Një pjesë e madhe e azilkërkuesve të rinj që mbërrijnë në Britani po trajtohen fillimisht si të rritur nga autoritetet kufitare, edhe pse më vonë rezultojnë të jenë fëmijë. Sipas të dhënave të publikuara për herë të parë nga Home Office, mes korrikut 2025 dhe marsit 2026, zyrtarët e emigracionit kryen 4,320 vlerësime fillestare moshe dhe vetëm 32% e personave u konsideruan fëmijë.

Por kur rastet u rivlerësuan nga punonjës socialë të autoriteteve lokale, panorama ndryshoi ndjeshëm. Nga 3,102 vlerësime të kryera nga shërbimet sociale, 68% e personave u konsideruan fëmijë.

Diferenca ka ngritur shqetësime të forta në Britani, sidomos pasi disa politikanë kanë akuzuar prej kohësh azilkërkuesit e rritur se “shtiren si fëmijë” për të përfituar mbrojtje. Sipas autoriteteve, vlerësimet fillestare nga policia kufitare bëhen shpesh me shpejtësi dhe me informacion të kufizuar, ndërsa vlerësimet nga punonjësit socialë zgjasin nga gjashtë deri në tetë javë.

Në shumë raste, zyrtarët vendosin moshën vetëm nga “pamja dhe sjellja” e personit. Nëse mendojnë se duket dukshëm mbi 18 vjeç, azilkërkuesi dërgohet menjëherë në ambiente për të rritur ose në qendra ndalimi emigracioni.

Shumë nga këta të rinj vijnë nga Afganistani, Sudani apo Eritrea dhe nuk kanë dokumente identiteti, sepse nuk i kanë pasur kurrë ose i kanë humbur gjatë rrugës. Raporti i inspektorit të pavarur për kufijtë dhe emigracionin kishte paralajmëruar më herët se Home Office vazhdon të përdorë metoda “sipërfaqësore” për vlerësimin e moshës, duke u bazuar te karakteristikat fizike.

Në disa raste, fëmijë të trajtuar gabimisht si të rritur kanë përfunduar në burgje me të rritur ose janë deportuar drejt Francës sipas skemës së debatueshme “one in, one out”. Sipas një studimi të Jesuit Refugee Service dhe Humans For Rights Network, të paktën 141 të rinj me moshë të diskutueshme janë ndaluar që prej nisjes së kësaj skeme vitin e kaluar.

Nga këta, të paktën 64 rezultuan më pas fëmijë ose ndodhen ende nën kujdesin e autoriteteve lokale, ndërsa 18 të tjerë janë dërguar në Francë. Organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë Home Office se po dështon seriozisht në mbrojtjen e fëmijëve.

“Është tronditëse që fëmijët po ndalohen në mënyrë të përsëritur në këtë skemë. Shumë prej tyre kanë kaluar tortura, trafikim apo trauma të rënda”, tha Sophie Cartwright nga Jesuit Refugee Service UK.

Ndërkohë, autoritetet po propozojnë që vlerësimet e moshës të kontrollohen drejtpërdrejt nga një strukturë kombëtare e vetë ministrisë dhe jo më nga autoritetet lokale. Shoqata Britanike e Punonjësve Socialë e ka kundërshtuar ashpër këtë plan, duke paralajmëruar se procesi po përdoret gjithnjë e më shumë për kontroll emigracioni dhe jo për mbrojtjen e fëmijëve.