Siguria e Izraelit është kusht për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun izraelit, Gideon Sa’ar.
Hoxha dënoi sulmet terroriste të 7 tetorit dhe tha se asnjë shtet nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ndërsa theksoi se dhuna ka sjellë vuajtje si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët.
“Sulmet brutale terroriste të 7 tetorit, masakra e përmasave të tmerrshme ndaj njerëzve të pafajshëm, në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në makinat e tyre, si dhe ngjarjet shkatërrimtare që pasuan, janë një kujtesë e fortë si e brishtësisë së paqes, ashtu edhe e rëndësisë themelore të sigurisë. Asnjë komb nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ashtu siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes pasigurisë, dhunës dhe frikës së përhershme. Vuajtjet e jashtëzakonshme që kanë vijuar që atëherë kanë marrë shumë jetë të pafajshme dhe kanë lënë plagë të thella si te izraelitët, ashtu edhe te palestinezët. Ato kanë përforcuar nevojën urgjente për të garantuar, para së gjithash, sigurinë e Izraelit, por edhe për të bërë çdo përpjekje të mundshme në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Hoxha.
Lajmi kryesor:
Ministri i Jashtëm izraelit në Tiranë, takime me Hoxhën e Peleshin: Shqipëria një mike e vërtetë e Izraelit! Axhenda vijon me kryeministrin Rama, Gideon Sa'ar: Ka një busull morale të palëkundur!





