Një gjykatë në Athinë ka pezulluar dënimin me burg për shtatë persona nga veriu i Greqisë, të përfshirë në një çështje korrupsioni që lidhet me përfitimin e paligjshëm të subvencioneve bujqësore nga Bashkimi Europian.

Të dyshuarit përdorën procedurën e marrëveshjes për pranimin e fajit, një mekanizëm ligjor i futur në Greqi në vitin 2019, duke pranuar akuzat dhe duke kthyer 165 mijë euro nga shuma për të cilën akuzoheshin. Ata përballeshin me vepra penale si mashtrim me fondet e BE-së, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe deklarime të rreme.

Gjykata pranoi kërkesën për ndarjen e çështjes së tyre nga procesi kryesor dhe i dënoi me burg nga dy vjet e tre muaj deri në tre vjet. dënime që u pezulluan. Po ashtu, u urdhërua sekuestrimi i 20 mijë eurove nga llogaria bankare e njërit prej të pandehurve, ndërsa llogaritë e dy të tjerëve u zhbllokuan.

Kjo çështje përfshin gjithsej 32 të pandehur, të cilët akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 250 mijë euro subvencione bujqësore gjatë viteve 2016–2018. Për 25 të pandehurit e mbetur, seanca e radhës është caktuar më 5 shkurt, pasi disa prej tyre u paraqitën pa avokat dhe gjykata caktoi mbrojtje ligjore.

Shumica e tyre kanë deklaruar pafajësi, duke pretenduar se aktakuza është e paqartë dhe e pavlefshme.

Hetimi është kryer nga Zyra Europiane e Prokurorit Publik dhe lidhet me skandalin e njohur si OPEKEPE, sipas emrit të agjencisë greke përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve bujqësore të Bashkimit Europian.