Situata politike, ndërkombëtarët: 
Nuk ndërhyjmë,procesi demokratik

Situata politike, ndërkombëtarët: <br />Nuk ndërhyjmë,procesi demokratik
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe diplomatë ndërkombëtarë në Kosovë janë takuar në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane 2014. Të pyetur mbi zgjidhjen e krizës politike në Kosovë ndërkombëtarët janë shprehur se nuk do të ndërhyjnë në proçesin e formimit të institucioneve të reja.
 
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka udhëtuar me tren sëbashku me përfaqësues diplomatik ndërkombëtarë në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane 2014, me projektin “Hajde”, të lançuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada Britanike në Prishtinë. Qëllimi i këtij projekti është eksplorimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve.
 
Presidentja e Kosovës Jahjaga, para nisjes tha se Kosova ka një trashëgimi të madhe për t’ia treguar botës. 
 
“Sot po e pres me padurim këtë udhëtim me tren nga Prishtina për në Pejë dhe është një axhendë goxha e ngarkuar e vizitave nëpër monumente të shumta kulturore, që janë disa nga thesaret e Kosovës dhe unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që t’i shijojnë këto monumente kulturore që janë pasuri e shtetit tonë, e Republikës së Kosovë, sepse vendi ynë ka shumë çka për tu krenar dhe kemi shumë çka për t’i treguar botës”, tha Jahjaga. 
 
Edhe diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë janë shprehur entuziastë për vizitën e monumenteve të rëndësishme kulturore të Kosovës. Por të pyetur dhe mbi situatën e krizës politike në vend, ata kanë shprehur qëndrimin se nuk do të ndërhyjnë në krijimin e institucioneve të reja, pavarësisht se kanë kaluar me shumë se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. 
 
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zbogar tha se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të lëvizë drejt formimit të institucioneve.
 
 
“Besoj se Kosova do të lëvizë shpejtë sa i përket situatës politike, gjithçka ka të bëjë me një proces demokratik. Do të shohim se çfarë do të ndodhë javën tjetër, ne nuk kemi ndërhyrë, nuk duam të ndërhyjmë dhe Kosovës nuk i nevojitet ndërhyrja jonë”, - u shpreh Zhbogar.
 
Ndërhyrjen për të formuar institucionet nuk do ta bëjnë as ambasadorët e akredituar në Kosovë, ku Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, tha se faktori ndërkombëtar, dhe vet ai, janë duke e vëzhguar situatën nga afër, por megjithatë nuk do të ndërhyjnë. 
 
“Ne nuk do të përfshihemi në këtë proces. Sa i përket Britanisë së Madhe, ne e kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial, por nuk është detyra jonë të themi se kush do të jetë kryeministër e kush kryetar Kuvendi. Këto gjëra i përkasin politikanëve kosovar për t’i zgjedhur”, u shpreh Cliff. 
 
Deri më tani diplomatët ndërkombëtarë nuk kanë dhënë shenja ndërhyrje në zgjidhjen e krizës politike, duke ua lënë krejtësisht në dorë politikanëve vendor që ta zgjidhin atë. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje