Forcat xhihadiste pro-turke kanë pushtuar Aleppon, një qytet i kontestuar për një kohë të gjatë gjatë luftës siriane, por që në tetë vitet e fundit ishte mbajtur fort nën kontrollin e forcave qeveritare të mbështetura nga Rusia dhe Irani. Aktualisht, ato po përparojnë drejt rajonit të Hama-s, në qendër të vendit.
Për herë të parë që nga viti 2016, rebelët pro-turq, kundërshtarë të regjimit të Al Assadit, kanë marrë kontrollin e aeroportit të Aleppos. Kjo ndodhi pasi negociuan tërheqjen e forcave kurdo-siriane të lidhura me PKK-në, të cilat kishin pushtuar aeroportin pas largimit të forcave iraniane dhe qeveritare. Presidenti Bashar Al Assad, në një bisedë telefonike me homologun e tij nga Emiratet, premtoi se do të mposhtte “terroristët” dhe do të mbronte integritetin territorial të vendit, pavarësisht nga madhësia e sulmeve. Ndërkohë, Rusia dënoi ofensivën e rebelëve, duke e cilësuar atë si “kërcënim për sovranitetin e Sirisë” dhe premtoi ndihmë për Damaskun brenda 72 orësh. Pavarësisht 23 sulmeve ajrore të kryera nga regjimi sirian dhe Rusia, ofensiva e rebelëve vazhdon. Që nga rifillimi i përleshjeve të mërkurën, janë raportuar rreth 300 të vdekur, përfshirë 20 civilë.
Ushtria e rregullt siriane konfirmon se grupi xhihadist HTS (Hayat Tahrir al-Sham) ka marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Aleppos dhe se forcat qeveritare janë tërhequr përkohësisht për të përgatitur një kundërofensivë. Ministria siriane e Mbrojtjes mohon tërheqjen e papritur nga Hama dhe aeroporti i saj, duke shtuar se ofensiva rebele është ndalur përkohësisht në qytetin Tayibet al Imam. Ndërkohë, ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, deklaroi se rebelët e mbështetur nga Turqia po përparojnë drejt jugut pa hasur rezistencë nga forcat siriane.
Grushti i shtetit në Damask
Sipas mediave turke, në Damask po zhvillohet një përpjekje për grusht shteti. Raportohet për shpërthime dhe përplasje në kryeqytetin sirian, të cilat besohet të jenë shkaktuar nga një pjesë e ushtrisë që ka braktisur regjimin. Gazeta turke Sabah raporton se televizioni shtetëror sirian ka ndërprerë transmetimet dhe vendndodhja e Bashar al Assadit dhe familjes së tij mbetet e panjohur, me zëra që sugjerojnë se mund të jetë larguar në Rusi. Kreu i qeverisë kalimtare siriane, Abdurrahman Mustafa, deklaroi se rebelët e Hayat Tahrir al Sham janë të përgatitur për të nisur një sulm nga tre fronte për të marrë nën kontroll qytetin Tal Rifat, në veri të Sirisë.
Inkursioni në Aleppo dhe largimi i civilëve
Sipas BBC-së, rebelët hynë në Aleppo pa shumë rezistencë, megjithëse disa banorë raportuan për përleshje të ashpra që i detyruan qytetarët të largoheshin ose të fshiheshin në shtëpitë e tyre. Rebelët kanë dislokuar forcat e sigurisë për të parandaluar plaçkitjet dhe aktet e dhunës. Konsullata iraniane deklaroi se ishte sulmuar nga “terroristët”, por nuk pati të plagosur.
Eliminimi i rebelëve dhe evakuimi
Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi se rreth 300 rebelë xhihadistë u vranë gjatë sulmeve ajrore. Forcat ruse, së bashku me ushtrinë siriane, kryen sulme me raketa dhe bombardime mbi pozicionet e rebelëve. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë filluar evakuimin e rreth 15 mijë personave nga Aleppo në Damask, përfshirë edhe disa shtetas italianë. Disa autobusë të OKB-së janë gati për të larguar njerëzit, ndërsa ambasada italiane në Damask po bashkëpunon ngushtë për të siguruar mbërritjen e tyre të sigurt. Pavarësisht situatës, peshkopët e të gjitha konfesioneve të krishtera në Aleppo vendosën të qëndrojnë me popullin e tyre.
Evakuimi
Kombet e Bashkuara kanë raportuar se rreth 15 mijë persona janë zhvendosur dhe kanë nisur një operacion evakuimi nga Aleppo drejt Damaskut. Një grup i parë automjetesh tashmë është nisur për t’u larguar nga qyteti, me disa shtetas italianë në bord. Disa autobusë të tjerë të OKB-së janë në pritje. Ambasada italiane në Damask (ku aktualisht ndodhet shefi i ri i misionit, Ravagnan), në bashkëpunim të ngushtë me Palazzo Chigi dhe Ministrinë e Jashtme italiane, është në kontakt me grupin dhe është gati të pranojë qytetarët italianë, shumica me shtetësi të dyfishtë. Pasi të mbërrijnë në Damask, do të vendoset nëse do të qëndrojnë në kryeqytet apo do të vijojnë me një zhvendosje tjetër. Peshkopët e të gjitha konfesioneve të krishtera në Aleppo kanë vendosur të mos largohen. “Sot vendosëm të qëndrojmë me popullin tonë,” deklaroi monsinjor Hanna Jallouf, peshkop i katolikëve latinë dhe françeskan.
“120 italianë në Aleppo”
“Po ndjek me kujdes zhvillimet në Siri, veçanërisht situatën në Aleppo. Ambasada italiane në Siri po u ofron ndihmë bashkatdhetarëve tanë,” tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani. Ai njoftoi se në Siri ndodhen rreth 300 italianë, prej të cilëve 120 janë në Aleppo.
Sipas ministrit Tajani, rreth 50 familje italo-siriane dhe disa pak klerikë italianë kanë vendosur të qëndrojnë. Ai siguroi se Ambasada italiane në Damask, në bashkëpunim me Njësinë e Krizave, po ndihmon qytetarët që duan të largohen nga Aleppo, në kuadër të evakuimit të organizuar nga OKB-ja. Megjithatë, ai theksoi se “nuk ka rrezik për bashkatdhetarët tanë,” pasi “rebelët kanë deklaruar qartë se nuk do të ndërmarrin veprime armiqësore ndaj civilëve, veçanërisht ndaj italianëve dhe të krishterëve.” Ai shtoi se nesër pritet të niset një autokolonë e OKB-së nga Aleppo drejt Damaskut, ku do të përfshihen edhe disa italianë, ndërsa shumë të tjerë kanë zgjedhur të qëndrojnë, kryesisht familje italo-siriane dhe klerikë. “Deri tani nuk ka pasur probleme për qytetarët tanë,” siguroi Tajani.
Kaos në Aleppo
Situata në Aleppo është e tensionuar dhe kaotike. Sipas dëshmive të mbledhura nga agjencia Reuters, mijëra automjete me civilë po largohen nga qyteti përmes rrugës kryesore në jugperëndim, e cila ende kontrollohet nga qeveria siriane. “Pas tri ditësh sulme, milicitë opozitare kanë marrë qytetin. Tani gjithçka është e qetë. Qyteti duket sikur është pezulluar në kohë. Askush nuk na jep asnjë informacion,” tha kryepeshkopi maronit i Aleppos, Joseph Tobji, për agjencinë Fides. “Për momentin nuk ka gjakderdhje, falë Zotit. Ushtria është larguar nga Aleppo dhe tani qyteti është në duart e opozitës. Kemi dëgjuar zëra për mbërritjen e trupave të ushtrisë siriane, por asgjë nuk është e sigurt. Jetojmë në pasiguri,” shtoi ai.
Bisedime telefonike mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë
Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Iranit shprehën “shqetësim të madh” për përshkallëzimin e dhunës në Siri, gjatë një bisede telefonike që pasoi sulmet e rebelëve xhihadistë. Sergei Lavrov dhe homologu i tij iranian ranë dakord për “nevojën për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për stabilizimin e situatës në Siri” dhe diskutuan urgjentisht për situatën në kuadër të formatit të Astanës.
Lavrov zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan. Turqia mban një qëndrim të kundërt me Rusinë në lidhje me konfliktin në Siri, por të dy ministrat ranë dakord për “nevojën e bashkëpunimit për të stabilizuar situatën,” duke theksuar rëndësinë e procesit të ndërmjetësimit të Astanës mes qeverisë dhe opozitës siriane, në të cilin marrin pjesë Rusia, Turqia dhe Irani, me Kombet e Bashkuara si vëzhguese.
Teherani: Ofensiva është në përputhje me interesat e Izraelit
Presidenti i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se ofensiva në Aleppo është në përputhje me objektivat e Izraelit në rajon. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një bisede telefonike me homologun e tij libanez, Nabih Berri.
Historia
Sfondi: Nga viti 2011 deri në 2016, vala e protestave pro-demokraci të njohura si «Pranvera Arabe» çoi në një luftë civile në Siri. Kundër regjimit të Bashar al-Assad u bashkuan shumë grupe rebele, përfshirë lëvizje xhihadiste dhe forca kurde. Rebelët, të mbështetur nga Turqia, arritën të pushtonin pjesë të mëdha të territorit sirian. Regjimi i Assadit, me mbështetjen e Iranit dhe Rusisë, reagoi me një shtypje të pamëshirshme. Kjo u reflektua veçanërisht në Aleppo, ku pamjet e shkatërrimit të shkaktuara nga ajo që Assad e quante «nëna e të gjitha betejave» tronditën opinionin publik ndërkombëtar.
Aleppo, i rrënuar nga regjimi mes viteve 2011 dhe 2016 përmes bombave fuçi – siç shkruan Marta Serafini në Corriere.it – nuk kishte parë luftime që prej vitit 2016, kur regjimi, i mbështetur nga aviacioni rus, e riktheu nën kontroll. «Nëna e të gjitha betejave», e quante Assad, ndërsa pamjet e njerëzve që prisnin për bukë ose të qenve që hanin trupat e pajetë në rrugë, qarkullonin në mbarë botën. Idlibi, një fortesë në jug, ishte e vetmja zonë që mbeti nën kontrollin e rebelëve, dhe prej aty kanë nisur sërish përplasjet e fundit. Pas vitit 2016, Aleppo ishte zhytur në harresë – deri dje.
Sipas shumë analistëve, rifillimi i armiqësive nga rebelët lidhet me dobësimin rajonal të mbështetësve kryesorë të Assadit: Hezbollahut dhe Iranit.
Bashar al-Assad
Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka deklaruar se vendi i tij është i aftë të “mposhtë terroristët” pas ofensivës së nisur nga rebelët në veriperëndim të Sirisë.
“Siria vazhdon të mbrojë stabilitetin dhe integritetin e saj territorial përballë të gjithë terroristëve dhe mbështetësve të tyre, dhe është e aftë, me ndihmën e aleatëve dhe miqve të saj, t’i mposhtë dhe t’i eliminojë, pavarësisht intensitetit të sulmeve të tyre,” tha Assad gjatë një telefonate me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ushtria siriane, e mbështetur nga forcat ajrore ruse, ka ndërmarrë një sulm kundër rebelëve xhihadistë. Lajmi raportohet nga Ministria e Mbrojtjes ruse, e cituar nga Tass.
Mediat siriane dhe ato pan-arabe raportojnë lajme - ende të pakonfirmuara për momentin - mbi përleshje në vazhdim në Damask midis fraksioneve rivale qeveritare, ndërsa qarkullojnë zëra për një grusht shteti të mundshëm në nivelet e larta të regjimit sirian të udhëhequr nga presidenti Bashar al-Assad.
Këto zëra janë raportuar, ndër të tjera, edhe nga CNN Türk. Burimet tregojnë për përleshje të armatosura në lagjen Kafr Suse midis Gardës Republikane dhe Divizionit të 4-të, dy njësi elitare të forcave të armatosura siriane. Divizioni i 4-të drejtohet nga vëllai më i vogël i Bashar al-Assad, Maher al-Assad, i cili konsiderohet shumë i afërt me Iranin.
