Situata e rendit dhe SHISH, Rama
në Kuvend: Reforma ka nisu

Situata e rendit dhe SHISH, Rama<br />në Kuvend: Reforma ka nisu
TIRANE - Debate të forta në Kuvend për situatën e rendit në vend. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se, opozita bën politikë me krimin ndërsa qeveria bën luftë me krimin. Sipas tij, së shpejti në Kuvend do të shqyrtohet reforma ligjore për rendin dhe do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministri Sali Berisha. “Nuk flisni për bandat por për opozitën. Bashkëkryetari i mazhorancës nuk flet për krimin por për opozitën. Nuk flet për bandat por për opozitën. Politikanët e djathtë të mërzitur urdhëruar valën e terrorit", tha Berisha.

Ndërsa kreu i Kuvendit kërkoi që të mos sulmohej policia për inate të ndryshme. "Të mos sulmojmë policinë për inat të Tahirit apo Ramës. Tritoli që kërcet na dëmton të gjithëve, si demokratë, socialistë, etj”, tha Meta.

Ndërsa gjatë paradites debati i nxehtë në seancën parlamentare ka nxjerrë në sipërfaqe atë që përflitej prej kohësh si plan i PD-së dhe liderit për të përdorur administratën për votën e 23 qershorit. Ministrja e Inovacionit, Milena Harito ka zbardhur e-mailin e Sali Berishës drejtuar administratës shtetërore një ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit ku Berisha kërkonte administratës që të votojnë për PD-në bashkë me familjarët e tyre. 

"Meqënëse ne i kemi në dorë të gjitha të dhënat zyrtare po ju lexoj një mesazh të këtij zotërisë parafolës shumë interesant, që e kemi gjetur në kompjuterat e tij. Mesazh tejet i rëndësishëm zotrinj ministra dhe titullarë të institucionit në varësi duhet të rifreskoni porositë për administratën tuaj nëpërmjet koordinatorëve në Tiranë për: 1-Dërgoni deri pasnesër në darkë(bëhet fjalë para 23 qershorit) votat e sigurta të çdo punonjësi tuaji. 

2-Tju kërkoni të votojnë bashkë me familjarët dhe personat që ata kanë marrë përsipër deri në orën 11:00.
3-Cdo vëzhgues në qendër votimi të pajiset me listën e administratës votues, koordinatorët që nuk janë komisionerë vëzhgues të jenë prezent tek shtabi i zonës gjatë ditës së votimit. Përshëndetje, Kryeministri Sali Berisha."- thuhej në mesazhin që lexoi Harito nga foltorja e Parlamentit.

Në replikë Berisha tha se ministrat nuk janë të autorizuar të marrin të dhëna nga serveri, por "edhe nëse e kishte bërë mesazhin e votimit atëherë bravo i qoftë Sali Berishës". Në këtë moment ndërhyri Meta duke i thënë "Mos u bëj kaq modest"

Në seancë pati edhe replika të ashpra edhe mes ministrit të Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me deputetin e PD-së, Sali Berisha, i cili ka akuzuar qeverinë Rama-Meta për rritje të kriminalitetit dhe pasigurisë në vend.

Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj akuzoi Berishën se ka sabotuar me vetëdije të plotë linjën energjetike me Kosovën. Duke e etiketuar "nacionalist 2 lekësh", dhe "kumbaro i Fazliç" Veliaj tha se  Berisha kishte komples që ishte dhëndër serbie.

Ministri Tahiri deklaroi se deri ditën e fundit të detyrës së tij të gjithë ata që guxojnë të nxisin kriminalitetin në vend nuk do e kalojë lehtë.

Kuvendi i cili punimet i zgjati për më shumë se  ka rrëzuar dy dekret e presidenti Bujar Nishani për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Po sot u mbajt dhe një interpelancë me ministrin Bushati në Parlament lidhur më çështjen “Radika”  kërkuar nga LI.

BUSHATI NE INTERPELANCE PER LUMIN RADIKA
 Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi  gjatë interplancës në Kuvend se nuk ka marrëveshje me qeverinë e Maqedonisë për çështjen Radika. “Kjo nuk është ende një çështje ndërshtetërore. Ne duhet të tregojmë dinjitet”, deklaroi ministri Bushati.
Sipas Bushatit, ka një projektide, e cila për t’u kthyer në një projekt të zbatueshëm, kërkon projekt fizibiliteti, pëlqyeshmërinë nga vendet që mund të preken, dhe financimin, për të cilin, theksoi Bushati, donatori që është Banka Botërore është shprehur se nuk është e gatshme të financojë një projekt që nuk ka pëlqimin e palëve.

ORA 22:03 KUVENDI RREZON DY DEKRETET E PRESIDENTI NISHANI
Kuvendi ka rrëzuar dy dekret e presidenti Bujar Nishani për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
 
Me 44 vota 77 kundër dhe 2 abstenime, deputetët kanë rrëzuar emërimin e Petrit Çenos si anëtar të Gjykatës së Lartë.  Ndërkaq me 39 pro 75 kundër, Kuvendi ka vendosur  që të rrëzojë edhe kandidaturën tjetër të propozuar nga Nishani për Gjykatën e Lartë, atë të Gjovalin Përnocajt.

ORA 19:00 META BERISHËS: BËHUNI BASHKËKRYETAR I KOMISONIT
Edhe kreu i Kuvendit i është përgjigjur menjëherë ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i kërkuar që të ishte bashkëkryetar i komisionit bipartizan për reformën territoriale.
“I them atij kryetarit të partisë që është në seli, që ju mund të jeni edhe bashkëkryetar i komisionit pasi ne kemi një ish-kryeministër të nderuar si Bashkim Fino dhe reforma do të shkonte deri në fund”, tha Meta.

