Një histori që të ngjan me serialin “House of Cards” po trazon politikën në Londër. Atje është hapur një debat i fortë pasi është vjedhur telefoni i Morgan McSweeney, ish-shefi i stafit dhe një nga figurat më të fuqishme pranë kryeministrit Keir Starmer.
Ajo që e bën rastin edhe më interesant është përmbajtja e telefonit. Sipas raportimeve, ai përmbante biseda me Peter Mandelson, ish-ambasador në SHBA, i cili u shkarkua për lidhjet e tij me financierin e dënuar për abuzime seksuale Jeffrey Epstein.
Publikimi i këtyre mesazheve pritej të hapte një tjetër kapitull të sikletshëm për qeverinë, sidomos për mënyrën si u bë emërimi i Mandelson. Por në mënyrë të papritur, telefoni u zhduk dhe përmbajtja e tij u fshi plotësisht nga distanca, pasi u bllokua.
Rrethanat e ngjarjes janë ato që po hedhin më shumë benzinë në zjarrin e skandalit. Kur McSweeney raportoi vjedhjen në polici, ai nuk u identifikua si krahu i djathtë i kryeministrit, por vetëm si posedues i një “telefoni qeveritar”. Ai dha gjithashtu informacione të paqarta dhe kontradiktore për vendin ku ndodhi vjedhja.
Edhe reagimi institucional ka ngritur dyshime. Siguria e Downing Street nuk ndërmori hapa konkretë për të rikuperuar pajisjen, ndërsa McSweeney nuk iu përgjigj dy telefonatave të policisë që kërkonte sqarime të mëtejshme. Përballë këtyre zhvillimeve, policia bëri një veprim të rrallë: publikoi regjistrimin e plotë të telefonatës së tij, duke treguar se kishte dyshime serioze për versionin e dhënë.
Në politikë shpërtheu menjëherë reagimi. Konservatorët e cilësojnë gjithë historinë si një “mbulim skandali”, ndërsa lideri populist Nigel Farage ironizoi hapur, duke thënë se vjedhja duket “shumë e përshtatshme” për të zhdukur prova.
Por dyshime ka edhe brenda vetë laburistëve. Arsyeja është e qartë: ishte pikërisht McSweeney ai që kishte rekomanduar emërimin e Mandelson dhe kishte drejtuar procesin e verifikimit, pavarësisht se lidhjet e këtij të fundit me Epstein ishin të njohura.
Skandali u thellua kur Mandelson u tërhoq nga posti dhe më pas u arrestua dhe u mor në pyetje nga policia, pasi dolën në dritë edhe dyshime për ndarjen e informacionit qeveritar me Epstein.
Në këtë klimë, McSweeney dha dorëheqjen në shkurt, duke marrë mbi vete përgjegjësinë politike dhe duke e lënë Starmer më të ekspozuar ndaj kritikave.
Tani, zhdukja e telefonit shihet si një zhvillim “shumë i leverdisshëm” në një moment kur pritet publikimi i dokumenteve të tjera mbi këtë aferë. Dyshohet se në ato mesazhe mund të kishte detaje të sikletshme për prapaskenat e qeverisë, përfshirë edhe komente të brendshme për vetë kryeministrin dhe ministra të tjerë.
Komente











