TURQI - Një operacion i gjerë kundër skandalit të basteve sportive ka sjellë arrestimin e 18 personave, mes tyre 17 gjyqtarëve të futbollit dhe një president klubi, njofton Federata Turke e Futbollit.
Në total, autoritetet kanë lëshuar 21 urdhër-arreste gjatë hetimeve që po zhvillohen prej kohësh mbi manipulimin e ndeshjeve dhe aktivitetet e paligjshme të basteve online. Pak ditë më parë, presidenti i Federatës Turke, Ibrahim Haciosmanoglu, deklaroi se plot 371 arbitra kishin llogari aktive në platforma bastesh.
Si pasojë e këtyre hetimeve, Federata Turke ka pezulluar gjithashtu 149 gjyqtarë, të dyshuar për përfshirje në manipulimin e ndeshjeve, ndërsa dënimet e vendosura ndaj të përfshirëve variojnë nga 8 deri në 12 muaj.
Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse ndonjë prej gjyqtarëve të arrestuar ka vendosur baste në ndeshjet ku kanë arbitruar vetë.
Komente








