Falë një goli tepër të çmuar të Gjergji Muzakës në pjesën e dytë, Skënderbeu fitoi 1-0 ndaj Kamzës (java e 18-të), duke marrë tri pikë shumë jetike në luftën për titullin kampion. Kamza, e ideuar taktikisht në mënyrë perfekte nga trajneri italian, Mauro De Vekis, bëri një paraqitje shembullore, duke u mposhtur minimalisht nga kampionët në fuqi, njehërësh edhe skuadra më e financuar në Shqipëri.


Kastrioti përmbysi dizavantazhin 0-2, për të triumfuar 4-2 ndaj Bylisit, në javën e 18-të të Kategorisë Superiore, në një ndeshje ku protagonistë ishin lojtarët e huaj, të cilët së bashku shënuan pesë nga gjashtë golat në Krujë.

Maqedonasi Kirce Risteski realizoi në minutën e 16-të për Bylisin, ndërkohë që 22 minuta më pas, mbrojtësi nigerian Adigun Adebajo dyfishoi rezultatin për miqtë, duke befasuar vendasit.


Mesfushori malazez Djordie Cetkoviç shkurtoi diferencën në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, duke i çuar të dyja skuadrat në pushimin midis dy pjesëve me rezultatin 2-1.


Fraksioni i dytë është i tëri nën vallëzimin krutan, në një koreografi të ideuar nga trajneri Ramadan Ndreu dhe të interpretuar nga një solist i klasit të parë, Brus Inkango. Sulmuesi francez vendos ekuilibrat (2-2) dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë, për t’ia lënë radhën Alikajt, i cili gjashtë minuta më pas, në të 53’, i jep për herë të parë avantazhin (3-2) skuadrës së tij. Minutat e mbetura rithërrasin në skenën e golit, sërish “Big Brus”, i cili shënon edhe golin e katërt të ndeshje.