TIRANË - Prej 10 ditësh banorët e kryeqytetit vuajnë furnizimin me ujë të pijshëm ndërkohë që temperaturat kanë shkuar mbi 40 gradë celcius. Ndonëse jetike për qytetarët, institucionet përgjegjëse ia hedhin fajin njëri-tjetrit, duke lënë të mistershme arsyet e vërteta se përse kryeqytetasit duhet të përballen me mungesën e ujit.
 
Më datë 19 korrik Ujësjellës-Kanalizime-Tiranë ka argumentuar se shkak i mosfurnizimit me ujë është thatësira e madhe dhe rritja e kërkesës për konsum nga ana e qytetarëve. Përsa i përket problemit në zonat periferike, zëdhënësi i UKT-së Ilir Hoxha, deklaroi në atë kohë se kjo ka ardhur si shkak i defektit në nënstacionin e pompimit në Bërzullë.
 
Tre ditë pas kësaj deklarate, më 22 korrik ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto deklaroi gjatë një takimi me donatorë se ka keqmenaxhim dhe humbje në Ujësjellës dhe situata me ujin e pijshëm do të zgjidhet në shtator.
 
Ndërkohë në deklaratën e sotme, Ujësjellësi i Tiranës deklaron se problemet me furnizmin me ujë të pijshëm vijnë për shkak të remontit që po kryen Operatori i Sistemit të Transmetimit në stacionin e Qafë Mollës, nga i cili furnizohet një pjesë më e madhe e kryeqytetit.

OSHEE ka konfirmuar për A1Report se po bëhen remonte jo vetëm në Qafë-Mollë por edhe në stacione të tjera duke u detyruar të ulin nivelin e transmetimit të energjisë në basenet ujëmbledhëse. Ndërkohë OST i është përgjigjur menjëherë deklaratës së Ujësjellës Kanalizimeve dhe OSHEE duke thënë se të gjitha linjat janë në punë.

“Operator i Sistemit të Transmetimit sqaron se të gjitha linjat që OST mbulon janë në gjendje pune, Nuk ka kufizime të energjisë për shkak të OST. Cilido që justifikohet me kufizime të energjisë elektrike për shkak të OST, abuzon. Të gjitha ekipet e OST janë në gjendje gjatë gjithë kohës për të siguruar transmetimin e energjisë elektrike”, thuhet në reagimin e OST.

Pas të gjitha këtyre problemeve, janë qytetarët ata të cilët vuajnë mungesën e ujit. Madje shumë zona në Tiranë rrezikojnë përhapjen e epidemive.

Tirana prej ditësh është prekur nga ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm, aq sa edhe pse në vitin 2015, qytetarët ju rikthyen sërish “radhës”, për të mbushur ujë në zonat që nuk kanë probleme.

Zonat që nuk do të kenë ujë janë 24 oret e ardhshme sipas UKT-se: 
Qendra e Tiranes
Komuna e Parisit
Blloku i vilave amerikane
Ambasadat amerikane, italiane, franceze
Zona e Rruges 3 Vellezerit Kondi
Spitali i Sanatoriumit
Zona e Shkozes
Zona e Saukut
Qyteti Studenti
Zona e Tiranes se Re
Zona e ish Bllokut
Birra Tirana
Rruga 3 Deshmoret ne Yzberisht
Kodra e Priftit
Qesaraka
Vilat rezidenciale Dajt
Blloku i godinave shteterore ne Bulevard
Rruga e Elbasanit

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)