Presidenti Assad - sipas disa raportimeve të pakonfirmuara - mund të jetë në Rusi.
Sky News Arabia thotë se grupi xhihadist Hayat Tahrir al-Sham dhe fraksionet aleate kanë shpallur shtetrrethim në Aleppo, në veri të Sirisë, nga ora 23:30 sipas kohës lokale (21:30 me orën e Shqipërisë) deri në orën 8 të mëngjesit të nesërm (6 me orën e Shqipërisë).
Grupi xhihadist dhe aleatët e tij kanë njoftuar gjithashtu se kanë marrë nën kontroll selinë e policisë dhe ndërtesën e qeverisë në Aleppo, në veri të Sirisë, sipas raportimeve të al-Jazeera.
Nga ana tjetër, mediat raportojnë se ushtria ruse raportoi se forcat e saj ajrore po bombardojnë forcat anti-qeveritare në Siri, në një operacion për të zmbrapsur “ekstremistët” dhe “terroristët” që kanë nisur një ofensivë të madhe kundër qytetit të Aleppos
Forcat ajrore ruse, së bashku me forcat qeveritare siriane, po vazhdojnë operacionin për të zmbrapsur sulmet terroriste në provincat e Aleppos dhe Idlibit, deklaroi në një konferencë për shtyp Oleg Ignasyuk, zëvendësdrejtori i Qendrës për Pajtimin e Palëve në Konflikt në Siri.
Ignasyuk shtoi se forcat ajrore ruse, që ofrojnë mbështetje për Sirinë, po kryejnë sulme me raketa dhe bomba kundër pajisjeve ushtarake, qendrave të komandës, magazinave dhe pozicioneve të artilerisë së militantëve.
“Në 24 orët e fundit janë vrarë të paktën 200 terroristë dhe operacioni për të zmbrapsur agresionin vazhdon,” tha përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Hamas ka publikuar këtë të shtunë një video të një pengu të mbajtur në në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023. Ky është Edan Alexander, 19 vjeç, një amerikan nga Neë Jersey i cili më shumë se një vit më parë ishte në detyrë në kufirin me Gazën për IDF.
Pas videos së publikuar nga grupi palestinez, kryeministri Benjamin Netanyahu foli nëpërmjet telefonit me familjen e 19-vjeçarit
Sipas kryeministrisë izraelite, Netanyahu gjatë telefonatës, i tha familjes se ai "ndjen vërtet ankthin që po kalojnë Edan, pengjet dhe familjet e tyre".
Kryeministri siguroi familjen "se Izraeli po punon me vendosmëri dhe në çdo mënyrë të mundshme" për të siguruar lirimin e pengjeve "të cilët janë në duart e armikut".
Aeroporti në Aleppo, Siri
Grupet xhihadiste dhe anti-qeveritare në Siri kanë marrë kontrollin e aeroportit civil të Aleppos, së bashku me qytetet kryesore në provincat Idlib dhe Hama, si pjesë e ofensivës që ka nisur që nga e mërkura.
"Hayat Tahrir al-Sham dhe fraksionet aleate "morën kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Aleppos" në periferi juglindore të qytetit pasi forcat qeveritare u tërhoqën" tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, duke shtuar se rebelët përparuan gjithashtu në provincat e Hama dhe Idlib, duke marrë kontrollin e "dhjetëra qyteteve strategjike pa asnjë rezistencë".
Forcat siriane janë tërhequr nga disa zona kyçe të Alepos, duke përfshirë edhe aeroportin civil, i cili tani është nën kontrollin e milicive kurde. Kështu raporton agjencia turke Anadolu, sipas së cilës xhihadistët e Hayat Tahrir al-Sham kanë kapur një bazë të rëndësishme ushtarake në jug, duke marrë nën kontroll Saraqib-in, një pikë strategjike përgjatë autostradës për në kryeqytetin Damask.
Lajmi në përditësim...
Tani i quani rebel keta xhihadista te isis Po kjo politica eshte qelbesir Dje i luftuan sot behen alet
Përgjigju