Moti i keq ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të qarkut të Lezhës, ndërsa më e goditura rezulton të jetë zona e Zhejës në Kurbin. Vërshimi i ujërave malorë ka përmbytur banesa dhe biznese, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Raportohet se edhe një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dëmtuar si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit.

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Mailinda Cara, ka deklaruar se mjetet dhe ekipet e bashkisë ndodhen aktualisht në terren për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.

“Reshjet kanë qenë me intensitet të lartë. Reshje të shumta në kohë shumë të shkurtër. Një ndër zonat problematike është në fshatin Zhej ku po bëjmë dhe ndërhyrje për shkak të prurjeve të menjëhershme të përrenjve nga malet. Në koordinim me bordin e kullimit në Lezhë, po ndërhyjmë dhe me mjetet e bashkisë. Problem kemi pasur argjinaturën e lumit Droji. Dhe atje kemi mjete që po ndërhyjmë. Këto janë pikat kryesore. E kemi nën monitorim gjithë situatën”, tha Majlinda Cara.

Ndërkohë banorët e zonës, fajsojnë kryetaren Cara për mospastrimin e kanaleve duke sjellë kështu dhe këtë nivel përmbytjesh me dëme të mëdha.

“Shihi si janë bërë makinat. Kanë hyrë 1 metër ujë brenda. Vetëm faji i bashkisë. Kjo 50 milionë merr me të një ramë lapsit dhe ka 30 vite që nuk e ka pastruar kanalin. Kryetarja thotë që kam dalë në lëvizje që në orën 7. Mjeti ka 10 minuta që ka ardhur, çfarë do bëjë mjeti pasi është përmbytur. Kryetarja e bashkisë nuk bën pastrimet e kanaleve.”

“Dëme kolosale. Uji 1 metër brenda në lokal. Kanalet vite pa pastruar. Çdo gjë ka ndodhur për 1 orë. I ka marr uji makinat përpara.”


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbyten 90 banesa në Bashkinë Kurbin, tërhiqet uji nga 48 shtëpi në Durrës! 5 familje të evakuara