Barrikada në rrugë e të shtëna armësh, tensionet prekin kulmin në Kosovë! Vuçiç kërcënon me futjen e ushtrisë serbe! Kurti: Përgjigjemi me gjithë forcën

KOSOVË-  Situata në veri të Kosovës duket më e tensionuar se kurrë pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç. Ka qenë vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ai që nëpërmjet një deklarate për shtyp e ka konsideruar si një veprim të pamatur dhe ka kërcënuar me vendosjen e ushtrisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu përgjigj “dhëmbë për dhëmbë” presidentit serb duke deklaruar se Kosova do të reagonte me gjithë forcën e saj. Ai kërkoi që BE dhe SHBA të dënojnë deklaratat e Vuçiç mbi kërcënimin se do të fute ushtrinë serbe në veri të Kosovës.

Ndërkohë, sot është u mor vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 4 komunat e veriut të Kosovës. Pas mbledhjes urgjente të organizuar nga presidentja, Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike, u vendos mbajtja e zgjedhjeve në 23 prill, pavarësisht se ishin përcaktuar për t’u mbajtur në 18 dhjetor të këtij viti.

Vendimi erdhi si pasojë e tensioneve të shtuara në veri të Kosovës ku serbët janë mbledhur në rrugët e qyteteve duke paralajmëruar trazira të mëtejshme. Presidentja, Vjosa Osmani bëri me dije se mbajtja e zgjedhjeve të pjesshme do të shtyhet deri në 23 prill të vitit tjetër. Nuk kanë munguar as reagimet nga opozita në Kosovë, ku në një deklaratë për shtyp, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka konsideruar si dështim të qeverisë shtyrjen e zgjedhjeve për në prill të vitit 2023. Bashkimi Europian dhe vendet e QUINT-it e kanë konsideruar si një vendim konstruktiv në shërbim të normalizimit të situatës në veri të vendit dhe arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Pak orë para se të vendosej shtyrja e zgjedhjeve, policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e ish policit serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohet si autor i sulmeve ndaj zyrave të KQZ-së dhe efektivëve në veri të vendit. Kjo ka sjellë reagimin e qytetarëve serbë të cilët si reagim kanë ngritur barrikada duke bllokuar të gjithë rrugët në veri të Kosovës.  

“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, ka shkruar ministri i Brendshëm i Kosovës sa i takon arrestimit të Dejan Pantiç.

Pas këtyre veprimeve të serbëve, policia e Kosovës ka njoftuar mbylljen e dy pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak. Kryeministri, Albin Kurti urdhëroi heqjen e menjëhershme të barrikadave në veri të vendit, ndërsa tha se mosreagimi i BE dhe SHBA ndaj veprimeve të Serbisë sillte nxitjen e tensioneve të mëtejshme. 

Thirrjet për qetësim të situatës nuk u reflektuan në veprimet e serbëve, të cilët në orët e mbrëmjes së sotme patën edhe një shkëmbim zjarri me policinë e Kosovës. Madje sulmet nuk janë kursyer as ndaj gazetarëve të Kosovës të cilët po raportonin në vendngjarje. Tensionet duket se kanë prekur kulmin që prej ditës së djeshme ku i plagosur në veri të Kosovës mbeti efektivi, Ekrem Neziri pasi u sulmua nga një grup personash të maskuar.

Konkretisht bllokime rrugësh ka në Rudarë, komunën e Zveçanit, si dhe në Leposaviç. Pas ngjarjeve të ndodhura, trupat e KFOR-it dhe EULEX-it kanë zbarkuar në veri të Kosovës për të bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të situatës së tensionuar.

Për këtë situatë të tensionuar ka reaguar edhe DASH ku ka bërë thirrje sërish ndaj Kosovës dhe Serbisë që të ulen në dialog dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.

“Përdorimi i eksplozivëve nuk është kurrë një metodë e pranueshme proteste dhe rrezikon jetën e njerëzve të pafajshëm. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që do të përshkallëzonte më tej tensionet”, tha zëdhënësi për VOA.

Aktualisht policia e Kosovës ka shtuar praninë e saj në veri të vendit, për të bërë të mundur ruajtjen e rendit dhe të sigurisë së qytetarëve. Ndaj deklaratave të Vuçiç për shtyrtimin e mundësisë për dërgimin e ushtarëve serbë në Kosovë, kanë reaguar ashpër kreerët më të lartë të vendit si edhe politikanët e opozitës në Shqipëri të cilët kanë bërë thirrje që të ndërmerren veprime për të ndaluar veprimet luftënxitëse të Serbisë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur në veri pasi përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës. Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:44
Kulmi i tensioneve në veri të Kosovës dhe kërcënimet e Vuçiç, Limaj: Faji i politikave aventureske! Ushtrinë çetnike serbe e kemi shporrur që në 1999

Kryetari i partisë ‘Nisma Socialdemokrate’ në Kosovë, Fatmir Limaj ka reaguar pas situatës së jashtëzakonshme të krijuar në veri të vendit pas shtyrjes së zgjedhjeve dhe sulmeve të grupeve serbe ndaj policisë vendase.

Ai ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti se janë futur në aventura politike duke e sfiduar shtetin dhe se tani po e dorëzojnë atë. Sa i takon kërcënimeve të Vuçiç për futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, Limaj tha se ajo ushtri ishte përzënë që në 1999. 

“Ky është rezultati i politikave aventuriste e populiste. ‘Kur bie në gjumë me fëmijë, në mëngjes zgjohesh i lagur’. (proverbë e njohur nga populli ynë)”, ka shkruar Limaj në Facebook.

“Dy fjalë për deklaratat e pasardhësit të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiç: Ushtria jote çetnike me gjak në duar është shporrur nga Kosova në vitin 1999, e si e tillë edhe do të mbetet e trajtohet nga Kosova tash e gjithmonë. Këtu kemi qenë, jemi e do të jemi ne!”-përfundon Limaj. 

Ora 21:48
Serbët nuk heqin dorë nga bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës, ngrejnë tenda pranë barrikadave

Ndërkohë që rrugët për në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara pas arrestimit të ish policit serb të dyshuar si autor i sulmeve ndaj policisë shqiptare, serbët kanë ngritur tenda në të cilat qëndrojnë në skaj të barrikadave.

Policia e Kosovës në anën tjetër ka bërë të ditur se janë sulmuar me armë zjarri afër Liqenit të Ujmanit. Shpërthime janë raportuar edhe në Lagjen e Boshnjakëve.

 

Ora 21:15
Vuçiç paralajmëroi futjen e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, Kurti: Kanë etje për gjak! Do t'u përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kërcënimeve të bëra nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç se do të kërkojë nga KFOR-i vendosjen e ushtrisë serbe në veri.

Kurti tha se çdo mosdënim i kërcënimeve të Serbisë nga SHBA dhe BE do të inkurajonte Serbinë për nxitjen e destabilizimit të mëtejshëm.

“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.

Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës). Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitoj”-shkruan Kurti.

Ora 20:40
VIDEOLAJM/ Serbët hedhin mjet shpërthyes drejt gazetares nga Kosova, pamje të frikshme

Është tensionuar frikshëm situata në veri të Kosovës orëve të fundit. Së fundmi janë gjuajtur mjete të ndryshme shpërthyese duke nisur nga fishekzjarrët, shok-bombat e deri te të shtënat me armë.

Media e Kosovës RTV Dukagjini ka publikuar një video teksa gazetarja e këtij televizioni po raportonte direkt, gjuhet me një mjet shpërthyes. Ajo largohet menjëherë nga vendi ku ndodhi shpërthimi.

Ora 20:24
Serbët dhe policia e Kosovës shkëmbejnë plumba në Zveçan

Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste, zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar me të shtëna armësh në afërsi të Ujmanit.

Sipas mediave të Kosovës bëhet me dije se në këtë situatë, edhe policët janë përgjigjur me të shtëna.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhet në njoftim.

“Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, bëhet e ditur më tutje.

Policia ka theksuar se nuk dihet nëse ka ndonjë të lënduar nga ky shkëmbim me armë zjarri.

“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”, përfundon komunikata.

Ora 20:17
Vuçiç paralajmëroi hyrjen e ushtrisë serbe në Kosovë, Haradinaj: SHBA dhe BE të reagojnë urgjentisht për të qetësuar situatën

1670680196_haradinaj5900x5001.jpg

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që ndërkombëtarët të ndërhyjnë për të bërë të mundur qetësimin e situatës në veri të Kosovës pas paralajmërimeve të bëra nga Aleksandër Vuçiç se do të kërkonte vendosjen e ushtrisë serbe.

“Shteti i Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri. Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t’i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare. Apeloj te BE dhe SHBA që të ndërhyjnë me qëllim të qetësimit të situatës në veri. Paqja është e paalternativë! Kosova dhe Serbia të ulen dhe ta arrijnë marrëveshjen e paqes për njohje të ndërsjellë”, tha Haradinaj.

Ora 19:56
Vuçiç bën deklaratën e fortë: Do i kërkojmë KFOR-it të vendosjen e trupave ushtarake serbe në Kosovë

1670343384_Screenshot1.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme duke deklaruar se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën për të çuar trupat ushtarake serbe në Kosovë.

“Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiç gjatë një konference për media.

Ai tha se e di që kjo kërkesë do të refuzohet.

“Por, është mirë që një ditë nuk do të thonë se nuk e kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë qeveri nuk guxoi të kërkonte” dislokimin e trupave në Kosovë, tha presidenti serb.

Ora 19:26
Vuçiç reagon pas arrestimit të ish policit serb në Kosovë: Një pamaturi! Ata që e kryen, kërcënuan paqen

1670342956_Screenshot1.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, nga autoritetet kosovare.

“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiç gjatë një konference për media.

Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiç, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Vuçiçit, serbët reaguan duke ngritur barrikada, pasi e kuptuan se "prisnin ditën kur dikush do të vinte për ta”.

“Pantiç është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviç dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiç.

Sipas Vuçiqit, Pantiç jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin.

Ora 19:16
FOTO/ Serbët bllokojnë rrugët në veri, me kamionët që i morën donacion nga BE-ja

Me dhjetëra kamionë e mjete të rënda, serbët në pjesën veriore kanë bllokuar rrugët që çojnë për në Jarinje e Bërnjak. Si pasojë, këto dy pika kufitare janë mbyllur përkohësisht nga Policia e Kosovës.

E duket se bllokadën e rrugëve në atë pjesë, serbët po e bëjnë me donacionet që i morën nga Bashkimi Evropian. Gazetarja e RTV Dukagjinit, Kaltrina Zymberi, ka publikuar në rrjete sociale fotografi ku shihet se në disa kamionë, është logoja e BE-së.

“Ironike: Me donacione te BE-se, serbet e Veriut barikadojne rruget ne Rudare”, ka shkruar ajo./ Nacionale

 

Ora 18:26
Tensionet në Veri të Kosovës, policia mbyll pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, si një masë paraprake e sigurisë. Kjo vjen pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, si të dyshuar për organizim sulmesh ndaj zyrtarëve të KQZ-së e Policisë së Kosovës.

Ora 17:12
Shtyrja e zgjedhjeve në veri të Kosovës, reagon BE dhe QUINT: Vendim konstruktiv, e vetmja rrugë për marrëveshje

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për shtyrjen e zgjedhjeve në katër komuna të veriut të vendit. Duke folur në emër të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimti Europian, ai e ka vlerësuar vendimin si konstruktiv pasi kontribuonte në arritjen e një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetar komunash në katër komunat veriore në këtë kohë”, ka shkruar Szunyog.

“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar shefi i BE-së në Kosovë.

Ora 17:11
Ministri i Brendshëm i Kosovës për ish policin serb të arrestuar: Ka kryer vepra terroriste në veri të vendit

1670346720_XhelalSveclakonferencefotoRidvanSlivova1e16309150514341200x6301.jpg

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje mbi arrestimin e ish policit serb, Dejan Pantiç për të cilin sot janë organizuar bllokime rrugës nga qytetarët serbë.

Nëpërmjet një postimi në facebook, Sveçla bën me dije se Pantiç kishte organizuar sulmin policor në zyrat e KQZ-së në veri të vendit dhe se akuzohej për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

“I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor”, shkroi ai në Facebook.

Ai tha se grupe ekstremiste, që kanë për qëllim parandalimin e vendosjes së drejtësisë, janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ora 17:00
Caktohet data e re për zgjedhjet e pjesshme në  Veri të Kosovës, procesi më 23 prill 2023

1670342696_Screenshot1.jpg

23 prilli i vitit të ardhshëm, është data e re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Vendimi sapo është marrë nga Presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë  politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.

Ora 16:42
Situata e rrezikshme, forcat e KFOR-it dh EULEX-it vendosen afër barrikadave në veri të Kosovës

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës ka bërë që forcat e KFOR-it dhe EULEX të vendosen në afërsi të barrikadave.

Siç raporton Kosovoonline pjesëtarët e kontingjentit polak të KFOR-it ndodhen 150 metra nga vendi ku janë ngritur barrikadat në Rudar. Ata thonë se dy xhipa janë të pranishëm dhe në ta ka ushtarë.

Ora 16:39
VIDEOLAJM/ Me qindra serbë mbushin rrugët, dalin pamjet e bllokimeve në veri të Kosovës

 

Në pamjet e siguruara shihen qartë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës ku me qindra serbë janë mbledhur në rrugët Leposaviçit, në Rudar afër Zveçanit dhe në Srbovac.

Sirenat e serbëve kanë rënë në gjatë pasdites së sotme, duke u bërë thirrje edhe mësuesve dhe mjekëve serbë t’u bashkohen në bllokimin e rrugëve. Tensionet që si duket u krijuan pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç, janë në kulmin e tyre duke shkaktuar edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale që do të mbaheshin në këto komuna në 18 dhjetor.

Ora 16:33
Shtyrja e zgjedhjeve në veri të Kosovës, Vlora Çitaku: Dështim i qeverisë! Nuk duhet të dorëzohemi para bandave kriminale

Nënkryetarja e PDK-së në Kosovë, Vlora Çitaku, ka folur para mediave, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, aty ku u caktua 23 prilli i vitit 2023 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, për më shumë se 4 muaj, Çitaku e ka quajtur dështim të Qeverisë.

“Nuk guxojmë të dorëzohemi para bandave kriminale. E kuptuam sot që institucionet e Kosovës nuk janë gati. Ky është dështim. Për hir të konsensusit në vend ne do të marrim pjesë në zgjedhjet e prillit dhe kërkojmë nga institucionet e Kosvoës që gjendjen në veri ta trajtojë seriozisht e jo me tastatura të facebookut" ka thënë Çitaku.

Ora 16:31
Osmani: Bandat kriminale në veri drejtohen nga Vuçiç, kërkojnë destabilizim të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se bandat në veri të Kosovës kishin si qëllim destabilizimin e vendit ndërsa shtoi se Kosova do dilte fitimtare edhe në këtë sfidë.

“Në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik Vucic nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Edhe në këtë sfidë do të dalim fitimtar”, ka thënë Osmani.

Ora 16:11
Situata e tensionuar në veri, e konfirmon Osmani: Kosova shtyn zgjedhjet e pjesshme në komunat serbe

1670685134_image62860x6001.png

Janë shtyrë zgjedhjet në veri për në prill të vitit 2023. Lajmi është dhënë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha kështu pas një takimi që pati me përfaqësuesit e partive politike.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.

Ora 16:04
Serbët mbushin rrugët në veri të Kosovës, u kërkohet edhe mjekëve dhe mësuesve të bojkotojnë punën

Në veri të Kosovës, në Rudarë, afër Zveçanit, tek vendi i njohur si “kryqi”, janë mbledhur serbët lokalë. Aty janë parë edhe burra të maskuar.

Radio Evropa e Lirë raporton se mes atyre që janë thirrur të dalin në rrugë janë edhe punëtorët e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë.

