"Ajo që ne po përjetojmë është një gjendje vdekjeje celebrale e NATO-s". Presidenti francez Emmanuel Macron përdori këtë shprehje të fortë për t'u rikthyer për të folur për krizën e hapur nga ndërhyrja e Turqisë kundër kurdëve në Siri.
Sipas Macron, shkëputja nga Siria e Presidentit amerikan Donald Trump dhe ofensiva ushtarake e Rexhep Tajip Erdogan, ka nxjerrë në pah përfundimisht kontradiktat e thella të Aleancës Atlantike të lindura shtatëdhjetë vjet më parë.
Presidenti francez, në një intervistë të gjatë me të përjavshmën ‘The Ekonomist’, i pyetur për artikullin 5 të paktit të Atlantikut i cili parashikon solidaritet midis vendeve anëtare nëse njëra prej tyre sulmohet, si shembull se çfarë do të ndodhë nëse Siria sulmon Turqinë, Macron tha se "Nëse regjimi i Bashar Asadit vendos t'i përgjigjet Turqisë, a do të angazhohemi? Kjo është një pyetje e vërtetë dhe e vështirë. Ne jemi të përkushtuar të luftojmë kundër ISIS. Paradoksi është se vendimi i Trump për tu tërhequr dhe ofensiva turke në Siri patën të njëjtin rezultat: sakrificën e partnerëve tanë që luftuan kundër ISIS".
Në funksion të samitit të NATO-s në fillim të dhjetorit në Londër, Macron bën thirrje për "sqarimin e qëllimeve strategjike" të Aleancës, duke theksuar se nga pala amerikane nuk ka "asnjë koordinim strategjik me partnerët", ndërsa një vend tjetër anëtar, Turqia bën "agresion" në një zonë "ku interesat tona janë në rrezik". Europa, paralajmëroi Macron, "do të zhduket" nëse nuk fillon të mendojë për veten e saj si një fuqi botërore.
Që kur u zgjodh president, Macron insiston në rëndësinë e promovimit të një mbrojtjeje europiane, dhe "autonomisë strategjike dhe kapacitetit ushtarak".
“Qasja e presidentit Trump është shumë e ndryshme”, -tha Macron,- SHBA e shohin rolin e tyre në NATO si një lloj ombrelle gjeostrategjike për Europën, por në këmbim të privilegjeve eskluzive tregtare. Ne duhet të blejmë vetë mallra amerikane. Franca nuk ka për ta nënshkruar këtë"