Situata nga moti i keq në vend, 20 familje të izoluara në Murqinë të Fushë-Krujës! 440 ha tokë e përmbytur në Lezhë dhe 300 në Shkodër

Reshjet e dendura të shiut përgjatë 2 ditëve të fundit kanë krijuar problematika në disa zona të vendit. Lezha, Shkodra dhe Fushë-Kruja mbeten zonat më të prekura. Si pasojë, raportohet për sipërfaqe tokash të përmbytura, ndërsa ka pasur dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative.

Në Fushë –Krujë, edhe pse reshjet kanë pushuar dhe niveli i lumit Ishëm ka rënë, në zonën e Murqinës vijon të ketë sipërfaqe të mëdha të përmbytura dhe vijojnë të jenë të izoluara rreth 20 familje. Kjo situatë krijohet nga kanalet e pa pastruara të cilat në vend ne që ta përcjellin ujin në lumë e kthejnë atë duke bërë që niveli i ujit mos të ulet.

Raportohet se qindra hektar tokë vijojnë te jenë nën ujë. Niveli i ujit nëpër ara është rreth 30 centimetra.

Në Lezhë raportohet për 440 hektarë tokë të përmbytur, konkretisht në fshatrat në Tresh, Balldren dhe në Gjonem. Në Mirditë, në afërsi të qytetit Rrëshen, forcat po punojnë për riparimin e një segmenti rruge, të dëmtuar nga prurjet e shumta të përroit të Zmejës, ndërsa në fshatin Lgjin, njësia administrative Orosh, fadromat e bashkisë janë duke punuar për pastrimin e rrugës.

Në Shkodër raportohet për rreth 300 ha tokë të përmbytur. Si pasojë e motit të keq ka mbetur pa energji elektrike pjesa më e madhe e Njësisë Administrative, Guri Zi.

Në Vlorë, pasi reshjet e dendura të shiut bënë që lumi Vjosa të dilte mbrëmjen e djeshme nga shtrati te Pazari i Mifolit, sot paraqitet situatë më e normalizuar.

Raportohet se niveli i ujit në urën e Mifolit është 5. 2 metra. Tendencat janë rënëse dhe nuk ka sipërfaqe nën ujë anës Vjosës. Lumi Vjosa është akoma në shtratin e saj .Ne urën e Memaliaj vijon rënia e nivelit në krahasim më dy orë më parë. Aktualisht në urën e Memaliaj niveli i ujit është nën 5 m.

Në Elbasan, reshjet e shiut kanë qenë të përhapura në të gjithë qarkun, me intensitet të lartë , por nuk kanë krijuar problematika. Raportohet se akset rrugore janë të hapura me ndonjë prezence sporadike të inerteve.

Furnizimi me energji ka qenë i plotë përveç Njësisë Administrative Polis, në bashkinë e Librazhdit, po ashtu dhe një njësinë administrative Stravaj të bashkisë Përrenjas.  Nuk rezultojnë përmbytje të banesave apo tokave bujqësore.

Në Gjirokastër, është mundësuar qarkullimi normal në fshatin Bogë, në njësinë administrative Shkrel, ku pati vërshim të përroit të Bogës. Po ashtu ndërhyrja në kohë normalizoi situatën që u krijua për shkak të prurjeve të përroit të Çullos në Gjirokastër si dhe në lagjen “Lenxat”, në Lazarat si pasojë e prurjeve të përroit të Sopotit.

Në Berat ka përmirësim të situatës, por ka ende problematika. Në zonë e Gjerbësit ka pasur rrëshqitje të gurëve dhe dherave dhe si pasojë ka bllokuar këtë njësi administrative.

Për të zhbllokuar situatën kanë shkuar mjetet e rrethit të Skraparit, të cilat po punojnë për të kthyer në të kalueshëm aksin rrugor Dëvri-Gjerbs. Ndërsa reshjet kanë fryrë përrenjtë e prurjet e tyre, kanë çuar lumenjtë drejt pikës së rrezikut, ku është dhënë alarmi për gatishmëri pasi në urën Pasarel Berat, uji ka kaluar parametrat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:20
Moti i keq shkakton probleme me furnizimin me energji elektrike, banorët e Levanit protestojnë para prefekturës në Fier! Kërkojnë zgjidhje

Moti i keq me reshje ka krijuar probleme në rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike në fshatin Boçove të njësisë administrative Levan, dhe kjo ka bërë që banorët e këtij fshati të dalin në protestë sot para Prefekturës së Fierit

Nuk janë vetëm banorët e këtij fshati që kanë ankesa kundrejt kësaj problematike, por ankesa kanë dhe banorët e 10 fshatrave të njësisë administrative Levan në Fier, të cilat vuajnë ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike

Situata behët veçanërisht problematike në stinën e dimrit, kur si pasojë e motit të keq ndërprerjet janë 24- orëshe. 

