa opozita shqiptare bën sikur këtë e bën Xhorxh Sorosi, dhe kanë ngritur një retorikë populiste kundër politikës zyrtare të SHBA, duke e quajtur partnerin e SHBA, Hashim Thaçi, argat të Serbisë.

Përpjekjet e saj për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, duke prodhuar aleatë të rremë perëndimorë dhe duke injoruar Shtëpinë e Bardhë dhe Brukselin, e bëjnë atë një opozitë më së paku të padobishme dhe të bezdisshme për Perëndimin, pasi janë jo seriozë për t’u pasur partnerë.

Nuk mendoj se opozita do të sillej kështu po të ishte në pushtet, por një provë e madhe për të qenë serioz dhe i besueshëm, është pikërisht mënyra se si sillesh në opozitë.

Ndaj për protestën e nesërme nuk ka rëndësi zhurma, por sinjalet që do marrë opozita prej saj.

Sot opozita jonë është në konfuzion të plotë. Ajo nuk është as e majtë, as e djathtë, as nacionaliste, as internacionaliste, ndërkohë që do të duket edhe antikomuniste, edhe dakord me populizmin neomarksist të Arlind Qorrit, edhe kundër oligarkëve me fjalë, edhe pro tyre në mënyrë selektive, edhe pro të varfërve me fjalë, edhe milionerë në jetën e tyre private, edhe parti e pronarëve, edhe parti e zaptuesve të “Unazës së Re”, e kështu me radhë.

Ndaj mos harxhoni kohë dhe nerva, të dëgjoni skenarë lufte e Rambosh, dhe as heronj që do japin jetën në Bulevard për Saliun dhe jo nga Saliu këtë radhë. Opozita është më 16 shkurt në një betejë të madhe me vetveten, dhe kjo, në varësi të sinjaleve që do marrë nga shoqëria dhe jo nga policia.

Pasnesër më 17 shkurt, do të jetë një ditë më e mirë për opozitën. Së paku, një ditë më e qartë për mijëra demokratë, për të vendosur nëse mund t’ia dalin kështu si e kanë nisur, apo duhet të ndryshojën rrugë sa nuk është vonë.

Nuk është zhurma ajo që bën diferencën, por sinjalet reale që i kuptojnë të gjithë në heshtje dhe reagojnë si shumicë e heshtur. Si 240 mijë që nguruan t’ia ri-japin votën më 2017 dhe qëndruan në shtëpi./ TEMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rera: 15/02/2019 21:41

    Gazetar me sahan lepirs dhe deshtek nuk ka Shqiperia .Ky pseudo gazetar po te jete edhe ndonje perfaqsues i Agimit Arte te gerqise ne qeveri i ngjitet si miz kali .Lere se je deskritituar .Mos harro thenjet e Arjan Qanit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi (VIDEO)

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi (VIDEO)