Teksa disa vatra vijojnë të jenë, Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje për situatën e zjarreve nga veriu në jug.
Ministria e Mbrojtjes raporti sot në mënjgjes se është bërë e mundur shuarja e të gjitha vatrave të zjarrit në Gjirokastër. Por situata po mbahet nën monitorim. Por forcat operacionale po vijojnë për shuarjen e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Një pjesë e tyre ndodhen në fshatin Delisuf, ku është riaktivuar vatra e zjarrit. Gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri, njofton Mbrojtja.
Lidhur me zjarrin në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës, njoftohet se është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, te cilat po kontrollohen nga forcat në terren.
Zjarri në qyteti Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.
Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak e pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në bashkinë Dibër. Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll, thuhet në njoftimi e ministrisë .
Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat. Kurse në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i zi, njësia administrative Labinot Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:42
Zjarret/ Normalizohet situata në Shkodër, në Fushë Arrëz ende vatra aktive, s’ka rrezik në banesa! Digjen rreth 1.2 ha pyll
As Shkodra nuk u ka shpëtuar flakëve "përvëluese" të gushtit. Megjithatë situata me zjarret sot është normalizuar në zonën e Shllakut në Shkodër. Vatra e zjarrit në malin e Cukalit është izoluar. Ndërsa në Fushë Arrëz vatra e zjarrit vijon të jetë aktive por po punohet për izolimin e zjarrit. Fatmirësisht nuk ka rrezik në banesa, pasi zjarri është larg zonës së banuar.
Në Fushë Arrëz është përshkuar nga zjarri rreth 1.2 ha pyll pishe dhe shkurre. Vatra e zjarrit ne Cukal të Bashkisë së Vaut të Dejës është izoluar dhe kemi vetëm disa minivatra të vogla të cilat janë kontrolluar nga strukturat gjatë natës. Ndërsa vatrat në Culaj dhe Aliaj në Bajzë të Malësise së Madhe janë shuar plotësisht.