Portreti aspak dinjitoz i Çerçiz Topullit, vendosur në manekinin që do të ekspozonte veshjen e tij të lirisë, ka nxitur reagime të shumta, mes të cilave edhe nga radhët e opozitës.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, e cilësoi të papranueshme dhe fyese për historinë kombëtare. Zhupa kërkon heqjen e menjëhershme të kësaj paraqitjeje, ndërsa thekson se trashëgimia kulturore dhe figurat historike nuk mund të trajtohen si objekt talljeje apo eksperimente amatore.

“Të tallesh me figurën e Çerçiz Topullit në Muzeun e Gjirokastrës është e papranueshme dhe një fyerje për historinë tonë kombëtare. Çerçiz Topulli nuk është një personazh për t’u kthyer në karikaturë. Është njëprej figurave të Rilindjes Kombëtare, një patriot dhe luftëtar që i kushtoi jetën çështjes kombëtare. Një turist shqiptar apo i huaj që hyn në një muze të historisë sonë duhet të përballet me dinjitetin e heroit, me historinë dhe me të vërtetën, jo me një figurë groteske që e bën Çerçiz Topullin objekt talljeje. Është edhe më e rëndë që kjo paraqitje është vendosur pikërisht në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, në qytetin ku lindi Çerçiz Topulli dhe ku historia e tij është pjesë e identitetit të qytetit. Trashëgimia kulturore nuk është lodër dhe heronjtë e kombit nuk janë material për eksperimente amatore”, shkruajti Zhupa.

Në një linjë shkon edhe deputetja e PL, Erisa Xhixho që thotë se ky nuk është thjesht një manekin i realizuar keq, por është  mënyra se si po trajtohet historia dhe një figurë që përfaqëson luftën për pavarësinë dhe çlirimin kombëtar shqiptar.

“Çerçiz Topulli ishte një nga figurat e shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare, patriot, veprimtar dhe luftëtar i çështjes kombëtare, i cili në fillim të shekullit XX luftoi kundër forcave osmane për lirinë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Ai u bë një nga simbolet e qëndresës shqiptare, veçanërisht në Jug të vendit. Dhe sot, në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës, veshjet dhe armët e tij ekspozohen mbi një figurë që më shumë se një hero të kujton një personazh grotesk. Si mund të lejohet që një figurë e tillë e historisë sonë të paraqitet në këtë mënyrë?”, ishte reagimi i Xhixhos.


Lajmi kryesor:

Polemikat për manekinin e Çerçiz Topullit, jep dorëheqjen kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër