Dita e 25-të e luftës në Ukrainë/ Propozimi i Rusisë: Mariupol të 'ngre flamurin e bardhë' dhe të dorëzohet! Për 2 orë ulni armët dhe largohuni nga qyteti! Ultimatumi skadon në mesnatë

Ukraina ndodhet sot në ditën e 25- të që po bombardohet nga Rusia, ku numri i viktimave sa vjen dhe rritet. Rezistenca e Ukrainë ka sjellë ngërç te Moska e cila po reagon gjithmonë më ashpër duke e bërë konfliktin edhe më të përgjakshëm. Një ditë më parë Rusia përdori për herë të parë një raketë hipersonike që goditi një bazë ushtarake. Ndërkohë, 

Rusët kanë propozuar një "armëpushim" në Mariupol, të cilin disa po e interpretojnë si "kërkesë për dorëzim". Sipas agjencisë Interfax, ministria ruse e mbrojtjes u ka kërkuar formacioneve ushtarake ukrainase në qytetin port që "të shfaqin flamuj të bardhë nesër për të treguar se janë gati për një armëpushim të përkohshëm" që do të fillonte 07:30. Nga ai moment, ata që ndodhen në  Mariupol do të kenë dy orë kohë për të ulur armët dhe për të braktisur qytetin. Rusia i ka lënë afat Kievit që të përgjigjet deri në 03:00 të 21 marsit.

Gjatë natës alarmet për sulme e bombardime kanë rënë thuajse në të gjithë vendin, madje edhe në Lviv, 70 km larg kufirit të Polonisë dhe që aktualisht kosiderohe3t si një nga qytete më të sigurta në këtë situatë lufte. Përveç Kievit dhe Lvivit, rreziku i sulmeve ajrore ka filluar në rajonet e Odessa, Kharkiv, Zaporizhzhia, Sumy, Mykolaiv, Ternopil, Poltava, Kirovograd, Ivano-Frankivsk, Dnipropetrovsk, Rivne, Volinia, Cherkasy, Zhytomyr dhe Vinnytsia.

Ndërkohë beteja mes forcave ruse dhe ukrainase vijon edhe në rrugë në Mariupol, ku bën të pamundur për  ekipet e shpëtimit të arrijnë në teatrin e bombarduar para disa ditëve nga rusë, ku qindra njerëz mbeten ende të bllokuar nën tokë.

Kryeministri ukrainas Zelensky i kërkoi sërish Rusisë që të angazhohet për negociata dhe të takohet me Putin, ndërsa i bëri thirrje Kinës që të mbajë një qëndrim kundër agresionit të Rusisë. Deri tani për shkak të luftimeve 3.3 milionë persona janë larguar nga vendi, ku më shumë se dy milionë ndodhen në Poloni.

Nga ana tjetwr, Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, për t'i dhënë fund luftës do të rinisin nesër, 21 mars. Lajmi konfirmohet nga mediat ndërkombëtare, ku nga sa mësohet negociatat do të zhvillohen online, ashtu si kurse u realizuan edhe në raundin e kaluar. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:40
Ushtria ukrainase: 170 ushtarë rusë janë vrarë sot në Donbas

Sipas ushtrisë së Kievit, 170 ushtarë rusë u vranë sot në Donbass. 

Trupat ukrainase shkatërruan 12 tanke ruse, nëntë automjete këmbësorie, tre automjete ushtarake, një avion Su-34 dhe një helikopter në vijat e frontit në Donetsk dhe Luhansk, sipas raporteve nga ushtria ukrainase të cituar nga Kiev Independent.


 

Ora 22:29
Lufta në Ukrainë, shpërthime në periferi të Kievit

Kryeqyteti Kiev u vendos sërish në shënjestër të forcave ruse. Në kryeqytet janë dëgjuar shpërthime në periferi të qytetit. Raporton Nexta TV.

Ora 22:15
Pas bisedës me presidentin Zelensky, Boris Johnson premton mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën

Boris Johnson u zotua të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën në një telefonatë me Volodymyr Zelensky këtë pasdite.

“Kryeministri nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të koordinuar mbështetjen e për të forcuar vetëmbrojtjen e Ukrainës”, tha Downing Street në një deklaratë, siç shkruan BBC.

“Të dy liderët theksuan rëndësinë e vazhdueshme të sanksioneve në ushtrimin e presionit ndaj Putinit dhe ata dënuan sulmet e neveritshme ndaj civilëve të pafajshëm, pas bombardimeve të tmerrshme në Mariupol”, thuhet në deklaratë.
 

Ora 22:01
Propozimi i Rusisë: Mariupol të 'ngre flamurin e bardhë'! Për 2 orë ulni armët dhe largohuni nga qyteti

Rusët kanë propozuar një "armëpushim" në Mariupol, të cilin disa po e interpretojnë si "kërkesë për dorëzim". Sipas agjencisë Interfax, ministria ruse e mbrojtjes u ka kërkuar formacioneve ushtarake ukrainase në qytetin port që "të shfaqin flamuj të bardhë nesër për të treguar se janë gati për një armëpushim të përkohshëm" që do të fillonte 07:30. Nga ai moment, ata që ndodhen në  Mariupol do të kenë dy orë kohë për të ulur armët dhe për të braktisur qytetin. Rusia i ka lënë afat Kievit që të përgjigjet deri në 03:00 të 21 marsit.

“I kërkojmë autoriteteve të Kievit të vijnë në vete dhe të anulojnë udhëzimet e mëparshme që i detyronin luftëtarët të sakrifikoheshin dhe të bëheshin 'dëshmorët e Mariupolit'. Përveç kësaj, ne insistojmë në përgjigjen zyrtare me shkrim të palës ukrainase deri në orën 03:00 ", tha Mikhail Mizintsev, kreu i Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Mbrojtjes së Rusisë.

Ora 21:24
Ukraina: Kemi vrarë një oficer të lartë të marinës ruse

 

Ukraina pretendon se ka vrarë një oficer të lartë të marinës ruse. Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës shkruan në ‘Facebook’ se kapiteni i rangut të parë, Andrey Paliy, u vra nga forcat ukrainase gjatë luftimeve të ashpra, edhe pse rrethanat rreth vrasjes së tij janë të paqarta.

Moska ende nuk ka komentuar lidhur me këto pretendime të Ukrainës.

Paliy ishte zëvendëskomandant i flotës së Detit të Zi të Rusisë dhe besohet se është oficeri i parë i marinës që është vrarë gjatë pushimit rus të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.

Ora 21:23
Bota nën ethet e luftës, Gjermania gjen zgjidhjen, marrëveshje me Katarin për furnizimin me naftë dhe gaz

Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje me Katarin për të rritur furnizimin me naftë bruto dhe gaz. Marrëveshja u nënshkrua midis ministrit të energjisë të Berlinit, Robert Habeck dhe Emirit Sheikh al-Thani. Lajmin e konfirmoi një zëdhënës i qeverisë në Berlin. Gjermania është aktualisht ekonomia më e varur nga gazi i blerë nga Rusia
 

Ora 21:21
Zelensky kërkon Izraelit armë dhe kritikon Izraelin: Pse nuk keni vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë apo kompanive ruse?

"Pse nuk mund të marrim armë nga ju? Pse Izraeli nuk ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë apo kompanive ruse? Jeni ju që do të duhet të jetoni me përgjigjen e këtyre pyetjeve në ndërgjegjen tuaj." 

Kështu kërkoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duke iu drejtuar deputetëve të Knesset-it, Parlamentit izraelit. 

"Ukrainasit i shpëtuan hebrenjtë 80 vjet më parë dhe sot ju mund të bëni të njëjtën zgjedhje," shtoi ai. 

"Izraeli është ai vend që ka zhvilluar sistemin më të fuqishëm dhe më të sofistikuar të mbrojtjes raketore në botë, ju e dini se çfarë do të thotë të paturit një kërcënim nga qielli dhe të mbrosh qytetarët e tij. Mbroni jetën e ukrainasve, gjithashtu edhe hebrenjve ukrainas," pyeti ai Zelensky.

Ora 21:20
Pushtimi i Ukrainës, fillon procesi i anëtarësimit të Ukrainës në BE

"Pas kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në BE, ne i dërguam një sinjal të fortë politik Ukrainës: BE-ja do të mbështesë zgjedhjen e lirë dhe demokratike të Ukrainës për të përcaktuar fatin e saj. Procesi ka filluar”, shkruan në Twitter presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ora 21:09
Lufta në Ukrainë, OKB: 902 civilë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus

Të paktën 902 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, siç raporton zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut. 

Më herët, zëvendëskryeministri ukrainas i tha Sky Neës se numri i vdekjeve të civilëve është "shumë më i lartë se ai i forcave të armatosura ukrainase". 

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, rreth 2,400 njerëz kanë vdekur që nga pushtimi, megjithëse është e paqartë se sa nga këto viktima janë civilë.
 

Ora 21:08
Kievi vret 'kanibalin' rus

1647807353_Screenshot7.jpg

Ushtria e Kievit vrau komandantin e kompanisë së zbulimit të ushtrisë Donetsk, Sergei Mashkin, i njohur si "kanibal".

Kështu ka bërë të ditur grupi operativo-taktik ‘Skhid’.

Ora 21:07
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, nesër bisedimet mes Moskës dhe Kievit

Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, për t'i dhënë fund luftës do të rinisin nesër, 21 mars.

Lajmi konfirmohet nga mediat ndërkombëtare, ku nga sa mësohet negociatat do të zhvillohen online, ashtu si kurse u realizuan edhe në raundin e kaluar. 

"Një takim online ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase është planifikuar për në 21 mars", shkruajnë mediat ndërkombëtare.
 

Ora 20:58
Shtohet frika në Ukrainë, Inteligjenca: Bjellorusia mund të hap front të ri lufte

1647806354_Screenshot5.jpg

Kievi ka frikë se Rusia do të përdorë Bjellorusinë dhe do të hap një tjetër front lufte. Frika në Kiev tashmë është shtuar.

Kjo sepse sipas burimeve të Inteligjencës, referuar mediave ndërkombëtare, ekziston një kërcënim i lartë i një ofensive të Bjellorusisë në drejtim të Volyn (në veriperëndim), e cila mund të fillojë në 48 orët e ardhshme.

Një fakt i tillë nuk do të ishte surprizë, kjo sepse presidenti Aleksandër Lukashenko, aleati besnik i Putinit, i ka paralajmëruar ukrainasit se nëse nuk do të nënshkruajë marrëveshjen e paqes,  Bjellorusia "nuk do të rrijë duarkryq".

Ora 15:57
Lufta në Ukrainë, OKB: Rritet në 902 numri i civilëve të vrarë

Të paktën 902 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, siç raporton zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Më herët, zëvendëskryeministri ukrainas i tha Sky News se numri i vdekjeve të civilëve është "shumë më i lartë se ai i forcave të armatosura ukrainase".

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, rreth 2,400 njerëz kanë vdekur që nga pushtimi, megjithëse është e paqartë se sa nga këto viktima janë civilë.

 

Ora 13:48
Ministri i Jashtëm turk: Ukraina dhe Rusia janë afër marrëveshjes

Një dritë jeshile për bisedimet, njoftoi ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, sipas të cilit Moska dhe Kievi janë afër një marrëveshjeje për çështje “kritike” në lidhje me pushtimin e Ukrainës. Cavusoglu tha se shpresonte për një armëpushim, nëse të dy palët nuk tërhiqen nga përparimi i arritur deri më tani.

Turqia është vetëofruar për të bërë negocimin mes dy palëve. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, dhe ai rus, Sergei Lavrov, janë takuar në Antalia të Turqisë, por nuk ka pasur dhënë ende ndonjë rezultat konkret.

Cavusoglu, që kishte qenë i pranishëm në bisedimet mes kryediplomatëve rusë dhe ukrainas, tha për të përditshmen turke, Hurriyet se ka pasur “afrim të pozicioneve të të dyja palëve për tema kritike”.

“Ne mund të themi se kemi shpresë për një armëpushim, nëse të dyja palët nuk bëjnë hapa prapa nga pozicionet aktuale”, tha ai, duke mos dhënë detaje për cilat çështje bëhet fjalë.

Ora 13:33
Media ukrainase: Kërcënim i lartë për një sulm nga Bjellorusia

Ekziston një "kërcënim i lartë" për një ofensivë nga Bjellorusia ndaj Volyn që mund të fillojë në 1 ose 2 ditët e ardhshme. Kjo u raportua nga agjencia ukrainase UNIAN, duke cituar burime të inteligjencës dhe shtabit të përgjithshëm ukrainas. “Kërcënimi i një ofensive nga Republika e Bjellorusisë në drejtim të Volyn është si i lartë”, tha Shtabi i Përgjithshëm.

Ora 13:22
Kievi: Mercenarë po vijnë për të vrarë Zelenskyn

Sipas burimeve të qeverisë ukrainase, mercenarë të tjerë të grupit Wagner do vijnë për të vrarë presidentin Volodymyr Zelensky. Në fillim të marsit, Times zbuloi se presidenti ukrainas u kishte shpëtuar të paktën tre atentateve nga mercenarët e këtij grupi.

Wagner është një kompani sigurie që operon në Ukrainë, Siri dhe Sahel: rusët dhe ish-sovjetikët e republikave të Azisë Qendrore punojnë atje. Çelësi i sukseseve të dyshes ‘Wagner-Putin’ është se ata nuk paguhen nga buxheti i shtetit të Rusisë. Kompania pretendon se paguhet nga vendet që ‘ndihmon’, Moska vetëm jep një ‘dritë jeshile’. Një përjashtim është Ukraina, Moska paguan nga buxheti për këtë rast.

Ora 13:07
Rusia bombardon shtëpinë e të moshuarve në Luhansk, 56 viktima! Ushtria ruse merr peng 15 të mbijetuarit

Trupat ruse kanë hapur zjarr në një shtëpi të të moshuarve në qytetin lindor të Kreminës, duke vrarë 56 persona.Qeveria ukrainase thotë se ushtria ruse qëlloi në ndërtesën në rajonin e Luhansk "nga një tank... në mënyrë cinike dhe të qëllimshme".

Shërbimi Shtetëror i Komunikimeve Speciale tha se ishin 15 të mbijetuar, të cilët i ka marrë peng dhe ia dërguar në Svatove, territor i pushtuar nga rusët (rajoni i Luhanskut) në shkollën rajonale të konviktit geriatrikë".

Ora 13:04
Autoritetet ukrainase: Anijet ruse bombarduan Mariupolin me armë të rënda

Mariupol u godit nga armë të rënda të qëlluara nga katër anije të Marinës Ruse. Kjo u bë me dije autorietet vendase përmes një njoftimi në Telegram. “Armiku vazhdon të shkatërrojë në mënyrë cinike qytetin ukrainas, duke përdorur të gjithë arsenalin e disponueshëm. Pas aeroplanëve, artilerisë, sistemeve të ndryshme dhe tankeve, pushtuesit rusë po shkatërrojnë qytetin me armë të rënda nga anijet luftarake”, nënvizon regjimenti Azov.

Ora 13:00
Ukraina: Sot hapim 7 korridore humanitare për evakuimin e civilëve

Zëvendëskryeministrja për riintegrimin e territoreve të pushtuara Iryna Vereshchuk tha në Telegram se deri më tani janë rënë dakord për 7 korridore humanitare. "Deri më tani janë rënë dakord 7 korridore humanitare," tha Vereshchuk. Korridori do të jetë nga qyteti i Mariupol në qytetin e Zaporizhia.

Ora 11:34
Kievi: Kemi shkatërruar regjimentin ajror të Rusisë

Zyrtarët e mbrojtjes së Ukrainës pretenduan se forcat e saj kanë shkatërruar plotësisht Regjimentin Ajror të Gardës Kostroma 331 të Rusisë.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, zyrtarët e Stafit të Përgjithshëm ukrainas thanë se ky regjimet ishte përfshirë në sulmet rreth kryeqytetit, Kiev, dhe vetëm një anëtar i njësisë ka shpëtuar pas ballafaqimit me forcat ukrainase.

Ditët e fundit u dha lajmi për vrasjen e komandantit të regjimentit elitar Sergei Sukharev. Regjimenti 331 kishte marrë pjesë në operacionin rus në Donbass në 2014 (në Ilovaisk), në luftën kundër Gjeorgjisë në 2008 dhe në të dyja luftërat në Çeçeni.

Ukraina po ashtu pretendoi se zyra e komandantit në qytetin rus, Belgorod po hetonte dhjetë ushtarë të brigadës 138, pasi ushtarët rusë u rebeluan pas humbjeve që pësuan në një ofensivë në qytetin lindor ukrainas Harkiv.

Ora 11:26
Pse Mariupoli është i rëndësishëm për Rusinë?

Të shtunën, autoritetet raportuan se ushtarët rusë kanë depërtuar thellë në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe ka pasur luftime në rrugët e këtij qyteti. Ndërkaq, të dielën, zyrtarët ukrainas thanë se një shkollë, që po strehonte 400 persona, është bombarduar nga Rusia.

Më poshtë mund të mësoni pse Rusia e konsideron të rëndësishëm këtë qytet-port në jug të Ukrainës?

Nëse Mariupoli bie nën kontrollin e trupave ruse, atëherë Rusia do të kishte nën kontroll një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve lindore ukrainase Donjeck dhe Luhansk, pjesë të së cilave i kontrollojnë separatistët e mbështetur nga Rusia.

Duke e lidhur Krimenë me Rusinë përmes rrugës tokësore që kalon nëpër këto rajone separatiste, kjo do t’ia bënte më të lehtë Rusisë që të lëvizte mallra, por edhe lëvizja e njerëzve do të ishte më e lehtë nga Krimea. Rusia ka dashur që ta arrijë këtë që nga viti 2014, kur konflikti në lindje të Ukrainës ka filluar.

Aktualisht, Gadishulli ukrainas i Krimesë – që është i aneksuar nga Moska që nga viti 2014 – lidhet me Rusinë përmes një ure të vetme, që është ndërtuar pas aneksimit të Gadishullit./REL

Ora 11:25
Bombardimet ruse, paktën pesë të vrarë në Kharkiv, mes tyre një 9-vjeçar

Autoritetet në qytetin lindor ukrainas të Kharkivit thanë se të paktën pesë civilë janë vrarë në granatimet e fundit të forcave ruse.

Policia rajonale në Kharkiv, që është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, tha se në mesin e viktimave nga sulmet me artileri ruse në orët e para të së dielës është edhe një djalë nëntëvjeçar.

Ora 11:21
Mbretëria e Bashkuar: Rusia do rrisë bombardimet në zonat urbane

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka deklaruar se forcat ruse po bombardojnë qytetet ukrainase “pa dallim” teksa avancimi i tyre ka ngecur në rajonet lindore të Ukrainës.

Në përditësimin ditor të informacioneve lidhur me luftën në Ukrainë, zyrtarët e mbrojtjes thanë se bombardimet e qyteteve kanë rezultuar “me shkatërrim të madh” dhe numër të madh të viktimave civile.

Mbretëria e Bashkuar tha se forcat ruse “po vazhdojnë të rrethojnë një numër qytetesh në lindje të Ukrainës”, por theksoi se trupat ruse kanë bërë “përparim të kufizuar” javën e fundit në synimin e tyre për të marrë nën kontroll këto qytete.

Zyrtarët paralajmëruan se forcat ruse me gjasë do të rrisin fuqinë e tyre të zjarrit s në zonat urbane, që veçse kanë shkaktuar dëme të mëdha në njerëz.

Ora 10:47
Zelensky kufizon aktivitetin e 11 partive pro-ruse

Duke cituar ligjin ushtarak aktualisht në fuqi në vend, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se aktiviteti i 11 partive politike ukrainase, disa prej të cilave do të kishin lidhje të drejtpërdrejta me Moskën, do të kufizohet dhe do të vihet nën kontroll.

Ndër partitë nën kontroll është Platforma e Opozitës - Për Jetën, një nga partitë kryesore pro-ruse e përfaqësuar në parlamentin e Kievit.

Kufizimet do të mbeten në fuqi për sa kohë të zgjasë ligji ushtarak.

Ora 10:45
Moska: Vramë 100 ushtarë ukrainas dhe mercenarë të huaj në një sulm

Një sulm rus në një bazë në rajonin Zhytomyr në Ukrainën qendrore vrau "mbi 100 ushtarë ukrainas dhe mercenarë të huaj", sipas Moskës.

"Një sulm me raketa ajër-tokë me precizion të lartë u krye në një qendër stërvitore të forcave speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës, ku ishin vendosur mercenarët e huaj në Ukrainë, pranë qytetit të populluar të Ovruch në rajonin Zhytomyr," tha zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes Igor Konashenkov.

Ora 10:02
Ministria ruse e Mbrojtjes: Kemi përdorur sërish raketa hipersonike në Ukrainë, shkatërruam një depo karburantesh

Rusia ka deklaruar se ka përdorur sërish në Ukrainë raketa hipersonike. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kanë shkatërruar një depo karburantesh në jug të Ukrainës.

“Sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Një ditë më parë Rusia për herë të parë e pranoi se ka përdorur raketa hipersonike gjatë një sulmi në perëndim të Ukrainës. Përdorimi i këtyre armëve më vonë u konfirmua edhe nga autoritetet ukrainase.

Çfarë është një raketë hipersonike?  Raketat hipersonike janë shumë më të shpejta se ato normale, duke i bërë ato shumë më të vështira për t’u përgjuar nga sistemet e mbrojtjes nga raketat. Koha më e shpejtë e lëshimit do të thotë gjithashtu se është më e vështirë për vendet të bëjnë një sulm parandalues. Këto raketa udhëtojnë 10 herë më shpejt se zëri, kanë një rreze veprimi prej 2000 kilometrash, mund të pajisen me ngarkesa bërthamore, janë jashtëzakonisht të vështira për t'u kapur dhe shumë "të manovrueshme".

Ora 09:54
Kryeministri i Australisë: Ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka bërë me dije se do të ofrojnë ndihmë ushtarake dhe humanitare shtesë për Ukrainën. Morrison bëri me dije se do të ndalojë të menjëherë eksportet ruse të aluminit dhe mineraleve të aluminit.

“Është e qartë se nevoja e Ukrainës për ndihmë ushtarake mbetet urgjente dhe do të vazhdojë”, tha zyra e Morrison përmes një deklarate për media.

Ndihma ushtarake përfshin 15.3 milionë dollarë amerikanë në ndihmë të mbrojtjes ushtarake për Forcat e Armatosura ukrainase, duke e sjellë në 66.3 milionë dollarë ndihmën ushtarake të ofruar nga Australia.

Qeveria australiane tha se do të dhurojë 21.8 milionë dollarë amerikanë ndihmë humanitare që do të përqendrohet në “mbrojtjen e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”.

Ora 09:50
Ukrainë/ 71 fëmijë janë evakuuar nga një jetimore në Sumi (VIDEO)

Shtatëdhjetenjë fëmijë nga një jetimore në verilindje të Ukrainës janë evakuuar pasi për dy javë me radhë ishin strehuar në një bodrum për shkak të granatimeve ruse.

Jetimët, shumica prej të cilëve janë me aftësi të kufizuara dhe që të gjithë nën moshën katërvjeçare, u shpëtuan nga jetimorja në Sumi dhe u larguan nga zona e luftës përmes një korridori humanitar, tha guvernatori rajonal i Sumit, Dmytro Zhyvytsky.

“Për pothuajse dy javë ne i kemi mbajtur këta fëmijë në strehimore të bombave”, tha ai përmes një postimi në Facebook.

“Këta fëmijë janë pa prindër dhe shumica prej tyre kanë nevojë për përkujdes të vazhdueshëm mjekësor”, shtoi Zhyvytsky.

Ai shtoi se kanë gjetur persona nga shtetet e tjera që janë treguar të gatshëm t’i strehojnë këta fëmijë, të cilët aktualisht gjenden nën përkujdesjen e specialistëve në një spital në Kiev./REL

Ora 08:09
Zyrtarët ukrainas: Rusia sulmoi një shkollë që strehonte 400 njerëz në Mariupol

Këshilli i qytetit të Mariupolit thotë se forcat ruse bombarduan një shkollë ku ishin strehuar 400 njerëz të shtunën.

Në një përditësim në Telegram, thuhet se ndërtesa është shkatërruar dhe njerëzit janë nën rrënoja. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit kishin qenë në shkollë, thanë zyrtarët.

Nuk ka ende informacione për viktima.

Ora 07:56
Marrin trajtim në spitalin pediatrik të Romës, Papa Françesku viziton fëmijët refugjatë ukrainas

Papa Françesku ka vizatuar fëmijët ukrainas, refugjatët të luftës, të cilët po trajtohen në një spital pediatrik në Romë.

Një nga fotot e publikuara nga Vatikani, tregon Papën duke biseduar me një vajzë me kokën e mbështjellë plotësisht me fashë.

Aktualisht, 19 fëmijë ukrainas po trajtohen në dy degë të Spitalit Bambino Gesu për kancer, për sëmundje neurologjike ose lëndime të rënda lufte, të shkaktuara nga shpërthimet, ndërsa që nga fillimi i luftës janë trajtuar rreth 50 fëmijë.

"Le të lutemi për ta... fëmijët në Bambino Gesu të plagosur nga lufta," tha Papa Françesku më herët të shtunën teksa iu drejtua një kori fëmijësh.

 

Ora 07:55
Rusia bllokon autokolonën me autobusë për evakuimin në Mariupol

Trupat ruse thuhet se ndaluan një autokolonë autobusi të nisur për në Mariupol për të evakuuar banorët, raporton Kyiv Independent.

Sipas këshillit të qytetit të Berdyansk, autokolona ishte rrugës për në qytet nga Zaporizhzhia për të marrë banorët e Mariupolit që po iknin, por u ndalua nga forcat pushtuese ruse pranë fshatit Azovske, tre kilometra larg Berdyansk. Kolona nuk u lejua të hynte në kufijtë e qytetit dhe shoferët nuk u lejuan të qëndronin gjatë natës.

Ora 07:53
Sirenat e alarmit për bombardime në të gjitha rajonet

Bombardimet në Donetsk

Sirenat e alarmit për bombardime janë aktivizuar pothuajse në të gjitha rajonet e Ukrainës, sipas raportimeve nga Kyiv Independent.

Përveç Kievit dhe Lvivit, rreziku i sulmeve ajrore ka filluar në rajonet e Odessa , Kharkiv, Zaporizhzhia, Sumy, Mykolaiv, Ternopil, Poltava, Kirovograd, Ivano-Frankivsk, Dnipropetrovsk, Rivne, Volinia, Cherkasy, Zhytomyr dhe Vinnytsia.

Ora 07:52
Kina: Po mbajmë qëndrimin e duhur, duhet braktisur mentaliteti i Luftës së Ftohtë

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha sot se "koha do të tregojë se pozicioni i Kinës është në anën e duhur të historisë" për luftën në Ukrainë.

“Kina do të vazhdojë të bëjë gjykimet e pavarur bazuar në themelin e çështjes dhe në një qëndrim objektiv e të drejtë. Ne kurrë nuk do të pranojmë asnjë shtrëngim dhe presion të jashtëm dhe gjithashtu kundërshtojmë çdo akuzë dhe dyshim të pabazë kundër "vendit tonë", u tha Wang Yi gazetarëve.

Wang tha se" Zgjidhja është të braktisësh mentalitetin e Luftës së Ftohtë, të përmbahet nga përfshirja në konfrontime grupore dhe të formohet me të vërtetë një zgjidhje e balancuar, efektive dhe e qëndrueshme e sigurisë rajonale. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet stabilitet afatgjatë në kontinentin evropian”.

Ora 07:49
Britania: Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase

Ministria e Mbrojtjes britanike ka deklaruar se Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase, që është një prej objektivave të saj primar.

Sipas inteligjencës britanike, Rusia “ka dështuar të marrë kontrollin e ajrit" dhe kryesisht po mbështetet në armët që lëshohen nga hapësira ruse.

“Marrja e kontrollit të hapësirës ajrore ishte një prej objektivave primar të Rusisë në ditët e para të konfliktit dhe dështimi i tyre i vazhdueshëm për ta arritur këtë ka ngadalësuar ndjeshëm progresin e tyre operacional”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Ora 07:47
Sulmet ruse në Mariupol, Zelensky: Akte terrori

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse ndaj Mariupolit janë “akte terrori” që do të “mbahen mend për shekuj me radhë”.

Përmes një video-mesazhi Zelensky tha se Mariupoli do të mbahet mend në histori si shembull i krimeve të luftës.

“T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”, tha ai.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Laert: 20/03/2022 22:27

    Të ngrejë, jo të ngre.

    Përgjigju
  • Beni: 20/03/2022 08:25

    Kina vertet beri gjene e duhur jua theu hindet arroganteve Amerikane te cilet mendojne se presionet do kene efekt por ja qe ka nga ata qe nuk e qethin fare nga nato . Kurse keta britaniket vazhdojne me propagande anti Ruse jo jane vrare 20 mije ushtare jo po i perze Ukraina etj etj kurse ne te vertete qytetet po dorezohen nje nga nje , tju coj dhe prova Rusia per laboratoret e armeve biologjike dhe pastaj dua te shikoj reagimin e ketyre kur ave qe i shkojne nga mbas amerikes !

    Përgjigju
    • Xxxx: 20/03/2022 22:40

      Demagogji e gjalle sic bene dhe ne irak e libi e pastaj si plehra e pranuan qe skishin pas prova po vec hamendsime...luftedashesit e pare ne bote jane Amerike angli..si dhe demagovet me te medhenj

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje

Sondazhi për Dibrën, garë e ngushtë mes PS dhe PD, bojkotohen partitë e vjetra të tjera! Të rejat shohin ngjitje