Në Rudarë janë vendosur katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës. Bllokimi i rrugëve vjen pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç.

Arsyeja e arrestimit të tij ende nuk dihet. Policia e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigje REL-it për këtë çështje.

Ora 16:02
Tensionet në veri kanë arritur kulmin, partitë politike në Kosovë vendosin shtyrjen e zgjedhjeve deri në këtë datë

Në takimin e presidentes, Vjosa Osmani me partitë politike mësohet të jetë vendosur shtyrja e zgjedhjeve në veri të Kosovës deri në datën 23 prill. Sipas Nacionale-s, fillimisht ishte propozuar që zgjedhjet të mbaheshin në 19 ose 26 mars. Ndërsa ministri, Nenad Rashiq propozoi që shtyrja e zgjedhjeve të bëhej për 6 muaj.

Ora 15:52
FOTOLAJM/ Ka njerëz me maska në barrikadat e serbëve në Veri të Kosovës! Ka ambulanca

Në Veri të Kosovës serbët kanë filluar të bllokojnë rrugët me barrikada por edhe janë mbledhur shumë njerëz në rrugë.  Serbët të indinjuar me arrestimin e një ish-polici serb kanë vendosur barrikada në Rudarë afër Zveçanit, Leposaviq e zona të tjerë. Në grumbullime janë parë edhe disa persona me maska afër barrikadave.

Ora 15:29
Tensionet në Veri të Kosovës, arrestohet një ish-polic serb


Lidhur me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, raportohet se policia ka arrestuar një ish-polic serb, Dejan Pantiq. Ai është arrestuar afër pikës kufitare në Jarinje.

Ora 15:23
Dëgjohen sirena në veri të Kosovës, ka bllokime rrugësh! Serbët mblidhen në Rudarë

Në Veri të Kosovës ka sërish tensione. REL shkruan se janë bllokuar rrugët në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq. Po ashtu, në Mitrovicën e Veriut dhe në Rudarë janë dëgjuar sirenat. Në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë.

Qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen në Rudarë.  Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra. Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.

Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë. Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviç, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.

 

Ora 14:37
Ftoi liderët e partive politike në takim, AAK refuzon ftesën e Vjosa Osmanit: Zgjedhjet duhet të shtyhen

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani ku do të diskutohet mbi tensionet në veri. AAK i tha Gazetës Nacioanle se nuk do të marrin pjesë pasi zgjedhjet në veri duhet të shtyhen.

“Qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri, që nga fillimi kur është hapur kjo temë, ka qenë që ato të shtyhen, sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre. Ky është qëndrimi jonë që e kemi bërë publik në shumë raste e deklarata, tash e sa kohë.”, i thanë nga AAK-ja Nacionales.

“Andaj, ashtu si nuk kemi marrë pjesë në takimin e mëhershëm me Presidenten, nuk e vlerësojmë as tash të marrim pjesë, dhe kërkojmë që Presidentja dhe partitë e tjera politike të reflektojnë e të bashkohen me qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë tutje Lulëzim Blaka, drejtor i Informimit i AAK-së.

Ora 12:16
Tensionet në veri, Osmani mbledh sot liderët e partive politike

Presidentja Vjosa Osmani pritet të zhvillojë ditën e sotme një takim me liderët e partive politike. Takimi do të fillojë rreth orës 14:30 dhe sigurisht fokusi i këtij takimi do të jetë situata në veri, si edhe diskutimi nëse do të krijohet një mundësi për të shtyrë zgjedhjet më 18 dhjetor.

Pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrje nga PDK dhe AAK. Natyrisht, aty pritet të shkojë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka një marrëdhënie më të afërt me Osmanin.

Në takim pritet të shkojë edhe Aleksandër Jabllanoviç, politikan serb, i cili raportohet në media se e ka ketë konfirmuar pjesëmarrjen.

Ora 12:07
Tensionet në veri të Kosovës, KQZ mblidhet sërish: Nuk është në kompetencën tonë shtyrja e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë u mblodh sërish ditën e sotme dhe tha se po vazhdojnë me përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Sipas tyre, nuk është në kompetencën e KQZ-së që të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve.

Në këtë mbledhje, e cila u mbajt më 10 dhjetor, u vendos që të shtyhet afati për nominimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve. Me 11 vota për dhe asnjë kundër u vendos që ky afat të shtyhet deri më 13 dhjetor. Sipas tyre, kjo shtyrje nuk ndikon në procesin zgjedhor.

Ora 11:52
Ministri i Jashtëm italian: Tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin në rajon

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin në rajon. Përmes një postimi në Twitter, ai njofton se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe u ka kërkuar atyre që të “shmangin veprimet e njëanshme”. Tajani shkruan se Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan.

“Tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë të rrezikojnë stabilitetin në rajon. I telefonova Presidentit. Vuçiq dhe kryeministri Kurti, duke u kërkuar që të shmangin veprimet e njëanshme. Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan. Le të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi ai.

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mala: 11/12/2022 10:02

    Hashim THaçi eshte i gjalle!Ai te ka treguar edhe ne kater e me shume sy, ne tavolin ne Bruksel se, ne lufte ne aleance me NATO-n te kam mundur bindshem, do te mundi edhe ketu, ne keto bisedime ne tavoline te Brukselit.

    Përgjigju
  • Iris: 11/12/2022 03:22

    S'mjaftojne konflikti Ukraine- Rusi,por tani dalin dhe budallenjte e Ballkanit me avazet e vjetra!Zgjedhjet u shtyne,por si ky veprim,si te tjerat qe jane ndermarre me pare per gjoja mos shtim tensioni e zgjidhje paqesore nuk kane zgjidhur asgje,pervec se kane cuar uje ne mullirin serb.Kosova nuk mund te kthehet ne nje Palestine ballkanase.Eshte turp qe z.R.Haradinaj po perpiqet t'a perdore kete konflikt per interesat politike te ngushta te partise se tij.Ne politiken e jashtme kosovaret duhet te jene te bashkuar.S.d.q ka ardhur koha per nderim taktike,ka ardhur koha t'i kapim serbet ne lojen e tyre te ndyre qe po bejne.

    Përgjigju
  • Turi: 10/12/2022 22:39

    Pervec se bisedimeve dhe zgjidhjeve paqesore te problemeve kurre nuk do te kete paqe ne Kosove , luftrat duhet tja len te shkuares dhe e ardhmja duhet te bazohet ne paqe dhe bashkepunim . Problemi eshte deri sa te ekzistojne disa elemente ne politike qe per hir te interiesit te tyre jane gati te shkaterrojne gjithcka duke nxitur luftra dhe urrejtje, do zoti zgjidhet paqesisht

    Përgjigju
  • Arber: 10/12/2022 19:26

    Me duket se politikanet driteshkurter shqiptare andej e ketej kufirit se kane kuptuar akoma lojen e Europes me Serbine per veriun e Kosoves.Ka disa vite qe i eshte premtuar Serbise ai territor sepse ne 20 vite liri politikanet tane e kishin mendjen vetem per korrupsion e sherre me njeri-tjetrin .

    Përgjigju
    • Arbërori: 10/12/2022 22:39

      TË lumt

    • Une: 10/12/2022 21:49

      Per fat te keq eshte e vertet kjo qe thua ,te jap te drejte.

  • UKU MOMLIT: 10/12/2022 15:53

    Ky ramushì hajduti injorant ka lene ndonje takim me ndonje te listesSerbe ne Mitrovice qe braktis kete takim te rendsishem per Kosoven??? YYYYYYT copë mishi.YYYYYYT hajdut,idjot,ordiner.

    Përgjigju
  • GOLI: 10/12/2022 13:41

    NE ATE KOHĒ ISHIM TE TILLET QE UÇPMB-ja TE GJALLEROTE DERI TEK MOLLA E KUQE..,E ÇNA QENKA TANI..,JA-TE KEQEN QE E KA SOT KOSOVA ESHTE PJELLE MENDIMTARVE KUNDER........VAJTJA E SHPERTHIMEVE TEK MOLLA E KUQE E ZGJEDH LEMSHIN.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI