UASHINGTON - Komisioni i inspektorëve të OKB-së, duke iu referuar krizës në Siri, ka nënvizuar përgjegjësinë e regjimit sirian, në përdorim të strukturave mjekësore, në shërbim të ushtarëve.

Kjo akuzë bazohet në sulmet e bëra kundër spitaleve dhe personelit mjekësor, si edhe të transportit të mjekëve, duke mos lejuar kurat dhe duke keqtrajtuar të sëmurët dhe të plagosurit.

Sipas denoncimit të OKB-së, ky është një nga aspektet më alarmant të konfliktit sirian.

Pas vendimit të Bashar al Assad, për të dorëzuar armët kimike sipas planit rus, vazhdojnë takimet diplomatike, për të diskutuar për krizën siriane.

Ministri i jashtëm rus Serghei Lavrov pati një takim në Gjenevë me sekretarin e shtetit amerikan John Kerry ditën e enjte, ku diskutuan rreth planit rus për të çarmatosur Sirinë nga armët kimike si edhe rreth një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga ana e SHBA-së.

Gjithashtu, ditën e premte, ka nisur një takim i dytë, mes sekretarit të Shtetit Amerikan John Kerry, ministrit të jashtëm rus Serghei Lavrov dhe i dërguari i Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi.
 
Redaksia online
(Elvana Bilali/ac/shqiptarja.com)