TIRANE- Pas miratimit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kërkesës së Prokurorisë së Tirsnës, për arrestimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Pukës, sot është bërë edhe arrestimi i tij. Shtjefën Lleshi është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Tiranës, në lokalin poshtë banesës së tij në “Don Bosko”.
 
Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës akuzohet për korrupsion për skandalit të publikuar nga “Fiks Fare”.
 
Gjykata e Tiranës ka vendosur ndërkaq, masën e arrestit me burg për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, duke e çuar kështu në 7 numrin e të arrestuarve si të përfshirë në këtë çështje.

Arrestimi i tij është kryer në funksion të hetimit në kuadër të procedimit penal nr. 6390, datë 15.11.2013, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për ndërprerjen e aktivitetit kriminal të kryer prej tij në fushën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Lleshi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Prençi, Liljana Shkjau, Meliha Kukaj, Fran Dashi, Friz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi, kanë ndërhyrë në procedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, me qëllim për të përfituar shpërblim financiar.

Nga Policia e Tiranës bëhet me dije se materialet ju dёrguan Prokurorisё sё Rrethit Gjyqёsor Tiranё për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme.
 
Po kështu, disa ditë më parë për këtë çështje, janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës kryeprokurori i Pukës Pëllumb Prençi dhe zyrtarë të tjerë, të kësaj prokurorie dhe gjykatës së Pukës.
 
Dy ditë më parë Gjykata e Tiranës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e 6 personave të përfshirë në skandalin e Gjykatës së Pukës duke lënë në burg ish-prokurorin, sekretaren, kancelaren, 2 avokatë dhe sekserin, i cili në këmbim të parave ndikonte tek funksionarët publikë.

Për skandalin e Gjykatës së Pukës të denoncuar në “Fiks fare”, u arrestuan Pëllumb Prençi ish-prokuror i rrethit Pukë, Meliha Kukaj, ish-kancelare, Liljana Shkjau, ish-sekretare e Gjykatës së Pukës, Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi me funksion avokat, si dhe Dëfrim Prençi; ku kamerat e fshehta tregonin se kërkonin 6 milionë lekë për ndryshimin e masës së sigurimit ndaj një të arrestuari.  

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)