Skandali në Postën e Durrësit është zgjeruar me bashkëshortin e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj. Gjykata ka lënë në burg Fetah Matajn, i dyshuar se u kërkonte punonjëseve të Postës nga 25 mijë lekë (të rinj) çdo muaj, në këmbim të mbajtjes së vendit të punës.

44-vjeçari u arrestua tre dite me parë, pas dëshmisë së një prej punonjëseve, e cila gjatë hetimit ka deklaruar se pagesa mujore i kërkohej nga Fetah Mataj.Ai dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”. Gjykata e Durrësit sot ka ka bërë rivlerësimin e masës së sigurisë.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Fetah Matajt, Ilia Ilia, kërkoi që hetimi të kalojë te SPAK.

"Financa atje është sjellë si pronare dhe këtë e ka kryer në bashkëpunim me të tjerë. Gropa financiare ka shkuar 2 miliardë e gjysmë lekë (2, 5 milione euro). Kjo tregon se, edhe nëse Elizabeta Mataj do të kishte realizuar vjedhje, pasi ajo akuzohet, dyshohet se në 3 raste ish-shefja e financës, Valbona Duni, i ka çuar lekë në zyrë: përkatësisht shumën prej 90 milionë lekësh nga 690 milionë të pretenduara, ndërsa 560 milionë lekë del se i ka marrë vetë Duni”.

 

Në këtë rast kërkohet të fshihet e vërteta.  Ne jemi në konflikt të hapur me Prokurorinë e Durrësit, pasi ka tre muaj që nuk ka siguruar asnjë provë. Ndërkohë, ne i sjellim aktin e ekspertimit privat të realizuar që provon falsifikimin e kryer nga ish-shefja e financës, Duni. Në vështrimin tim, kjo çështje duhet të tërhiqet nga SPAK-u, pasi mënyra se si janë sjellë me fondet publike të gjithë personazhet që kanë milituar në filialin e Durrësit krijon bindjen se kanë vepruar si grup kriminal”, tha avokati, Ilia Ilia.

Për këtë çështje, ish-drejtoresha e Postës, Elisabeta Mataj, ndodhet në arrest shtëpie. Ajo akuzohet se, duke shpërdoruar detyrën, ka shkaktuar një dëm prej rreth 700 mijë eurosh, para të destinuara për pensione dhe ndihmë sociale.