Princesha e Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, tha në një intervistë për televizionin kombëtar se do të dëshironte të mos e kishte takuar kurrë pedofilin Jeffrey Epstein duke thyer heshtjen e saj të 7 javëve për kontaktet me të.
“Ndihem shumë e manipuluar dhe kur manipulohesh, nuk e kupton që në fillim,” tha Mette-Marit në intervistën 20-minutëshe ku shpesh ishte në prag të lotëve.
Para 7 javësh, u zbulua se princesha e kurorës kishte shkëmbyer qindra email-e me Epsteinin gjatë viteve 2011 dhe 2014, dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij në Florida kur ai nuk ishte aty.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua të mbaj përgjegjësi që nuk e kam kontrolluar më me kujdes të kaluarën e tij,” tha ajo. “Dhe të mbaj përgjegjësi që jam manipuluar dhe mashtruar siç ndodhi me mua.”
Ajo tashmë ka kërkuar falje dhe ka thënë se “gjykoi keq”, kur lidhjet e saj të afërta me Epsteinin dolën në dritë me publikimin e miliona dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
“Sigurisht që do të doja të mos e kisha takuar kurrë,” tha princesha, duke theksuar se ishin viktimat e Epsteinit ato që meritonin drejtësi për abuzimet e rënda që kishin pësuar. Ajo shtoi se ndiente zemërim të madh që ato ende nuk e kanë marrë drejtësinë.
Vendimi i saj për të folur publikisht vjen pas shqyrtimit intensiv dhe presionit për të dhënë shpjegime, përfshirë edhe nga kryeministri Jonas Gahr Støre.
Gjatë intervistës, princesha dha pak detaje dhe disa nga përgjigjet e saj shfaqën nota mbrojtjeje.
Në vitin 2011, tre vjet pasi Epsteini ishte burgosur për kërkim marrëdhëniesh seksuale me të mitur, ajo kishte shkruar: “Të kërkova në Google pas email-it të fundit. Pajtohem që nuk dukej shumë mirë.”
E ulur pranë bashkëshortit të saj, princit të kurorës, Haakon, Mette-Marit këmbënguli se “nuk e dinte që Epstein ishte një abuzues seksual apo grabitqar”, edhe pse gazetari theksoi se një artikull në Wikipedia në atë kohë e bënte të qartë se ai ishte një pedofil i dënuar.
“Nuk e mbaj mend këtë; ishte para 15 vitesh, sinqerisht,” tha ajo.
Ajo pranoi se kishte pasur shumë besim tek Epstein, por kur u pyet pse as pallati mbretëror dhe as Ministria e Jashtme nuk dinin për lidhjet e saj me të, ajo tha se ai ishte një “kontakt privat” dhe nuk u tregonte të gjithëve për kontaktet e saj private.
E pyetur pse kishte kaluar disa ditë në shtëpinë e Epsteinit në Palm Beach në vitin 2013, ajo shpjegoi se kjo kishte ardhur si rezultat i një të njohuri të përbashkët të paidentifikuar. “Epsteini ishte mik i ngushtë i një miku tim të mirë,” tha ajo.
Ajo përmendi një “situatë” që e kishte bërë të ndihej në siklet ditën e fundit të qëndrimit në shtëpi, por refuzoi të jepte më shumë detaje, përveç se kishte telefonuar bashkëshortin për këtë.
Princi i Kurorës Haakon tha se e mbante mend mirë telefonatën e Mette-Marit dhe se si ajo e kishte bërë bashkëshorten e tij të ndihej “e pasigurt”. Megjithatë, pavarësisht këtij incidenti, princesha vazhdoi të mbante kontakt me Epsteinin edhe për ca kohë.
“Besoj shumë, prirem të mendoj më të mirën për njerëzit,” tha ajo. “Por gjithashtu vendosa t’i jap fund çdo kontakti të drejtpërdrejtë me të. Dhe kjo ishte për shkak të episodeve të tilla.”
Intervista u regjistrua të enjten, ditën e fundit të gjyqit për përdhunim të djalit të saj, Marius Borg Høiby, i cili ka nisur në fillim të shkurtit, disa ditë pasi u publikuan dokumentet e Epsteinit që përfshinin Mette-Marit. Vendimi pritet në qershor, por është e qartë se ajo priti përfundimin e gjyqit para se të fliste publikisht.
Ajo u pyet gjithashtu nëse kishte motivimin për të vazhduar rolin e saj mbretëror. Princesha ka pasur probleme shëndetësore dhe lajmet e fundit rreth Epsteinit kanë ngritur dyshime nëse ajo ka ende kapacitetin për t’u bërë mbretëreshë kur Princi i Kurorës Haakon të ngjitet në fron.
52-vjeçare e cila vuan nga fibroza pulmonare, e bëri të qartë se gjithçka varet nga gjendja e saj shëndetësore.
“Jetoj me një sëmundje serioze,” tha ajo. “Kjo është pikërisht ajo që përcakton, shumë qartë, nëse mund të vazhdoj në çfarëdo mënyre të kryej rolin që kam, apo jo. Do të doja shumë të qëndroja në krah të tij në këtë projekt vërtet të rëndësishëm dhe sfidues, nëse kam mundësinë ta bëj këtë, duke marrë parasysh shëndetin tim.”
Princi tha se pas më shumë se 25 vitesh martesë, ata vazhdojnë të qëndrojnë së bashku.
Komente