ORA 18:55 BERISHA: NË VEND QË TË SULMONI KRIMIN, SULMONI OPOZITËN
Pas kreut të Kuvendit, e ka marrë fjalën menjëherë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se, qeveria në vend që të luftojë krimin hedh akuza ndaj opozitës.
 
“Bashkëkryetari i kësaj mazhorance vazhdoi me akuzat ndaj opozitës, që i trajtoi me akuzat armiqësore ndaj opozitës bashkëkryetari tjetër. Nuk ka diskutim që krimi është në një revansh të madh. Çfarë ndodh këtu. Bashkëkryetari i mazhorancës nuk flet për krimin por për opozitën. Nuk flet për bandat por për opozitën. Politikanët e djathtë të mërzitur urdhëruan valën e terrorit. Nuk të kujton kjo bombën në ambasadën sovjetike”, deklaroi Berisha.
 
Sipas tij, ftesa për dialog ajo është e llojit makbethian sepse ju brenda 2 muajsh keni shkatërruar konsensusin e arritur.
 
Ish-kryeministri ka folur edhe për shkarkimet nga administrata apo sulmet sipas tij që qeveria ka nisur ndaj institucioneve të pavarura. “35 punonjës të sigurimeve shoqërore në Gjirokastër janë shkarkuar për një ditë. Anila Shehu në drejtorinë e konvikteve ka shkarkuar brenda një dite 71 punonjës. Nuk mund ti kundërshtoni pasi ka përgatirur listën edhe për 100 të tjerë. Keni filluar një betejë ndaj Autoritet të Mediava Audivizive.  Për ne ka rëndësi që të funksionojë shteti ligjor, por nëse ju doni të shkoni drejt shtetit policor dhe ne do të përgatitemi t’ju përgjigjemi”, deklaroi Berisha.
 
Sipas tij, edhe ftesa për komisionin e reformës nuk ishte e sinqertë. “Ftesa juaj ishte shumë e pa sinqertë. Të gjithë komisionet bipartizanë të kësaj natyre kanë funksionuar me të drejtë vote dhe që mazhoranca të mos përdorë vota për të kaluar këtë reformë.
 
Konsensusi duhet të rivendoset dhe kjo bëhet pasi të bëhen korrigjimet e nevojshme, por ju nuk jeni të gatshëm që të bëni këtë gjë. Thuaji këtu bashkëkryetarit tënd që ka çuar një letër ndaj teje në kancelaritë europiane”.

ORA 18:35 META: MOS E SULMONI POLICINË PËR INAT TË RAMËS E TAHIRIT
Kreu i Kuvendit Ilir Meta e ka marrë fjalën si deputet në Kuvend, ku ka kërkuar nga opozita që të mos sulmohet Policia e Shtetit për inat të kryeministri Edi Rama dhe ministrit Sajmir Tahiri. Meta tha se, eksplozivët që shpërthejnë në rrugët e vendit cënojnë të gjithë qytetarët edhe ata demokratë edhe ata socialistë, etj.
 
"Dëgjuam shumë fjalë për tritolin dhe vetëm për tritolin e Milotit nuk u fol fare. Në një status në Facebook, thuhej se fajin e kishte qeveria Rama. Flitet shumë për Lazaratin. Por ai kanabis që kapet sot është mbjellur dje. Të mos sulmojmë policinë për inat të Tahirit apo Ramës. Tritoli që kërcet na dëmton të gjitëve, si demokratë, socialistë, etj”, tha Meta.
 
Kreu i Kuvendit ka kërkuar konsensusin e opozitës për të bërë reformën administrative dhe ka kërkuar nga opozita që të bëhet pjesë e komisionit bipartizan për këtë qëllim.
 
“Është koha për të bërë disa reforma. Është koha për një reformë territoriale që të gjithë qeveritë e kanë pasur përparësi por nuk është bërë. Kjo mazhorancë i ka votat por prej dy javësh është duke kërkuar konsensuin tuaj, si opozitë se nuk duam që ta bëjmë me votat tona. Është koha për të reflektuar dhe bashkëpunuar”.
Sipas tij, “kemi dëgjuar shumë fjalime këtu që nga kjo qeveri nuk morëm statusin në dhjetor. Nuk është koha që duke dëmtuar vendin, dëmtojmë Edi Ramën dhe Ilir Metë. Nga përvoja ime kam mësuar se nervozizmi është këshilltari më i gabuar në politikë e për këtë merreni me qetësi”, deklaroi Meta.
 
Gjithashtu Meta ka akuzuar deputetët e opozitës se janë duke hedhur akuza të pabaza për qeverinë Rama. “Na vjen keq që kolegu në fjalë nuk e di që gjatë kësaj periudhe sipas INSTAT-it ekonomia jonë ra me 2 % koleg i imi ishte Sali Berisha dhe disa prej kolegëve ishin ministra.

Dëgjova deputetët duke akuzuar se kushtet në shkolla janë skandaloze. Kur u bënë skandaloze këto kushte brenda 4 muajve, e u prishën kushtet e mrekullueshme të 8 viteve.
 
Po u gjet arka bosh dhe u mor një borxh. Është e vërtetë se deficiti buxhetor dhe borxhi janë legalizuar nga qeveria e re, pasi ajo njohur borxhet e papaguara nga qeveria e kaluar që janë ende një litar në fytin e kësaj qeverie.
 
Dëgjuam për lëvizjet në administratë. Çdo rast që nuk respekton ligjin, duhet që të dënohet drejtuesi i institucionit. Por kolegu nga Elbasani duhet të pranonte genocidin që ka bërë ai në qarkun e tij”, deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta gjatë fjalës së tij.

ORA 18:30 RAMA: SE SHPEJTI BYROJA KOMBETARE E HETIMIT
Së shpejti në Kuvend do të shqyrtohet reforma ligjore për rendin publik dhe do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Këtë bëri të ditur në Kuvend, gjatë fjalës së tij kryeministri Rama, ndërsa tha se “niveli i Shërbimit Intelgjent Shqiptar, jo vetëm SHISH-i, duhet ngritur në shkallë tjetër”, e për këtë “lipset reformë tërësore, që ka filluar siç ka filluar strategjia e re e Sigurimit Kombëtar”.

Duke iu drejtuar opozitës, Rama vërejti: “Në fakt ju bëni sikur vajtoni tërë bukuritë që i latë këtij vendi me përkushtim e ndërshmëri tetë vjet me rradhë. Është diçka tjetër që e vajtoni thellë, humbjen e pushtetit të korruptuar deri në palcë, të kontrollit mbi librat e shtetit dhe të çdo kompanie private, të çdo force policore që e bëtë një me forcën e krimit. Nuk e keni idenë sa ashik e tregoni këtë, kur flisni për serverin e tatimeve, madje duke kërkuar”, tha Rama, duke e quajtur serverin e të dhënave, “han elektronik pa dyer dhe dritare”.

“Lëre si ju duket në fytyrë, si ju ndjehet në fytyrë vuajta dhe sikleti. Duket sikur gjithë natën ruani të plasë diku tritoli e të dilni më vrap të kërcënoni jo krimin por policinë”.

Nuk i bëni thirrje kurrë policisë të zbardhë ngjarjen, por i kërkoni Ministrit të Brendshëm të japë dorëheqjen. Nuk është bërë as dy ditë pas operacionit të madh të policisë të zbulojë, ju prap sulm. Është zgjedhja juaj, mbase nuk keni zgjedhje tjetër me tërë ato gjynahet e shtetit tuaj që e kanë lënë pa gjumë plakun dhe mblodhën gjuhën”.
 
RAMA: TRASHËGUAM NJË POLICI TË DEGRADUAR
“Ne filluam të rindërtojmë, policinë e shtetit që e lidhët do e zgjidhim, do e lëshojmë përditë e më shumë fuqishëm ndaj kriminelevë dhe shkelësve të ligjit. Ne e dimë këtë më parë, me shifra sot, kur policia vetëm sa ka sur ta marrë veten, flasin qartë për këtë. Mjafton të bëjmë krahasimin mes katër muajve dhe të njëjtës periudhë të katër viteve më parë. Kanë ndodhur 34 vrasje në këto tre muaj nga 53 vrasje të të njëjtëve muaj një vit më parë. 50 përqind më pak vjedhje me armë me pasojë vdekjen”, vërejti Rama, duke folur me shifra.

Sipas tij, sot ka “Më pak vrasje dhe vdekje, më shumë aksion dhe veprim nga Policia e Shtetit”. “Shifrat e thonë, kujtesa e shqiptarëve që sado të përpiqeni nuk i budallepsni dot, e thotë këtë. Megjithatë, as jemi të kënaqur, as do të kënaqemi ndonjëherë deri ditën e fundit të qeverisë sonë.Ne do të kënaqemi vetëm nëse afrojmë shifrat e krimit në Shqipëri me ato në Europën që synojmë dhe jemi të bindur se do t’ia dalim”.

Ai foli edhe për kamerat e sigurisë, që tani hyjnë në një epokë të re. “Keni harxhuar miliona euro për kamera sigurie që nuk kanë punuar fare.Kemi harxhuar për të vendosur disa lloj kamera sigurie, të standardeve më të larta. Kemi trashëguar një polici të shkatërruar në linjën informative, të shkatërruar, sa keni zhdukur gjithë informatorët dhe vitet e fundit iu kanë larguar gjithë partnerët, se asnjë mundësi shkëmbnimi informacioni të sigurt nuk kishte, se më parë e merrnin informacionin krimninelët. Kemi trashëguar polici të korruoptyar, të paguar si mos më keq, të degraduar. Janë hedhur bazat e strukturimit të plotë. Ka marrë fund nënshtrimi politik, janë dyfishuar pagat për policët dhe ka filluar rimëkëmbja morale që polcia, jo vetëm të sekuestrojë sasira droge dhe të bëjë operacione si  i djeshmi. 

Janë kapur 15 përqind  më shumë kriminelë brenda vendit dhe 110 përqind më shumë nga të kërkuarit ndërkombëtarisht. Janë kapur 35 përqind më shumë në fushën e drogës,  59 përqind më shumë autorë trafiqesh dhe mbi 70 përqind më shumë për korrupsion. Ne kemi trashëguar policinë me moshëm më të lartë në Evropë dhe me nivelin më të ulët arsimor, ndaj e kemi të vështirë.

Sot ndjehet se keni përkeqësim të ndjeshëm sidomos në fytyrë. Aktet terrorizuese të goditjes me tritol janë për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se thjesht reagimi i policisë së shtetit. Siç thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut, R. Xhuliani,  ka të bëjë me kohën që i duhet rendit ligjor të organizohet siç është i organizuar krimi. Së shpejti në Kuvend do të shqyrtojmë reformën ligjore për rendin publik dhe do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit”.

