Situata në Kakavijë/ Meta: Ka të bëjë me përgjegjësitë e paushtruara nga qeveria (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta ka bërë fajtore kryesore qeverinë për situatën e krijuar në Kakavijë. Ai e nis me një falje që u kërkon qytetarëve, teksa thekson se qeveria duhet t'u subvencionojë paratë për bërjen e testit. 

"Ditët e fundit të gjithë jemi tronditur nga situata e jashtëzakonshme humanitare që u krijua në Kakavijë, ku mijëra emigrantë dhe shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar, u lanë me ditë të tëra të braktisur dhe në kushte tejet të vështira. Kam qenë gjithmonë dhe vazhdoj të mbetem bashkëpunues me qeverinë, për t’u bërë pjesë e sensibilizimit e duke vepruar dhe apeluar vazhdimisht mbi përgjegjësinë që secili duhet të marrë për të kapërcyer së bashku, me sa më pak kosto, situatën e pandemisë COVID-19 në Shqipëri.

Situata e krijuar në Kakavijë ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptarendaj shtetasve të saj. Ashtu siç ka ndodhur shpeshherë, qeveria gjen justifikimet duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësia e saj parësore të marrë të gjitha masat dhe të kujdeset në kohën e duhur për për shtetasit e saj.

Çfarë informacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë atyre që udhëtojnë për në Greqi? Çfarë paralajmërimesh dhe parashikimesh në kohën e duhur ka bërë qeveria shqiptare? A ka patur ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme mbi kuotën e leje kalimit prej 700 personash në ditë? Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare dhe shtetin.

Radha të gjata ka patur edhe në situata normale pasi pika e kalimit në Kakavijë mban një ngarkesë mjaft të madhe në qarkullimin me shtetin fqinj, dhe tradicionalisht muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar,aq më tepër në kushtet e sivjetshme të jashtëzakonshme të pandemisë, ku kërkohej një trajtim krejt i veçantë, përmes informimit, parapërgatitjeve dhe planifikimeve në mënyrë që të parandalohej ajo që ndodhi dhe që i tronditi të gjithë. Radhët e gjata kilometrike të shqiptarëve në kufi, sidomos në kushtet e pandemisë janë të pajustifikuara nga autoritetet tona.

Një qeveri e përgjegjshme nuk  reagon pas krijimit të situatave të jashtëzakonshme, por ajo i parandalon situata të tilla që cenojnë jo vetëm integritetin dhe dinjitetin e shtetasve, por rrezikojnëedhe shëndetin e mijëra qytetarëve që kaluan ditë dhe netë të tëra në kushte të vështira. Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët para se të niseshin mbi kushtet e hyrjes në kufirin me vendin fqinj. As për tamponët në 72 orët e fundit, as për rezultatin e përkthyer në anglisht, dhe asnjë informacion tjetër nuk u dha.E për më tepër qeveria fajësoi edhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme sepse është vetëm papërgjegjshmëri. Duhet të freskojnë dhe të përcjellin në mënyrë të përditshme informacionin mbi lëvizjen jashtë kufijve dhe mbi të gjitha qeveria duhettë sigurojë tamponë falas për qytetarët tanë.

Një tampon prej 120-140 eurosh është i papërballueshëm nga një familje me disa pjesëtarë. Qeveria shqiptare duhet të subvencionojë tamponët dhe të marrë masa të menjëhershme që situata e krijuar në Kakavijë të mos përsëritet më në të ardhmen në asnjë pikë të kalimit të kufirit. Vendi ka nevojë sot, më shumë sesa kurrë për përgjegjshmëri dhe përkujdesje ndaj të gjithë shtetasve tanë. U kërkoj ndjesë si President i Republikës, të gjithë qytetarëve tanë, të cilët kaluan ato ditë dhe ato netë me sakrifica të jashtëzakonshme", tha Meta.


Lajmi kryesor:

Situata në Kakavijë/ Meta akuzon qeverinë: Nuk ushtroi përgjegjësitë e saja! Si çdo herë drejton gishtin përtej kufirit (i shmanget rolit të tij) /VIDEO


B.K./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, sot ishte i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, sot ishte i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen