VLORË - Të premte Flamurtari dhe Teuta barazuan 2-2 në një sfidë që zgjati më shumë se dy orë. Në minutën e 69-të ndeshja u ndërpre pasi disa tifozë të Flamurtarit u futën në fushë dhe nisën përleshjen me futbollistët miq.

U desh ndërhyrja e policisë dhe zbrazja e tribunës përballë në stadium që ndeshja të vijonte pas afro 25 minutash ndalese.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar për herë të parë klubi i Flamurtarit, i cili distancohet nga këto akte dhe thotë se edhe futbollistët dhe stafi i Teutës kanë ushtruar dhunë, teksa kanë ndarë edhe disa pamje

"Duke u distancuar nga ngjarja dhe duke marrë përsipër përgjegjësitë e organizimit të garës, ftojmë Klubin e Teutës të mos abuzojë me këtë situatë dhe të fokusohet te futbolli i pastër në fushë, i luajtur nga futbollistët si një shfaqje për spektatorët, pa ndërhyrje të treta nga jashtë.

Për këtë arsye, vëmë në dispozicion një pjesë të akteve të dhunës të ushtruara nga lojtarët dhe stafi i Teutës, si edhe sjelljet jo sportive të evidentuara gjatë kësaj ndeshjeje", reagoi fillimisht klubi vlonjat.

Më pas, një një tjetër reagim në kanalet zyrtare të komunikimit, Flamurtari shpreh keqardhje për incidentin dhe thotë se do bashkëpunojë me policinë për identifikimin e përgjegjësve që kanë 'dëmtuar imazhin e sportit dhe dinjitetin e qytetit'.

"Flamurtari Football Club shpreh keqardhjen e thellë për incidentin e ndodhur gjatë takimit në Vlorë, ku disa individë hynë në fushën e lojës dhe u përfshinë në përplasje, duke cenuar normalitetin dhe sigurinë e aktivitetit sportiv.

Ne distancohemi qartësisht nga çdo formë dhune dhe sjellje që dëmton dinjitetin e sportit, imazhin e Flamurtarit dhe emrin e qytetit të Vlorës. Këto veprime nuk përfaqësojnë vlerat e klubit dhe të qytetit tonë. Theksojmë se shumica dërrmuese e tifozëve tanë e mbështesin ekipin me pasion dhe qytetari, një pasion që ne e vlerësojmë dhe e konsiderojmë forcë të Flamurtarit.

Klubi do të bashkëpunojë plotësisht me Policinë e Shtetit dhe autoritetet përkatëse për identifikimin e përgjegjësve dhe sqarimin e plotë të ngjarjes, duke vënë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm. Paralelisht, do të intensifikojmë punën dhe komunikimin me tifozët dhe grupimet e tyre, në mënyrë që mbështetja për Flamurtarin të jetë e fortë, por gjithmonë brenda respektit dhe rregullave, duke shmangur përsëritjen e episodeve të tilla në të ardhmen", thuhet në komunikatën zyrtare.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Dhjetor, 19:08

    SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, a duhet të japë autorizim Kuvendi?