TIRANE -  Qeveria ka bërë gati koncesionin e radhës. Këtë herë bëhet fjalë për ngritjen e një sistemi elekronik për menaxhimin e  Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga një kompani private, por vetë TVSH-në do të vazhdojë ta mbledhë shteti. Në një takim jashtë kamerave me gazetarët, ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe zëvendësministrja Irena Beqiraj sqaruan se koncesioni do të jetë 10-vjeçar. Sipas tyre, është përgatitur tashmë tenderi për koncesionin dhe kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë pjesëmarrëse do të publikohen ditët e ardhshme nëpër mediat prestiogjoize botërore si, “Financial Times”.
 
Mësohet se kostot fillestare të koncesionit do të jenë 9.57 milionë euro ndërsa ato operacionale vjetore 8.2 milionë euro. Për këtë koncesion është vetëofruar pa kërkesë kompania MPOS, e cila sipas Ministrisë së Financave ka zhvilluar dhe menaxhuar koncesione të këtij lloji në Portugali dhe në Danimarkë. Kjo kompani muaj më parë propozoi marrjen me koncesion të këtij shërbimi, por nuk u mor parasysh nga qeveria jonë. 

Kontrata parashikon që Kompania koncesionare të instalojë dhe të menaxhojë për llogari të tatimeve një platformë elektronike, e cila do të bëjë të mundur pasqyrimin në kohë reale të çdo fature apo kuponi tatimor. Sipas ministrisë së Financave, kjo do të ulë evazionin duke evidentuar çdo faturë nën vlerë apo të pasaktë.

Sipas Ministrisë së Financave, në kushtet e tenderit është parashikuar që çdo kosto e ndërtimit dhe operimit të sistemit të merret përsipër nga kompania koncesionare. Sa për normën e fitimit, ajo do përcaktohet në bazë të një formule, sipas së cilës, kompania do të nxjerrë fitime vetëm nëse arrin të rrisë çdo vit me 11 % arkëtimin e TVSH-së së brendshme. /Report TV/