Skandal, gjakmarrja ngujon dy 
futbollistët shkodranë/ Reportazh

Skandal, gjakmarrja ngujon dy <br />futbollistët shkodranë/ Reportazh
TIRANË - Ata nuk kanë bërë asgjë! Janë thjeshtë dy djem të mirë të Shkodrës. Që herët Stivi dhe Uendi si shumë fëmijë të tjerë të Shkodrës u rrëmbyen nga loja mahnitëse e futbollit. Të iniciuar nga babai i Stivit dhe xhaxhai i Uendit, një tifoz i thekur i Vllaznisë, një i çmendur pas futbollit. Aq sa zëri i Mark Vecaj arriti të bëhej identifikues për të gjithë tifozët me zërin e tij karakteristik. Insistoi dhe ia arriti mes vështirësive të këtyre kohëve që dy djemtë e familjes Vecaj të bëhen futbollistë. Stivi provoi të ishte pjesë e Vllaznisë, i ardhur nga ekipet zinxhir të akademisë.

Nga aty vijoi ta ndiqte ëndrrën e tij por tashmë tek Ada e Velipojës me shpresën e madhe se një ditë mund të jetë sërish pjesë e Superligës, natyrisht dëshirën e madhe e ka tek Vllaznia. Uendi, një çunak i ri, më i vogël në moshë se djali i xhaxhait Stivi, ka spikatur që herët me ekipet e akademisë.

 Nga aty atij i është ofruar një kontratë me ekipin e parë dhe sapo ka nisur ëndrrën e madhe jo vetëm të tijën por edhe të xhaxhait e krejt familjes Vecaj e cila oksigjen ka edhe futbollin. Dy djem të talentuar që mbi të gjitha mendjen e kanë tek futbolli. Prej një jave Marku nuk mund të shohë stërvitjet e Vllaznisë, Stivi nuk mund të stërvitet tek Ada e ndërsa Uendi nuk mund të dalë në urdhërat e trajnerit të kuqebluve Armando Cungu. Kjo sepse burrat e shtëpisë, siç e do zakoni prapanik janë të detyruar të ngujohen nga frika se gjaksi mund t’i vrasë.

Gjakmarrja, ky fenomen fatkeq që nuk po gjen zgjidhje prej një jave ka bërë që fisi Vecaj të ngujohet, mes të cilëvë edhe dy futbollistët dhe babai i Stivit tifoz. Xhaxhai ose axha siç i thonë në Shkodër i tyre me 21 shkurt vrau një tjetër shtetas. 76-vjeçari Ndokë Vecaj qëlloi për vdekje 55-vjeçarin Nikë Bungu në fshatin Shtoj i Vjetër, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër. Viktima hyri në 2 të mëngjesit në rrethimin e banesës të 76-vjeçarit Vecaj. Ky i fundit nga frika e grabitjes pas një telefonate nga djali i tij se dikush ndodhet prapa shtëpisë, nuk ka hezituar por ka marrë çiften që e posedon me leje dhe pasi ka qëlluar dy herë në ajër për paralajmërim, është drejtuar pas shtëpisë së tij dhe pa e ditur se kush është ka qëlluar dy herë të tjera në drejtim të Nikë Bungu i cili gjeti vdekjen e menjëhershme.

Gjykata e Shkodrës dha masën e sigurisë ”arrest me burg” për Ndokë Vecaj edhe pse avokati kërkoi ”arrest shtëpie”. Edhe pse për momentin gjykata e la në burg, ende këto punë kryesisht në veriun e Shqipërisë i zgjidh kanuni. Më mirë të themi kanuni po përdoret sipas dëshirës pa marrë parasysh edhe ato rregulla që ka. Në 2016-ën kur bota ka marrë një zhvillim të pandalshëm e kur Shqipëria gërthet natë e ditë për të gjetur një dritare për të kapërcyer në familjen e madhe europiane, kur Parlamenti e hap dhe e mbyll me dekriminalizim, konferenca pafund ndërkombëtarësh edhe për gjakmarrjen, Ministër, prokurori e polici, shoqata e avokat populli që bëjnë sikur zbusin shifrat e gjakmarrjes, aq më tepër në veri, dy djem të mirë, dy sportistë shembullorë, Stivi e Uendi janë ndryrë në shtëpi duke mos mundur prej një jave të shohin as dritën e diellit e jo më fushën e stërvitjes të futbollit, Uendi tek Vllaznia e Stivi tek Ada e Velipojës.

Nuk mund të lejojmë që dy të pafajshëm për shkak të gjakmarrjes të qëndrojnë brenda katër mureve nga frika se gjaksi mund t’i vrasë! Liri për Stivin, Uendi e Markun! Liri për Vllazninë, liri për Adën! Liri për futbollin! Gjakmarrja s’mund ta marrë atë!


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar

Tiranë/ Gjendet kanabis në një magazinë në zonën e Selitës, disa persona të arrestuar