ORA 17:50 MIMI KODHELI: ZYRTARET E LIDHUR ME KRIMIN, OPOZITA E SOTME
Pas fjalës së deputëve të PD-së, Mimi Kodheli u ka dhënë “përgjigje” gjithë akuzave të bëra.

“Do të dekonspiroheshin gjithë informacionet lidhur me krimin, trafikun e më shumë se kaq. Ju rikujtoj se, një vit më parë në raportin e Departamentit të Shtetit flitej për lidhjen e zyrtarëve të lartë me krimin. Një vit më parë, kjo qeveri që qeveris sot ishte akoma në opozitë. Faleminderit”, vërejti Kodheli.


ORA 17:35 ASTRIT PATOZI: VETEM NE SHQIPËRI SHTETI VJEDH TE DHENAT E VETA
"Po të kishim imituar PS-në në diskutimin e këtij projektligji do të ishim duke akuzuar Mimi Kodhelin, se Ministria e Mbrojtjes është dikasteri që merret me trafikimin e armëve. Për të qenë të vërtetë, pavarësisht se në këtë kuvend sinqerisht nuk është bërë ende zakon, kam ndër mend të dal pak nga tema. Është gabim i vogël përballë faktit që kemi një qeveri që ka dalë krejt nga tema”, kështu e filloi fjalën e tij në Kuvend, deputeti i PD-së, Astrit Patozi.

“Rama thotë se problemi kryesor që ka qeveria është estetika e doganave. Problemi kryesor i doganierit shqiptar nuk është dhoma ku fle, por trari që ulet e ngrihet”, - vijoi mes të tjerave Patozi. Ai përmendi edhe rastin e serverit të tatimeve, duke thënë se “Shqipëria është i vetmi vend në botë që vjedh të dhënat e veta”.

Patozi përmendi edhe deklaratat e Shkëlqim Canit, duke thënë se “Nuk jam i sigurt nëse i ka bërë me leje apo pa leje Shkëlqim Cani ato deklarata. Ky është shembull tipik që kjo është qeveri jashtë teme”. Ai vërejti se, "problemi kryesor sot në Shqipëri nuk është tregtia e armëve, por eksportimi i krimit".

“Meqënëse jemi te armët dhe ratifikimi i këtij traktati, Shqipëria sot e kësaj dite nuk cenon paqen edhe po të merret me tregti armësh.

Por jemi kërcënim serioz për shkak të eksportimit të krimit të organizuar, që këto pesë muaj po bën namin. Dje u provua që banda merret me krime të porositura edhe nga vendet fqinje. Tritoli po përdoret me dendurinë e fishekzjarreve për Vit të Ri”, - shënoi Patozi.

“E kam të vështirë të besoj suksesin e kësaj qeverie në përballje me mafien. Ky shtim i krimit në çdo cep të Shqipërisë nuk është vetëm problem policor. Është e vetmja qeveri që nuk ka reflektuar asnjë grimë entuziazmi. Rast unikal kur ministri i veprimit, se i tillë është Ministri i Brendshëm llap gjithë ditën, kurse ministrit të fjalës, pra Ministrit të Kulturës nuk i ndihet zëri i gojës”, - tha Patozi, duke shtuar se, sipas tij "gjendja në Shqipëri sot është njëlloj si në vitin ’97".

ORA 17:15 ARBEN IMAMI: VARFERIA KA SJELLE RRITJE TE KRIMINALITETIT
Në fjalën e tij, deputeti Arben Imami u shpreh se gjendja e keqe ekonomike, rritja e varfërisë, është ajo çfarë ka sjellë rritje të kriminalitetit në vend.

"Nuk jemi në gjendje emergjence dhe Shqipëria nuk ka pse të qeveriset në mënyrë emergjente. Emergjente është një gjendje mes gjendjes së anarkisë. Ky vend ka ecur para dhe ka stabilitet politik. Nuk është vend në gjendje të jashtëzakonshme. Po ç’ndodh? Vijnë akte normative sikur jemi në emergjencë", vërejti Imami.

Sipas tij, ka vetëm një rrugë për të dalë nga kjo gjendje: "masa të mbështetura në ligj, profesionalizëm, shembull i moskapjes nga krimi e kriminelët".

"Por është e qartë që kjo qeveri është e paafatë të reflektojë në këtë drejtim dhe perspektitvat nuk janë fort të ndritshme  Në këto 5 muaj mund të kenë ndodhur shumë më shumë se në 15 vjet. Asnjë qeveri nuk do të kishte mundur të bënte ç’ka bërë kjo qeveri së prapthi, gjë që dëshmon dilentalizëmn e paaftësi.

Është e mjaftueshme, nuk ka nevojë për fjalët, lapsuset. Mjafton rasti i armëve kimike, dështimi i një projekti global. Mos flasim për ekonominë, ku Ministri i Financave, një muaj pasi ka miratuar buxhetin thotë: na falni, se kemi gabuar. Këto muaj ka patur rritje taksash, rritje çmimi, ulje të ardhurash. Situata ekonomike ndikon në rritjen e kriminalitetit", vërejti deputeti Imami, duke përmendur heqjet e përgjithshme masive nga puna, si një tablo jo premtuese.

"Kemi 5 muaj qeverisje, a kemi bilanc? Për rritjen ekonomike dhe të punësimit, që ka qenë premtimi kryesor, çfarë është bërë? Asnjë qeveri nuk ka bërë atë që ka bërë kjo qeveri. Është dështim i madh në këto vite të historisë e demokracisë", vijoi ai.

ORA 13:10 SADRI ABAZI BERISHËS: VAJTIMORËT TË VAJTOJNË
“Prej 9 vitesh kam dëgjuar nga kjo gojë e pistë lloj lloj akuzash për mua e familjet e opozitës dhe vazhdon edhe sot si dje.
Dua t'i kujtoj traditat e hershme kur vajtimorët të vajtojnë do të thotë ke vdekur. 3 kutitë e fundit ishin ato të njësisë 9 ku unë jam banor dhe në kohën e hershme ka qenë edhe ai banor. Edhe këtu u ndërpre votimi se vajtimorët e vajtuan. Ato që thotë nuk e beson as vetë. E di mirë se ia fut kot por thotë le të them se besojnë”, tha deputeti Abazi.

ORA 13:00  BERISHA REPLIKON ME HARITO : NËSE E KAM SHKRUAR UNE MESAHZIN BRAVO ME QOFTE
Replikon Berisha ndaj ministres Harito: “Lidhja e gjakut ju bën të mbuloni kryekreun. Nëse e kam shkrojtur unë mesazhin e votimit them bravo i qoftë Sali Berishës”.
(Ndërhyn Meta: Jo kaq modest)

ORA 12:50 TAHIRI-BERISHËS: KI KURAJON TË FLASËSH PËR TRITOLIN NË SHTYLLËN E TENSIONIT TË LARTË.
"Ti mblidh replikat, siç yt bir mblidhte lekët, mblidh replikat siç kur ishe kryeministër rreshtoje të vrarët dhe ata që vriteshin për shkak të bizneseve të tyt biri, të familjes tënde, por bekuar qoftë dita kur shqiptarët treguan se kush je vërtet. Dhe ky që erdhi këtu deri para pak, ke qenë 20 e kusur vjet, llazore që vjen edhe në tryezën e parlamentit, llazore si kryeministër. Por mallkuar qoftë dita kur e harrove ç’të bënë shqiptarët në 23 qershor. Dhe unë, sa të jem këtu, bashkë me kolegët e mi do të ta kujtojmë!

Mallkuar qoftë dhe dita kur harrove, ose kur bëje sikur harroje emrin e baxhanakut tënd, këtu - kryeministër, ti që dije edhe sot bën sikur di mesazhe oficerësh policie, ç‘bën shteti, skutat, - ti nuk dije emrin e baxhanakut tënd! Madje nuk dije ku ishte Gërdeci! Mallkuar ajo ditë, kur si kryeministër dole këtu pa pikën e turpit dhe u the shqiptarëve “unë nuk e di madje që ekzistonte si fshat”! Dhe madje nuk dije që kishte një baxhanak që numëronte arkat atje, për llogari të djalit tënd.

Mallkuar qoftë ajo ditë kur nuk fole një fjalë pse badigardi i djalit tënd qëlloi me pistoletë një kamarier vetëm pse s’i ndërroi tavllën e duhanit! Dhe nuk u ndjeve, ti që sot ndihesh për krimin, kur krimin e kishe në familje; kur krimi rrotull familjes tënde bënte kasaphanë nëpër Tiranë. Dhe mallkuar qoftë ajo ditë kur nuk e pate pikën e turpit për t’i kërkuar falje qytetarëve shqiptarë se me taksat e tyre, në rraskapitje të paguanin rrogën dhe ndërkohë në kurrizin e tyre, ti zhvasje këtë vend!

Ke folur për të gjitha, ke folur për tritol, ke folur për eksploziv, për shpërthime; ke hyrë në familjet tona; nuk ke lënë gjë pa thënë – nuk ke guximin tani të ngresh as kokën të më shohësh në sy! E vetmja gjë që nuk ke folur, ishte pikënisja, tritoli te shtylla e tensionit të lartë, të kujtohet, se ke dijeni për to! Dhe ki kurajon të dalësh këtu të flasësh dhe për atë kujtohesh se ke dijeni ti. Në kohën kur bëje opozitë asokohe para 12-13 vjetësh, kur tritoli kërciste në shtyllat e tensionit të lartë. Kështu nisi dhe kësaj radhe në dhjetor e mban mend mjaft mirë, tritoli në shtyllën e tensionit të lartë, me mesazhet politike të qarta për të cilën sot nuk ke folur akoma, për të cilën askush nga ju sot s’ka folur akoma. Kjo që ka ndodhur dhe kjo që po ndodh ka një rritje artificiale, ka një fryrje të panatyrshme, lidhur me situata kriminale të theksuara që janë akte të pastra terroriste.

Po t’a dini fort mirë ju, deri ditën e fundit të detyrës time, dhe deri ditën e fundit të kësaj mazhorance, askush nga ju që guxon të nxisë, të frymëzojë kriminalitetin në këtë vend nuk do ta kalojë paq! Këtë t’a dini mirë, ky vend e ka hedhur njëherë e mirë pas krahëve lidhjen e pushtetit me krimin. Ky vend e ka hedhur njëherë e mirë pas krahëve lidhjen e shkurtër që bënte krimi dhe në polici, dhe në qeveri,  dhe në zyrën tënde, dhe në familjen tënde.

Ky vend mbi të gjitha, dhe Policia e Shtetit e ka hedhur njëherë e mirë pas krahëve korruptimin kriminal dhe sot ata që nxisin dhe frymëzojnë, mbase dhe në emrin tënd krimin në këtë vënd, deri dje ishin në zyrat e pushtetit. Prandaj u hap kutia e këtij lloj kriminaliteti që do të mbyllet shpejt, të jeni të sigurt për këtë! Por deri në atë ditë heshtni, deri në atë ditë bëni durim dhe lëreni Policinë e Shtetit të punojë siç duhet. Dhe deri në atë ditë, bekuar qoftë dita, kur do e kuptosh zotrote, se të ka ardhur fundi”, tha Tahiri.

VELIAJ- BERISHES : NACIONALIST DYLEKESH, BLLOKOVE LINJEN ENERGJETIKE ME KOSOVEN
Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj akuzoi Berishën se ka sabotuar me vetëdije të plotë linjën energjetike me Kosovën. Duke e etiketuar "nacionalist 2 lekësh", dhe "kumbaro i Fazliç" Veliaj tha se  Berisha kishte komples që ishte dhëndër serbie.

"Po e filloj nga fundi meqë e ke shumë merak këtë patriotizmin tënd 2-leksh. Meqë je kaq patriot pse nuk i jep llogari qytetarëve dhe të thuash që pse 8 vjet e sabotove me vetëdije të plotë linjën energjetike me Kosovën. Ti me KFV e sabotove. U bëre gazi i botës në Gjermani dhe njerëzit nuk shpjegonin dot si ka mundësi dikush të falë lekë që kombi të lidhet me energjinë dhe ti e sabotove, ti personalisht. Pse? Sepse gjermanët nuk jepnin dot thelën që ti merr zakonisht nga çdo deal që ke firmosur.

8 vjet i le pa drita dhe nuk ke turp këtu, nacionalist 2-leksh. Pse nuk e bëre? Kishe 8 vjet. Ngrije kokën. Pse nuk e bëre. Kishe 8 vjet. Rri si pulë aty. 8 vjet, të të vijë turp! Do të flasësh për patriot ti, do të flasësh ti kumbari i Fazliçit ti. Ankohesh ti për policinë? Po nga policia jote s'kishte kufij për Fazliçin.Ai na e bëri bashkimin kombëtar. Në çdo marrëveshje energjetike kishe Fazlliçin. Ju e dini fare mirë, vendin e menaxhonte Fazliçi, marreveshjet i bënte Fazliçi, sigurisht edhe Shkëlzeni.

Dhe të lutem, mos më fol mua për komplekse me Serbinë se i vetmi njeri që ke kompleks që je dhëndër serbie këtu je ti. Ti je i vetmi që ke kompleks këtu. Dashuria është e verbër, nuk hyj fare këtu. Por, po guxove u fute tek jeta e të tjerëve je i vetmi që e ke kompleks që je dhëdër serbie. More vesh apo jo? Në qoftë se shkoj në një aktivitet ku në lojra për të rinj që ju vetë jeni anëtarësuar si qeveri dhe që kjo qeveri menaxhon ato obligime në ato rrjete ku ju e keni futur Shqipërinë nuk shikoj asnjë gjë të keqe. Dhe në qoftë se ke gjëra konkrete për të bërë për patriotizmin unë të ftoj ti bësh.

Para një jave takova studentët e Berishës dhe thaNE: Erjon a duhet që të hiqen lejet e punës për studentët e Preshevës. Sepse Sali Berisha i konsideronte qytetarë serbë dhe u vinte kuota për lejet e punës. Ja ky patrioti. I hoqëm lejet e punës për qytetarët e Luginës së Preshevës, sepse një djalë i ri që ka lindur në Preshevë ose në Bujanovc, ose në Medvegj ku ti nuk ke vajtur kurrë se nuk ta mban të shkosh, ja pra ky je ti. I vije leje pune dhe i konsideroje qytetarë serbë. Nuk i lejoje të punonin në Shqipëri. Sot punojnë në Shqipëri pa limit. Nuk ka nevojë për leje pune sepse qeveria e hoqi. Tregon ti Kosovën, ku Pandi Majko bënte luftën në Kosovë dhe ti Kosova të dukej një metaforë. Ke qenë tek ky Parlament ku qeshje e zgërdhiheshe sei zgërdhihesh tani, kërkoje bojkot.

Dhe në qoftë se do të flasim për kontribute, kur unë kam qenë 18 vjeç pasi mbarova semestrin e parë isha për ti shërbyer qytetarëve të Kosovës në Peshkopi. 1 vit të tërë pas asaj kam qenë për të ndërtuar klinika në Xërx, në Gjakovë, Podujev, në Gjilan. Kur ne ndërtonimin klinika, zotrote fryje publikun që të dilte kundër qeverisë së asaj kohe. Ja ky lloj patrioti je ti. Në qoftë se do të flasësh për vendet e punës, kam të dhëna dhe për atë.

Të gjitha kompanitë ku kemi vajtur e kemi vizituar thanë, shyqyr që na erdhi një shtet tjetër, se shteti i Fazlliçit dhe i Shkëlzenit vinin këtu vetëm për të marrë copën e tyre. Kjo është ajo që e pengonte kompaninë në Pukë të hapte dhe 4 miniera të tjera se s'kishe marrë ti copën. Në qoftë se je ky lloj patrioti, dil këtu shpjego KFV-në, lejet e punës që i trajtoje si serbë qytetarët e Preshevës, shpjego Fazliçin, pastaj komplekset e tua si dhëndër serb shpjegoja kujt të duash se unë s'kam pikë interesi për këtë."

ORA 12:40 HARITO: BERISHA PRESIONE ME E-MAIL ADMINISTRATËS PËR VOTA
 Debati i nxehtë në Parlament nxorri në sipërfaqe atë që përflitej prej kohësh si plan i PD-së dhe liderit për të përdorur administratën për votën e 23 qershorit.
Deputetja e Partisë Socialiste Milena Harito, njëherësh ministre e Inovacionit ka akuzuar ish-kryeministrin Bersha nga foltorja e Kuvendit, duke thënë se para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit i ka bërë presione me e-mail administratës për votat. Harito tha se “Berisha i kërkonte administratës të identifikonin votat”.

"Përse ne që kemi në dorë serverin e Tatimeve, kemi nevojë të vjedhim të dhënat e tij. Nuk gjej dot asnjë mëndje të shëndoshë që të ma shpjegojë këtë gjë. Meqënëse ne i kemi në dorë të gjitha të dhënat zyrtare po ju lexoj një mesazh të këtij zotërisë parafolës shumë interesant, që e kemi gjetur në kompjuterat e tij. Mesazh tejet i rëndësishëm zotrinj ministra dhe titullarë të institucionit në varësi duhet të rifreskoni porositë për administratën tuaj nëpërmjet koordinatorëve në Tiranë për:
1-Dërgoni deri pasnesër në darkë(bëhet fjalë para 23 qershorit) votat e sigurta të çdo punonjësi tuaji. 
2-Tju kërkoni të votojnë bashkë me familjarët dhe personat që ata kanë marrë përsipër deri në orën 11:00.

3-Cdo vëzhgues në qendër votimi të pajiset me listën e administratës votues, koordinatorët që nuk janë komisionerë vëzhgues të jenë prezent tek shtabi i zonës gjatë ditës së votimit. Përshëndetje, Kryeministri Sali Berisha. 

Për ato përrallat e administratës t'ju them vetëm disa shifra se s'kam ndërmend të merrem me fantazira. 55 dorëheqje që nga shtatori deri tani. 3 masa disiplinore, 2 dalje në pension. Gjithsej 60 veta të larguar nga Shërbimi Civil. Kemi bërë 20% shkurtime në një administratë të tejfryrë me qoka elektorale. Meqënëse kemi bërë 20% shkurtime ka 270 veta sot në listë pritje, të cilët sipas ligjit mund të vijnë të punësohen me prioritet në vendet e hapura në administratë. Dhe ju ftoj të vini të shikoni konkurset personalisht secili nga ju, si organizohen konkurset e hapura".- tha  Harito.

BERISHA I PERGJIGJET HARITOS: JU MINISTRAT NUK JENI TE AUTORIZUAR TE MERRNI TE DHENA NGA SERVERI
"Për sa i përket pretendimit tuaj znj,Koleka, e cila bën avokatin e kushëririt këtu, jeni shumë shumë gabim. Ajo, ndërtesë aty ose diku afër, është backup I të gjitha të dhënave të shtetit. E nderuar zonjë ato mund të përdoren, vetëm e vetëm siç thotë ligji. Ka një ligj sekreti shtetëror në Shqipëri i cili autorizon presidentin dhe kryeministrin për deklasifikim, por jo për këto të dhëna.

Këto të dhëna duhet ta mësosh kanë kodin e tyre, s’mund t’i marrë ministri, jo çdo ministër, çdo deputeti, mund t’i vinë të dhëna për x apo y ka Prokurorinë e shteti që ja dorëzon por personalisht s’mund ti disponoj kurrë. Ky është rregulli. 

Po nëse e nxirni veten “omnipotente” është turpi ajo që them unë, ju keni konceptin e shtetit policor. Vetëm në shtetin policor një njeri është gjithcka, jo në shtetin tjetër janë të ndara. Kjo është, pastaj për të tjerat unë e kuptoj që lidhja e gjakut ju verbon ju, ju bën të mbroni jashtë çdo logjike krye kreun por të vërteta janë ato që them unë."- tha Berisha.


12:30 BERISHA SULMON TAHIRIN PËR SPORTISTIN NGA KOSOVA
Berisha akuzon ministrin e Brendshëm për përkahje të sportistit që sipas Berishës është shprehur se “kam dëshirë të loz me kokat e shqiptarëve”.
 
“Himnizues të kriminelëve të krimeve në Kosova, pinjolli i tij, vlerëson si legjendë sportistin që thoshte se kam dëshirë të loz me kokat e shqiptarëve. Edhe ti ministër i Brendshëm, si bastard e quan atë legjendë”, tha Berisha.

ORA 12:15 BERISHA: ËSHTË HEDHUR NË ERË SHTETI LIGJOR, U RRIT PASIGURIA
Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar qeverinë Rama-Meta për rritje të kriminalitetit dhe pasigurisë në vend. Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Berisha u ndal edhe tek prishja në ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare në Himarë.
 
"Shkon në Himarë, terrorizon një fshat të tërë. Sollën punësimet e bijëve të tyre ku i kanë e ku si kanë, e shkon në Laç, dhe në parime tërësisht klasore minon dhe shkatërron ndërtime me leje. Ky është një mekaniznëm, Shqipëria nën thumbën e krimit, e tritolit, e maskave që vjedhin dhe e trafiqeve. Çfarë bëtë me ardhjen në pushtet, kapitulluat shtetin, sot krimi është ulur këmbëkryr në çdo skaj të vendit”, tha Berisha.

ORA 12:00 BERISHA: KRIJIMI I VENDEVE TË PUNËS QELLIMI MË MADHOR
Duke u ndalur tek politikat e punësimit, Berisha tha se qeveria e sotme po dëmton këtë sektor, duke punësuar miliantë partiake, ndërsa theksoi se gjatë qeverisjes së PD punësimi ishtë prioritet madhor.
 
“Sot po debatohet mjerisht në një amulli të plotë një çështje themelore, për çdo qytetar të këtij vendi, një çështje që qëndronin në themel të lumturisë, të mirëqenies së tij, çështja e punësimit. Krijimi i vendeve të punës janë në distancë, por punuësimi është treguesi më thelbësor, më i sigurt, më besnik i përformancës së një ekonimie të tregut të lirë. Moskrijimi i vendeve të punës, e dëshmon atë të sëmurë. Në këtë kontekst, asnjë më të rëndësishme se punësimi nuk ka, për këtë vend dhe qytetarët, fakti që sot mazhoranca hesht dhe zbaton kodin e heshtjes, do të thotë se një urdhër të keq, ka marrë ajo nga Rama,
Për herë të parë pas 6 muajsh, Rama foli për krijimin e vendeve të punës në Banjë, ndërkohë me qëndrimet e politikat, e qeverisjen, shkatërrojmë si lubi mijëra vende pune. Krijimi i vendeve të punës ishte qëllimi ynë më madhor.
 
U bë gjithacka për një mjedis të favorshëm. Përsëri detyra ishte përmirësimi i kushteve. Çfarë ndodhi me premtimet antiglobaliste, fjala e vetme që u zhduk është punësimi. Piktori është analfabet në ekonomi, që i mbushet mendja që në nuk ka tjetër në ekonomi përvec atij. Ndërkoëhë duke vjellë vrer, ka shkatërruar pa mëshirë me dhjetëra vende pune. Tregu ka me dhjetëra dimonsione, por ai shikon vetëm një dimension, vrasjen e vendeve të punës, ju besoni tek tritoli, ai është sinonimi i shpirtit tuaj”, u shpreh Berisha.

ORA 11:10 TOPALLI: ËSHTË RRITUR PASIGURIA DHE KRIMI NË VEND
Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka akuzuar qeverinë Rama-Meta për përkeqësim të situatës së rendit dhe sigurisë në vend. Duke u ndalur tek niveli i borxhit dhe rritja e taksave, Topalli tha se qeveria Rama në kohë krize krizë, ka rritur numrin e ministrave.
 
“Vendi ka probleme, ndërsa kryeministri pasi e shndërriti me SHBA, sulmoi Holandën duke thënë se nxitën ekstremistët. Që është qeveria e paaftë ketë e dimë. I kuptoj ata socialistë që thonin se duhet t’i japim kohë. Ka plotë dashuri për tritol dhe asgjë nuk është bërë në 100 ditë veç kësaj. Vizionin nëse mund ta quash të tillë nuk ka asnjë lidhje me realitetin, por ai mund të pyesë cili është Rama. Ai që bojkotoi apo ai që me zë ka disa që pyesin cili je ti Rama. Ky zotëri po i shton çdo ditë qytetarëve krimin dhe pasigurinë.
 
Nuk di një vend që nuk është ende në recension, rrit taksat, rrit deficitin, nuk kam parë që në kohë krize të rritet numri i ministrave. Nuk kam parë një kryeministër më të errët se të etërve. Pasiguri, mashtrim, paranojë, vuajte dhe ankth për qytetarët, kjo është gjendja sot. Gjysma e 1 milionë votuesve janë padyshim të shqetësuar nga kjo. Jepi siguri shqiptarëve, se këtë e ke për detyre, jepi punës se e ke premtuar, jepi punë që të mos ikin në arrati për emigracion. Nuk kemi luksin që të ikin më”, tha Topalli.

ORA 10:50 NIS SEANCA E KUVENDIT, DISKUTOHET SIGURIA NE PUNE
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën parlamentare me diskutimin e projektligjit për “Sigurinë dhe shëndetin në punë”. Në fillim të seancës ka bërë betimin para Kuvendit deputeti Arben Ndoka, i cili e fitoi mandatin e PS në Lezhë pas dorëheqjes së Mirela Nelit. Në seancën e sotme pritet të disktuohen disa çështje të rëndësishme, si dhe një interplenacë në Parlament lidhur më çështjen “Radika”.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati pritet që të jetë sot në një interplenacë në Parlament lidhur më çështjen "Radika". Kërkesa për këtë interpelancë është dorëzuar në sekretariatin e Kuvendit nga shtatë deputetët të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndërkaq në seancën plenare të radhës pritet të diskutohen disa çështje të rëndësishme, ku veçohen, dekretet e Presidentit për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, të cilët u rrëzuan dy ditë më parë nga komisioni i Ligjeve me votat e deputetëve të maxhorancës.

Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe miratimi i përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë, pasi opozita ende nuk ka dhënë konsensus.

Sa i përket interpelancës me ministrin e Jashtëm lidhur me çështjen Radika, theksohet se ministri Bushati dhe homologu e tij maqedonas konfirmuan disa ditë më parë se ende nuk ka një projekt konkret për ngritjen e HEC-it në lumin Radika, ç`ka do të cënonte territorin ujor në kufi me Maqedoninë, banorët e Dibrës kanë kohë që janë ngritur në protesta.

Edhe vetë kreu i qeverisë, Edi Rama ka thënë se kjo çështje po përdoret politikisht nga opozita. Ndërkohë që sot priten të kërkohen nga mazhoranca edhe emrat e anëtarëve të opozitës për komisionin e Reformës Territoriale.


Redaksia Online
(e.s/sg/esh/v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City