Skandali i CEZ, dokumentet dhe
provat e reja që fundosin Berishën

Skandali i CEZ, dokumentet dhe<br />provat e reja që fundosin Berishën
Dokumente, fakte dhe prova të reja që implikojnë ish-kryeministrin, Sali Berisha, disa ish-ministra dhe ish-drejtorë të rëndësishëm të tij, në privatizimin abuziv të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe në sagën e favorizimit të CEZ në Shqipëri. Privatizimi dhe favorizimi i CEZ kanë shkaktuar një dëm ekonomik 414 milionë euro.

Pas dëshmisë së ish-juristit të OSHEE, Romeo Karaj, i cili ka implikuar Berishën, të birin dhe ish-ministrin Genc Ruli në këtë histori, në mbledhjen e djeshme të komisionit hetimor, ku ishte i pranishëm edhe dëshmitari Sali Berisha, janë zbuluar dokumente dhe elemente të reja komprometuese.

Kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla, publikoi një procesverbal të mbledhjes së qeverisë së datës 17 shtator 2008, ku ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, kundërshtonte privatizimin e OSSH, duke e paralajmëruar Berishën për dëmet financiare.

Megjithatë, pavarësisht paralajmërimit, në atë mbledhje është miratuar përcaktimi i aksioneve të OSSH që do të privatizoheshin. “Kam një procesverbal të mbledhjes së KM datë 17 shtator 2008 për projektvendimin për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 835 datë 11.6.2007, për përcaktimin e paketës së aksioneve të kapitalit të shoqërisë anonime të sistemit të shpërndarjes që u ofrohet investitorëve strategjikë.

Në këtë procesverbal, në atë kohë, ministri i Financave, Ridvan Bode shprehet se thelbi i procesit është se akoma kemi gjëra të paqarta dhe kemi mjaft probleme që akoma nuk i kemi qartësuar me Gencin (Genc Ruli). Kjo deklaratë është konfirmuar me veprimet e mëpasshme. Ju si drejtues i mbledhjes, pavarësisht se ministri i Financave ju ka informuar për dëmet financiare që mund të shkaktohen, në fund keni kërkuar dhe e keni hedhur në votim. Nuk duket si ka votuar ministri i Financave, por në fund është votuar. E mbani mend këtë fakt?”, ka deklaruar Balla.

Procesverbali
Referuar procesverbalit, Bode e ka paralajmëruar Berishën për pasojat e privatizimit. “Tani ai po futet në fazën përfundimtare të privatizimit, është problem i garancive që do të ndryshojnë dhe çfarë do të garantojnë pasi tendenca për të zgjeruar jo vetëm gamën, por edhe risqet, që parashikon nga procesi i privatizimit ka elementë të tjerë që kanë të bëjnë me thelbin e kontratës dhe për ta vazhduar në fund, pasi të paguajnë paratë, ai që privatizon, ka të drejtë të bëjë riverifikim të pronës nëse pronat e kanë apo nuk e kanë në këtë vlerë dhe pas kësaj shteti ka të drejtë tua kthejë në masën 100% të gjitha ato gabime që mund të bëhen në vlerësimet tona ose që mund të nxjerrë ai që janë gabim”, ka deklaruar Bode.

Vendimi i ERE
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se vendimi i ERE, për uljen e çmimit të energjisë për CEZ, nga i cili u shkaktua një dëm ekonomik prej 80 milionë USD, u ankimua në gjykatë. Berisha shtoi se gjykata la në fuqi vendimin e ERE. Por, anëtari i komisionit hetimor, Ulsi Manja, i kujtoi ish-kryeministrit Berisha se drejtorët dhe ministrat e tij nuk e kishin ankimuar vendimin e gjykatës në Apel, duke konstatuar elemente të shpërdorimit të detyrës.

 

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Babai i Dua Lipas nostalgjik për kohën e shkuar: Kam shitur xhaketa lëkure

Babai i Dua Lipas nostalgjik për kohën e shkuar: Kam shitur xhaketa lëkure