Një vendim surprizë i FIFA-s rrezikon të shkaktojë polemika dhe debat në Kupën e Botës 2026. Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka pezulluar dënimin e Folarin Balogun, i cili u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen e fazës së 1/16-ave mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bosnjës, pas një ndërhyrjeje ndaj Muharemovic. Në një duel, sulmuesi i SHBA-së përfundoi duke shkelur keq rivalin dhe u ndëshkua me karton të kuq, por tanimë amnistohet nga FIFA.
Si rrjedhojë, qendërsulmuesi do të jetë në dispozicion të Mauricio Pochettinos për ndeshjen e 1/8-ave kundër Belgjikës, e cila do të luhet nesër në orën 02:00 (me orën shqiptare).
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, reagoi në rrjetet sociale duke shprehur kënaqësinë për rikthimin e sulmuesit.
"Faleminderit FIFA-s që bëri gjënë e duhur dhe korrigjoi një padrejtësi të madhe", shkroi ai.
Pezullimi i Balogun, vendimi i FIFA-s
Sipas rregullores, kartoni i kuq i dhënë nga arbitri brazilian Raphael Claus, pas rishikimit në monitor, do të sillte automatikisht një ndeshje pezullim për sulmuesin amerikan.
Megjithatë, FIFA aplikoi për herë të parë në historinë e këtij kompeticioni nenin 27 të Kodit Disiplinor, i cili parashikon se:
"Organi gjyqësor mund të vendosë të pezullojë, plotësisht ose pjesërisht, zbatimin e një mase disiplinore."
Bëhet fjalë për një lloj pezullimi me kusht, i ngjashëm me rastin e Cristiano Ronaldos pas goditjes me bërryl ndaj O'Shea gjatë humbjes së Portugalisë kundër Irlandës në eliminatoret e Botërorit. Atëherë, Ronaldo ishte dënuar me tre ndeshje pezullim, por dy prej tyre u pezulluan, në mënyrë që të mos rrezikohej pjesëmarrja e tij në fazën e grupeve të turneut.
Rregullorja përcakton gjithashtu se:
"Nëse lojtari që përfiton nga pezullimi i dënimit kryen një tjetër shkelje me natyrë dhe rëndësi të ngjashme gjatë periudhës së provës, pezullimi do të revokohet dhe dënimi do të zbatohet, pa paragjykuar sanksionet shtesë për shkeljen e re."
Kjo është dispozita nga e cila do të përfitojë Folarin Balogun, autor i 3 golave dhe 1 asistit në 4 ndeshje në këtë Kupë Bote.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente









