Skandali, Fazllic mashtroi
me kompjuterat e MASH

TIRANE-Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili është kryer në mars të vitit 2010 zbulon një abuzim me shifra marramendëse në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Bëhet fjalë pikërisht për një kontratë me vlerë plot 10 milionë dollarë të nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me dy firmat serbe 'MpSoft Group' dhe 'CT Computers', të financuar nga Banka Botërore në kuadër të projektit "Cilësi dhe Barazi në Arsim". Sipas kontratës, firma serbe ka fituar të drejtën të pajisë me 10 mijë kompjutera, printera, skanera dhe pajisje të tjera kompjuterike plot 665 shkolla në të gjithë vendin. Në kontratë janë përcaktuar edhe specifikimet teknike që duhet të plotësojnë pajisjet që do të sillen, ku përcaktohet qartë që ata duhet të jenë marka të njohura ndërkombëtarisht dhe të certifikuara. Por raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se në të vërtetë, pajisjet që aktualisht janë montuar në laboratorët e shkollave tona, janë të një cilësie shumë më të ulet kundrejt atyre, për të cilët serbët e "MpSoft Gruop" dhe të "CT Computers" kanë marrë lekët. Madje raporti zbulon se në disa prej shkollave këto pajisje as nuk kanë mbërritur asnjëherë. Në përfundim ekspertët e Kontrollit të lartë të Shtetit kanë arritur në përfundimin se vetëm nga kjo kontratë, buxhetit të shtetit është shkaktuar një dëm financiar prej qindra milionë lekësh.
SHKELJET
Shkelja kryesore dhe ajo për të cilën Ministria e Arsimit ka paguar shumë më shumë është cilësia e pajisjeve. Sipas raportit të KLSH-së, rezulton se kompania serbe ka sjellë pajisje laboratorike të një cilësie më të ulët sesa ajo që ishte parashikuar në kontratë, kur ndërkohë Ministria ka paguar gati 209 mijë dollarë më shumë, sikur ato pajisje të ishin, të një cilësie më të lartë. Po ashtu Ministria e Arsimit dhe shkencës ka paguar në doganë rreth 4.3 milionë lekë detyrim, sikur pajisjet të ishin të markës së përcaktuar në kontratë dhe jo për pajisjet që janë zhdoganuar realisht, të cilat kanë çmim më të ulët. Raporti i KLSH-së saktëson gjithashtu se për shkak të vonesave në realizim, projekti i kompanisë serbe duhej të penalizohej me rreth 373.854 mijë dollarë, por në fakt kjo shumë nuk është mbledhur nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu, sipas KLSH-së, fondi i garancisë së vendosur në bankë nga kompania serbe është tërhequr përpara dorëzimit të pajisjeve, shumë kjo e barabartë me vlerën e penaliteteve, pra rreth 374 mijë dollarë. Gjithashtu në raportin e KLSH-së thuhet se nga faturat dhe nga kolaudimi rezulton se malli i porositur është i tjetër cilësie, marke dhe nga një tjetër vend. Por veç cilësisë së ulët rezulton se nga 665 kabinete informatike, që duhet të dorëzoheshin realisht, janë dorëzuar vetëm 619 kabinete, pra 46 me pak, si dhe ka mangësi në materiale të tjera kompjuterike, si kufje, mikrofon, karta kompjuteri edhe në laboratorët e përfunduara.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(ns/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, Lezha në terr! Mijëra banorë të 6 njësive dhe Shëngjinit pa energji elektrike prej 3 ditësh, shkak defektet në rrjet!  (VIDEO)

Moti i keq, Lezha në terr! Mijëra banorë të 6 njësive dhe Shëngjinit pa energji elektrike prej 3 ditësh, shkak defektet në rrjet! (VIDEO)