Skënder Hyseni: Arbitrazh për
marrëveshjen Kosovë-Serbi

Skënder Hyseni: Arbitrazh për <br />marrëveshjen Kosovë-Serbi
Historikisht shqiptarët e Kosovës dhe serbët nuk kanë rënë dakort për Kosovën dhe çdo herë ishte Beogradi, që nuk e respektonte procesin negociator që solli një zgjidhje të mundshme, vlerësojnë opozitarët.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se Brukseli mund të jetë vendi ku do të arrihet marrëveshja e mundshme Prishtinë-Beograd, por nga ajo që është thënë publikisht deri më tani, pak ka shpresë se gjërat do të shkojnë mbarë.

Andaj, sipas Hysenit, bashkësia ndërkombëtare bazuar në përvojat e kaluara, duhet të mendojë që të caktojë një mekanizëm referimi se kush po e respekton marrëveshjen, e kush jo.

“Unë pres që krejt në fund, ky dialog të rezultojë me fillimin e një komunikimi të vështirë, por normal, mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane".

"Nëse ky do të jetë rezultati përfundimtar, atëherë ne duhet të shpresojmë se për herë të parë, në historinë e këtyre dy shteteve, do të krijohet një mundësi e vogël, një dritare e mundësive, që Kosova dhe Serbia të vendosin premisa fondamentale për një paqe të qëndrueshme. Kjo paqe, duhet patjetër të përmbyllet me një traktat paqeje, të nënshkruar, të ratifikuar nga parlamentet përkatëse, dhe me instrument adekuat ndërkombëtar të arbitrimit, sa i përket implementimit”, tha Hyseni.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i bëri këto komente në një tryezë diskutimi me temën e dialogut Kosovë-Serbi, dhe atë se çka do të ndodhë pas 2 prillit, ditën kur kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, pritet të ulen prapë në tavolinën negociatore në Bruksel.

Doza e optimizmit e ish-ministrit të Jashtëm kosovar, nuk është se përputhet me qëndrimin që ka Vetëvendosja për negociatat.

Nënkryetari i lëvizjes, Shpend Ahmeti, tha se përderisa bashkësia ndërkombëtare mendon se arritja e një marrëveshjeje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nuk është larg, për shkak të këtij procesi, situata mes dy komuniteteve, paraqitet të jetë jashtëzakonisht e tensionuar.

​​“Përvoja ime në terren, qoftë edhe me komunitetin serb por edhe shqiptar, është se momentalisht niveli i mosbesimit të dy palëve, në aspektin e nacionalitetit, nuk ka qenë, pothuajse më i madh në 12-13 vitet e fundit, prej që e kemi këtë situatën e pasluftës”.

“Një situatë jashtëzakonisht e tensionuar, një mosbesim i shqiptarëve drejtuar ndaj serbëve, por edhe serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë , që atje (në Bruksel) në dukje të jashtme, duket se me të vërtetë do të ketë njëfarë marrëveshje historike”, theksoi Ahmeti.

Diskutimi gjatë kësaj tryeze, u tha të jetë i nevojshëm meqë sipas panelistëve, procesi i dialogut politik Prishtinë-Beograd është shumë i mbyllur për opinionin.

Publicisti Agron Bajrami, i cili edhe ka hartuar një analizë të politikave për procesin e dialogut, tha se bllokada e informacioneve i ka bërë më të vështirë punën.

Sipas tij, gjatë bisedave që ka zhvilluar me diplomatë për dialogun, ka zbuluar se një pjesë e madhe e zyrtarëve brenda Bashkimit Evropian, nuk e dinë se çka po ngjan në këtë proces, ose i kanë informatat shumë të kufizuara, pasi, siç tha ai, procesi është mbajtur i mbyllur nga zyra e baroneshës Ashton dhe palëve në dialog.

“Së paku në përvojën time, ky është procesi më jo-transparent politik në Kosovë, apo rreth Kosovës”, u shpreh Bajrami.

Debati në këtë forum, që organizoi Grupi për Studime Juridike dhe Politike, parashihte praninë edhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Samuel Zbogar, dhe këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, Petrit Çollaku. Por, asnjëri nuk është paraqitur aty.

Marrë nga Evropa e Lirë
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës