Flamurtari dhe Teuta do të përballen sot në orën 16:00 për raundin e parafundit të Superligës. Të dyja skuadrat janë në 'vallen' e mbijetesës dhe pikët janë deçizive. Vetëm një orë nga nisja e ndeshjes, Flamurtari është ankuar për arbitrin që do vendos drejtësi në këtë sfidë. FSHF ka vendosur që Eldorian Hamiti i Kolegjiumit të Lezhës të jetë arbitër, ndërsa Flamurtari thotë se Hamiti i ka gjykuar në tre nga katër ndeshjet e fundit me Teutën, duke qenë 'problematik' me vendimet.

Reagimi i Flamurtarit:

Në prag të ndeshjes së sotme, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me përzgjedhjen e arbitrit Eldorian Hamiti për të gjykuar këtë takim.

Pavarësisht shkresave të dërguara në mënyrë zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kemi paraqitur rezervat dhe problematikat tona të mëparshme, konstatojmë se në 4 ndeshjet e fundit ndaj Teutës, në 3 prej tyre është caktuar i njëjti arbitër.

Përvoja jonë me këtë arbitër ka qenë e shoqëruar me vendime të diskutueshme dhe situata që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e lojës, duke krijuar dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë dhe standardin e gjykimit.

Në këto kushte, ritheksojmë kërkesën tonë për një vlerësim më të kujdesshëm dhe profesional në përzgjedhjen e arbitrave, në mënyrë që të garantohet një garë e drejtë dhe transparente për të gjitha palët.

Ky reagim nuk ka për qëllim të cenojë askënd personalisht, por të mbrojë integritetin e garës dhe interesin e klubit tonë.


Lajmi kryesor:

Superliga/ Sot pritet estrada e radhës në raundin e parafundit, 'bookmakersat' nxjerrin fitues me diferencë Flamurtarin e Vorën! Anomalitë dhe koeficientët