Kryeqyteti sirian, Damask u trondit këtë të djelë nga shpërthimet. Media shtetërore siriane tha se raketat izraelite kishin goditur një objekt kërkimor ushtarak në periferi të kryeqytetit. Shpërthimet ndodhën një ditë pasi Izraeli njoftoi se kishte kryer sulme për të shkatërruar një dërgesë me raketa që kishin si destinacion Hezbollahun në Liban. Pohimi i Izraelit ka zgjuar shqetësimin për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Zyrtarët izraelitë thanë në komentet për agjencitë e huaja të lajmeve se forcat ajrore kishin ndërmarrë një sulm në Siri, duke vënë në shenjestër një dërgesë me raketa të avancuara me destinacion grupin Hezbollah në Liban. Zyrtarët thanë se raketat kishin rreze veprimi që mund të arrinte në thellësi të Izraelit.

Udhëheqësit izraelitë kanë paralajmëruar vazhdimisht se nuk do të lejojnë transferimin e armëve të sofistikuara nga Siria tek grupet terroriste.

Goditja ajrore u ndërmor të premten, disa orë pas një takimi urgjent të Kabinetit të Sigurisë në Izrael. Sipas medias, avionët izraelitë mund të kenë sulmuar objekte siriane nga hapësira ajrore libaneze. Ministri i Jashtëm i Libanit reagoi me revoltim, duke paralajmëruar se sulmi po acaron më tej tensionet e ngritura në rajon.

Redaksia online
(ar.sh/b.sh/shqiptarja.com)