Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar për situatën e fundit në veri të Kosovës duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin, të mbështesë Kosovën e të dënojë provokimet serbe.
"Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka ndjekur dhe trajtuar në vijimësi situatën në veri të Kosovës. Kemi shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërine dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, që po konfirmojnë dita ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse.
![]()
Në lidhje me zhvillimet e fundit, ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm. Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndërruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë.
Zbatimi i ligjit në të tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, çka e ka bërë atë shembullin që përmendëm më lart.
KASH vlerëson profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike, institucionale e kushtetuese, të realizuara së fundmi në veriun e vendit, për çka bashkësia ndërkombëtare shprehu mbështetje të plotë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen se qëndrueshmëria dhe zbatueshmëria e veprimeve më se të justifikuara të qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtim të qetësimit të situatës në veriun e vendit do të jenë të plota e eficiente nëse qeveria do të vijojë të jetë e angazhuar në një konsultim dhe koordinim të pandërprerë me miqtë e saj, me BE dhe SHBA.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij", thuhet në reagim.
Lajmi kryesor:
Zhvillimet në veri të Kosovës, Kurti pret të dërguarin gjerman në Prishtinë: Respektuam rregullat! Vuçiç: S’dorëzohemi! Javën tjetër takohem me Macron dhe Shcolz
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)