TIRANE, 25 Korrik /ATSH/- Kultivimi dhe tregtimi i bimëve medicinale në vendin tonë po shndërrohet në një menyre që nxit vetëpunësimin dhe mëkëmbjen e ekonomive familjare.
Janë të shumta familjet që sigurojnë jetesën përmes mbledhjes së bimëve meicinale, por së fundmi shumë prej tyre kanë nisur ti kultivojnë, duke punuar sipërfaqet e tokave deri dje të lëna djerrë.
Programi i Kombeve të Bashkuara "Mbështetje për Përfshirjen Sociale të Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane" (SSIREC) po mbështet komunitetin rom dhe Egjiptian përmes programit për kultivimin e sherebelës i cili do të zbatohet në 4 komuna në vendin tone në Bucimas Pogradec, në Otllak Berat dhe Novoselë e Shushicë të Vlorës. Projekti synon të mbështesë 60 familjet e para, ato që kanë të ardhura të pakta ekonomike dhe kryesisht gratë, të cilave do t'u ofrojë fidanët e sherebelës.
Në bashkëpunim me Institutin e Bimëve Medicinale projekti financon blerjen e fidanëve dhe ofron kurse trajnimi dhe asistencë përmes ekspertëve të fushës për kultivimin dhe shërbimet për kulturën e sherebelës. Specialistët do të asistojnë fermerët deri në momenetin e korrjes së bimës, do ti trajnojë për mënyrat e tharjes së sherebelës si dhe do t'u krijojë kushtet optimale për tregtimin e saj.
Në Komunën Buçimas në Pogradec jeton një komunitetet prej rreth 900 banorë romë dhe egjiptianë. Besiana Mahmutllari, nënë e 2 fëmijëve të vegjël që jeton në një familje prej 7 anëtarësh, gjatë trajnimit që po zhvillonin ekspertët e programit u shpreh se ishte e interesuar të përfitontej prej këtij projekti.
"Kam 1.2 dylym tokë, ndërsa vetë punoj argat, mbledh bimë mjekësore për të tjerët. Sa dëgjova për projekin vendosa menjëherë të vij. Unë punoj nga mëngjesi deri në darkë në tokën e tjetrit dhe nëse më mbështesin unë do të filloj të punoj tokën time, do të siguroj të ardhura për të gjithë familjen", - shprehet Besiana.
Në trajnimin e parë me fermerët rome dhe egjiptianë specialistët e institutit të bimëve mjekësore shpjeguan se projektit i PNUD, "Mbështetje për Përfshirjen Sociale të Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane" ka zgjedhur pikërisht bimën e sherebelës pasi është një bimë e cila gjen kushtet ideale për tu rritur në vendin tonë dhe në toka jo shumë të pasura, nuk kërkon shumë trajtime pasi është një bimë shumë rezistente dhe jetëgjatësia e saj është 10-vjecare. Çdo fermer mer prodhim 2 herë në vit.
Menaxheri i programit të PNUD, Bujar Taho shpjegon se synimi projektit është nxitja e vetëpunësimit për komunitetin rom dhe egjiptian dhe mbështetja e familjeve në nevojë, e kryesisht grave dhe vajzave. Projekti pilot do të sigurojë mbështetje për 60 familje me fidanë dhe asistencë përmes specialistëve të fushës, falë marëveshjes me Institutin e Bimëve Mjekësore në 4 zona të vendit, Pogradec, Berat dhe 2 komuna në Vlorë.
"Projekti ka mbështetur modele shumë të mira që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian, të cilët kultivojnë bimë medicinale dhe ne duam ti replikojmë këto modele dhe të mbështesim familjet rome dhe egjiptiane në vend",- shprehet Taho.
Ndersa Agron Lamçe, kryetar i shoqatës "Vllazëria egjyptiane" shprehet se projekti do ti vijë në ndihmë shumë familjeve të këtij komuniteti I cili jeton në kushte shumë të vështira ekonomike. Drejtuesit e Komunës mirëpresin këtë project i cili u vjen në ndihmë banorëve të komunitetit. Agronomi Përparim Kuqo shprehet se Komuna do të jetë partnere e projektit, duke ofruar mbështetje maksimale për banorët e komunitetit. Përfaqësuesit e komunitetit rom dhe egjiptian vizituan një parcelë me sherebele, duke parë nga afër kushtet në të cilat kultivohet kjo bimë medicinale.
Mbledhja dhe tregtimi i bimëve medicinale aktivizon një numër të konsiderueshëm të komunitetit Rom dhe Egjiptian në vendin tonë. Projekti "Mbështetje për Përfshirjen Sociale të Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane" (SSIREC) , që do të mbështesë fermerët romë dhe egjiptianë, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në 3 qarqe kryesore në vend, Vlorë, Berat e Korcë. Ai synon integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian në jetën social-ekonomike të vendit në bashkëpunim me autoritetet qëndrore dhe vendore.
e,xh/f.n/












