TIRANE- Dje rreth orës 11: 25 minuta disa ish të burgosur politikë të cilët ishin vendosur pranë selisë së tyre, para parlamentit, janë shtyrë dhe janë marrë me forcë në makinat e policisë. Ish të burgosurit politikë janë pjesëmarrës dhe në grevën e urisë e cila u mbyll pak ditë më parë. Ata janë shoqëruar forcërisht nga policia kanë qëndruar thuajse 6 orë në komisariat dhe pas daljes nga komisariati, Skënder Tufa ka dhënë një intervistë për Shqiptarja.com duke dëshmuar atë që ka ndodhur.

Zoti Tufa çfarë ka ndodhur paraditen e sotme(djeshme) mes jush dhe policisë?

Ka patur dy episode pak para se të mbërrinte në Tiranë Sekretarja e Jashtme Amerikane Hilari Klinton. Episodi i parë ka ndodhur te dera e institucionit tonë e cila ndodhet përballë parlamentit ku ne ish të përndjekurit politikë ishim mbledhur për të përshëndetur dhe për të shprehur kënaqësinë dhe mirëseardhjen tonë ndaj zonjës Hillari Klinton. Porsa u mblodhëm te dera e shoqatës erdhën disa policë që na thanë se kishim shkelur masat e sigurisë dhe duhej të mos qëndronim aty. Kemi ndryshuar vendndodhjen dhe kemi marrë drejtimin për nga "Lulishte 1 Maji" dhe me të mbërritur te stacioni i autobusëve pranë urës te rruga e Elbasanit papritur kanë ardhur dy furgona policie dhe dy makina civile të mbushra me policë dhe na kanë rrethuar. Më pas dikush ka marrë urdhër me radiomars dhe na shoqëruan forcërisht për në komisariat.

Sa vetë jeni shoqëruar në total?

Jemi shoqëruar 16 vetë në total. Mes tyre ishin 10 grevistë, më konkretisht Yylli Gjonçe, Llazi Kociu, Petrit Hyrjeti, Petrit Muka, Besim Valteri, Gazmend Hamiti, Skënder Tufa, Afrim Bituku, Agim Kollçaku, Guxim Kullolli. U shoqëruan dhe dy gra dhe dy një burrë që janë antarë të shoqatës dhe një burrë i moshuar kalimtar i rastësishëm për të cilin më erdhi shumë keq.

Po të moshuarin pse e shoqëruan?

Ai është 82 vjeç, emri s'më kujtohet tani se nuk e njihja fare po e kanë ata të policisë me siguri. Atë e shoqëruan kot fare, ai i ziu po kalonte në momentin kur neve po na merrnin me furgon dhe u tha policëve, po ç'keni me këta njerëz lërini të qetë se nuk i bëjnë dëm kujt. Pa i thënë asnjë fjalë tjetër një nga shefat e policëve tha: "E dua në furgon dhe xhajen" dhe e morën forcërisht edhe atë.

Kishit banderola me vete ju?

Po kishim dy banderola .

Çfarë shkruhej te banderolat?

Te njëra nga banderolat shkruhej në gjuhën angleze "Miresevjen në Shqipëri zonja Klinton, mike e shqiptarëve. Shqipërinë e sundon Diktatura". Ndërsa te banderola tjetër kishim vetëm dy fotografi, kishim një fotografi të Berishës dhe pranë saj ishte një foto e Stalinit. Mes hapësirës së dy fotografive të banderolës ishte shenja e barazimit, pra ishte banderolë që fliste për barazinë dhe ngjashmërinë mes Berishës dhe Stalinit.

Pra ju keni dalë për të protestuar i bie apo jo?

Jo absolutisht. Ne kemi dalë për t'i dhënë mirëseardhjen zonjës Klinton si ish të përndjekur politikë.

Po, por banderolat shprehnin protestë ndaj qeverisë, një formë proteste duket dhe ndoshta bie ndesh me masat e rrepta të sigurisë apo jo?

Absolutisht jo, sepse ne banderolat nuk i kemi hapur fare deri në momentin që na kanë shoqëruar në komisariat. Pra ata nuk e kanë ditur se çfarë kanë patur banderolat, vetëm në mos na kanë përgjuar që më përpara dhe e kanë mësuar në të tjera mënyra.

Çfarë ndodhi në komisariat?

Na kanë mbajtur për 6 orë me radhë. Në fillim donin të na marrnin deklarime. Por ne u thamë se japim deklarime vetëm nëse do kemi edhe ne një kopje të tyre.

Deklarime për çfarë? Zyrtarisht u thanë pse jeni shoqëruar?

Jo fare, nuk na dhanë asnjë shpjegim për shoqërimin. Donin deklarime të tipit ku ke qenë sot në mëngjes, po dje në darkë, për çfarë keni dalë sot të organizuar e të tjera. Ne u thamë që duam kopje të deklarimeve por ata na thanë se kjo ishte e pamundur. Më pas ne u thamë se nuk deklarojmë asgjë. Kështu vazhdoi situata për disa orë derisa në fund ramë dakord që të nënshkruanim nga një dokument ku shkruhej: "Nuk pranoj të deklaroj". Fill pas kësaj dolëm.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)