Përballë kësaj situate banoret e këtyre fshatrave kanë protestuar para Prefekturës Fier për t’i përcjellë këtij institucioni këtë problematike shumëvjeçare.

Pas takimit me Prefektin Lefter Shehaj, ata kanë marrë premtimin se problemi do të trajtohet. Ata janë shprehur mosbesues ndaj zgjidhjes se problemit teksa kane theksuar se nëse nuk do të ketë një zgjidhje konkrete do të vazhdojnë përshkallëzimet e protestave deri në bllokim rruge.

Ora 11:09
Situata nga moti i keq në vend, Emergjencat: Dëmtohet rruga në Mirditë nga dalja e përroit të Zmejës! Në fshatin Lgjin në Orosh po punohet për pastrimin e rrugës nga inertet

Ka përmirësim të situatës si pasojë e reshjeve të rëna gjatë 48 orëve të fundit. Njëkohësisht njoftohet se ka tërheqje të ujit në disa sipërfaqe në bashkinë Lezhë, Shkodër, Shijak, Krujë. Kjo bazuar në dhënat më të fundit të raportuara nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë, bëhet e ditur se në bashkinë Mirditë, në afërsi të qytetit Rrëshen, forcat po punojnë për riparimin e një segmenti rruge, të dëmtuar nga prurjet e shumta të përroit të Zmejës. Në fshatin Lgjin, njësia administrative Orosh, fadromat e bashkisë janë duke punuar për pastrimin e rrugës.

Raportohet se lumenjtë janë në kuotat e tyre normale, akset rrugore janë të qarkullueshme, ndërsa grupet e punës vazhdojnë në teren për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Ndërhyrja e menjëhershme nga strukturat përgjegjëse, si ato bashkiake, kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugëve apo OSHEE ka bërë që situata të normalizohej shpejt.

Është mundësuar qarkullimi normal në fshatin Bogë, në njësinë administrative Shkrel, ku pati vërshim të përroit të Bogës. Po ashtu ndërhyrja në kohë normalizoi situatën që u krijua për shkak të prurjeve të përroit të Çullos në Gjirokastër si dhe në lagjen “Lenxat”, në Lazarat si pasojë e prurjeve të përroit të Sopotit.

Normale paraqitet sot situata edhe në Durrës, Krujë, Vlorë, Fier, ndërsa nuk janë raportuar probleme nga qarqet e tjera të vendit, si pasojë e kushteve të motit.

Sipas të dhënave të Intitutit të Gjeoshkencës si dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti parashikohet i vranët me intervale të pakta e kthjellime, reshje shiu të herëpasherëshme me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonën e veriut dhe pjesërisht në zonën e qendrës reshjet hera – herës do të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në lartësitë mbi 800-900 në verilindje  dhe juglindje reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.

Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes është duke ndjekur me prioritet situatën, në bashkëpunim me autoritetet vendore, në mënyrë që të koordinohet puna për një ndërhyrje të menjëhershme në rast problematikash që mund të krijohen nga reshjet.

Ora 10:52
VIDEO/ Berati përfshihet nga reshjet e shiut! 'Fryhet' lumi Osum nga prurjet e përrenjve

Reshjet e shiut kanë përfshirë gjithë qarkun e Beratit duke iu afruar nivelit të rrezikut. Burime nga shtabi emergjencës pranë Prefekturës së Qarkut Beratit bëjnë me dije se situata është nën kontroll. Ndërsa në zonën e mali të Tomorrit ka rënë bora e parë, ndërsa nuk raportohet për problematika lidhur me qarkullimin e mjeteve.

Vetëm në zonë e Gjerbësit ka pasur rrëshqitje të gurëve dhe dherave dhe si pasojë ka bllokuar këtë njësi administrative.

Për të zhbllokuar situatën kanë shkuar mjetet e rrethit të Skraparit, të cilat po punojnë për të kthyer në të kalueshëm aksin rrugor Dëvri-Gjerbs. Ndërsa reshjet kanë fryrë përrenjtë e prurjet e tyre, kanë çuar lumenjtë drejt pikës së rrezikut, ku është dhënë alarmi për gatishmëri pasi në urën Pasarel Berat uji ka kaluar parametrat.

Ndërkohë nuk ka njoftime për përmbytje të tokave bujqësore. Mësohet se disa zona kanë pasur  ndërprerje të energjisë elektrike, si në zonat Skraparit ashtu edhe në zonat Kutalli Poshnje dhe Berat. Gjithsesi shtabi emergjencës është në gatishmëri për çdo të papritur. Situata mbetet nën kontroll.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Zimi: 14/12/2022 16:26

    Osumi ky është në ditët normale të dimrit dhe nuk ka prurje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja