Pas denoncimeve nga Report Tv, Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj spitalit privat “Trita Hospital” në kryeqytet ku janë të punësuar jo me kohë të plotë dy mjekë italianë të cilët po hetohen paralelisht edhe në Itali, për vdekjen e dy pacientëve pas ndërhyrjeve kirurgjikale që ata kryen, njëra në Tiranë, e tjetra në Romë.

***

Kirurgu plastik Marco Procopio është licencuar për të ushtruar profesionin në vendin tonë, nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë më 11 gusht të vitit 2025 dhe nisi të punojë në spitalin privat “Trita Hospital” në Tiranë.

9 muaj para këtij momenti, në nëntor të vitit 2024, në klinikën e tij në Romë, një apartament që sipas mediave italiane nuk kishte autorizim për operacione, një paciente e tij 22 vjeçare ndërroi jetë pas ndërhyrjes estetike në hundë.

Prokuroria atje nisi një hetim penal dhe ngriti akuzë ndaj kirurgut Marco Procopio për vrasje nga pakujdesia, ndërsa derisa drejtësia të thotë fjalën e fundit për rastin, me vendim gjykate, iu pezullua e drejta e ushtrimit të profesionit në Itali për një periudhë 1-vjeçare.

Por në Shqipëri, kirurgu italian Procopio ka marrë licencën si mjek jo rezident, për një afat 5-vjeçar, që do të thotë se mund ta ushtrojë profesionin në Tiranë, deri në vitin 2030.

Report Tv mësoi se edhe Prokuroria e Tiranës nisi një hetim së fundi, pikërisht për aktivitetin e Marcio Procopios në spitalin privat “Trita Hospital.

Por kush e kontrollon tashmë aktivitetin në Tiranë të mjekut në hetim dhe me licenën e pezulluar në Itali?

Report Tv u interesua pranë Urdhrit të Mjekut se çfarë ndodh tashmë që ndaj kirurgut italian të licencuar në 2025-ën, ka 2 hetime, në Tiranë dhe në Itali. Nga drejtuesi i Urdhrit Dritan Trepça thuhet se për veprimtarinë e Marco Procopios në Shqipëri, nuk ka asnjë ankesë, apo sinjalizim për shkelje profesionale.

Këtu lind një ngërç me legjislacion, që sipas Urdhrit të Mjekëve në Shqipëri i “lidh” duart, për të mos vepruar përsa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë nga drejtësia, as në Shqipëri, dhe as në Itali.

Ministria e Shëndetësisë tha zyrtarisht për Report Tv, se inspektimet në spitale, në publike dhe private, kryhen 2 herë në vit ku së pari njoftohet zyrtarisht edhe subjekti që do të kontrollohet.

Ndërsa inspektimet jashtë programit ”autorizohen në bazë të një denoncimi apo informacioni të marrë nga të tretët, nëse krijohet dyshimi i arsyeshëm për shkelje të kërkesave ligjore nga një subjekt”. Inspektimet lidhen kryesisht me dokumentacionin e spitaleve dhe të personelit mjekësor

“Ka kontrolle të cilësisë nëse ka sinjalizime që diçka ka ndodhur. Është dhe sistemi i auditit, sistemet e tjera që marrin masë në varësi të shkeljes. Spitali privat ka të njëjtin detyrim si shteti që të marrë në punë mjekë të licencuar”, tha ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e pyetur nga Report Tv gjatë një konference për mediat.

Me urdhrin e Mjekut që thotë se nuk vepron dot pa folur drejtësia, dhe me ministrinë që inspektimet blitz i bën vetëm në rast denoncimesh, lihet hapësirë, që teksa një mjek hetohet në shtetin e origjinës për vepra penale që lidhen me profesionin e tij, në vendin tonë, mund të vijojë punën, nëse ndaj tij nuk ngrihet asnjë ankesë nga pacientët apo struktura të tjera.

Mjeku i dytë italian, në hetim në Itali dhe në Tiranë, dhe që punon në spitalin “Trita Hospital”, është Andrea Formiga, me licencë në Shqipëri prej 9 prillit të vitit 2025. Një pacient i tij italian, 54-vjeçar të cilin e solli nga klinika e tij në Milano për ta operuar më shumë se trefish me lirë në Tiranë, nga 15 mijë euro në 4.400 euro, ndërroi jetë në QSUT 4 ditë pasi ngushtoi stomakun te “Trita Hospital” në dhjetor të vitit 2025.

Për këtë rast, ministria e Shëndetësisë, ka dërguar një trupë inspektuese te Trita Hospital në fillim të muajit shkurt, ”ku u konstatua se dokumentacioni i praktikës mjekësore ishte i administruar nga prokuroria. Për rrjedhojë, inspektimi nuk mund të vijonte më tej”, - tha zyrtarisht ministria.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:21
Ekskluzive/ Dy mjekët e pezulluar në Itali për vdekje të pacientëve operojnë në Tiranë, pas denoncimit të Report Tv, Ministria e Shëndetësisë inspektim te Trita Hospital

1772706172_tritahospital.jpg

Ministria e Shëndetësisë nis inspektimet në spitalin privat ‘Trita Hospital’ pas denoncimit të Report Tv, për dy mjekët italianë Andrea Formiga dhe Marco Procopio, të cilët ndonëse rezultojnë të pezulluar në Itali për vdekje të pacientëve, operojnë në Tiranë te Trita Hospital. Pas denoncimit të Report Tv, Ministria e Shëndetësisë thotë se strukturat respektive të inspektimit kanë shkuar në spitalin në fjalë për të nisur verifikimi përkatës. Paralelshit, Shëndetësia thotë se po kryhet hetim edhe nga Prokuroria e Tiranës për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro në QSUT, pas ndërhyrjes për ngushtimin e stomakut te Trita Hospital me kirurgun Andrea Formiga.

Për Report Tv, Ministria e Shëndetësisë thotë se e ka detyrim ligjor që njëherë në vit të bëj inspektime në strukturat spitalore private. “Rasti konkret, mund të ketë ndodhur që të jetë punësuar pas verifikimeve tona, pra gjatë muajve që ne e kemi pas bërë inspektimin”, theksohet në reagim.

Reagimi i plotë për Report Tv

“Struktura respektive pas denoncimit tuaj dhe njohjes me rastin konkret, strukturat respektive të inspektimit kanë shkuar në spitalin në fjalë për të nisur verifikimi përkatës. Ndërkohë, edhe Prokuroria e kishte nis hetimin për rastin konkret pas denoncimit në media.

Ministria e Shëndetësisë e ka detyrim ligjor që njëherë në vit të bëj inspektime në strukturat spitalore private. Rasti konkret, mund të ketë ndodhur që të jetë punësuar pas verifikimeve tona, pra gjatë muajve që ne e kemi pas bërë inspektimin.

Në bazë të ligjit ne si institucion vihemi në ndjekje të rasteve në momentin kur kemi denoncim.

Deri tani për rastin që ju flisni në ministri  nuk ka ardhur asnjë denoncim me shkresë zyrtare, ne u njohëm përmes jush me këtë rast.

Spitali privat ndiqet normalisht në momentë që gjejn shkelje të veprave penale. Është urdhri i mjekëve që lëshon licencat. Ne nuk kemi kapacitete që ministria të ketë çdo inspektor për çdo strukturë spitalore private”.

Ora 10:08
Ekskluzive/ Skandali i 2 kirurgëve të pezulluar në Itali që punojnë në Tiranë, Ministria pas denoncimit të Report Tv: Inspektim te ‘Trita Hospital’, licencimet i bën Urdhri i Mjekut

Report Tv publikoi ekskluzivisht skandalin e dy mjekëve italianë, Andrea Formiga dhe Marco Procopio, të cilët në Itali janë nën hetim dhe të pezulluar pas vdekjes së dy pacientëve, por ndërkohë punojnë edhe në Shqipëri, në spitalin privat në Tiranë, “Trita Hospital”. Në Shqipëri punojnë aktualisht 354 mjekë të huaj, për të cilët Ministria e Shëndetësisë thotë se licencohen nga Urdhri i Mjekëve. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala iu përgjigj pyetjeve të Report Tv se kush i kontrollon mjekët e huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, duke thënë se Urdhri i Mjekut që jep licencat është një institut i pavarur dhe nuk kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Licencimi i mjekëve bëhet nga Urdhri i mjekut. Urdhri i mjekut është i pavarur dhe duhet të jetë i pavarur. Sigurisht që bashkëpunojmë, pastaj spitalet kur marrin punë mjekët kontrollojnë që ka një licencë mjekësore. Nuk është detyra e ministrisë të kontrollojë urdhrin e mjekut se nuk mbetet më i pavarur. Ne nuk mund të bëjmë çrregullimin e sistemit”, tha Sala për Report Tv.

Sala tha se spitalet private kanë njëjtin detyrimin si spitalet shtetërore që të kontrollojnë nëse kanë marrë mjekë të licencuar apo jo. 

“A ka mjekë që janë pa licencë? Spitalet duhet t’i kenë të tërë mjekët e licencuar. Kur mjeku punësohet kontrollohet edhe licenca. Nëse ka sinjalizime që diçka ka ndodhur, sistemet e tjera administrative që marrin masa në varësi të situatës që ka ndodhur, por licencimi është nga urdhri i mjekut. Spitali privat ka të njëjtin detyrim që të marrë mjekë të licencuar”, vijoi Sala.

Menjëherë pas denoncimit të Report Tv, Ministria e Shëndetësisë thotë se strukturat respektive të inspektimit kanë shkuar në spitalin në fjalë për të nisur verifikimi përkatës. Ministria e Shëndetësisë thotë se e ka detyrim ligjor që njëherë në vit të bëj inspektime në strukturat spitalore private. “Rasti konkret, mund të ketë ndodhur që të jetë punësuar pas verifikimeve tona, pra gjatë muajve që ne e kemi pas bërë inspektimin”, theksohet në reagim.

Paralelshit, Shëndetësia thotë se po kryhet hetim edhe nga Prokuroria e Tiranës për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro në QSUT, pas ndërhyrjes për ngushtimin e stomakut te Trita Hospital me kirurgun Andrea Formiga.