Katër persona janë arrestuar në lidhje me skandalin e publikimit të pagave dhe të dhënave personale të mbi 650 mijë qytetarëve. Në pranga përfunduan dy punonjës të IT te Drejtoria e Tatimeve, Andi Agaraj dhe Eni Qirjako si dhe 2 përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, të cilët blenë këto të dhëna. Gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë është edhe drejtori i IT në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ervin Muça.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha se hetimet zbuluan se specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako mori pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj duke qenë se të dy kishin mundësi të kishin akses te të dhënat e databazës si të punësuar që ishin. Më pas Agaraj i ka shitur për një vlerë 20-30 mijë lekë për çdo databezë këto të dhëna private te 2 përmbaruesit privat, të cilët më pas i shpërndanë këto të dhëna në rrjete social duke përbërë një skandal të vërtetë dhe kërcënuar sigurinë dhe privatësinë e mbi 650 mijë qytetarëve.Hetimet e prokurorisë vijojnë edhe për zbulimin se nga dolën të dhënat e targave të mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!, ndërsa hetimet për patronazhistët janë dosje më vete.

Prokuroria fakton se nuk ka ndërhyrje në sistem, por shpërdorim detyre nga ana e punonjësve dhe se hetimet vijojnë për zbulimin e qëllimin e shpërndarjes së të dhënave nga përmbaruesit privat.

“Specialiste IT, e punësuar tek AKSHI ka pasur akses tek pagat, ka hyrë dhe i ka marrë të dhënat, i ka shpërndarë tek kolegu i saj, pa autorizim ua ka shitur subjekteve private. S’ka ndërhyrje në rrjetin kompjuterik, kanë shpërdoruar detyrën. 2 të dyshuar të tjerë në privat, që kanë blerë të dhënat”, tha Elisabeta Imeraj

Si u shpërndanë të dhënat? Sipas dosjes së Prokurorisë, rezulton se Qirjako, ka filluar punë si Specialiste IT te Drejtoria e Përgjithshme  e Hetimeve më 20 korrik të 2020 ndërsa ra në dijeni të shpërndarjes së të dhënave të pagave më 22 dhjetor të vitit të kaluar. Pas kësaj, ajo ka njoftuar eprorin Ervin Muça se ora dhe data e krijimit të dosjes Exel përkonte me datën dhe orën që këto të dhëna ajo ja kishte dërguar kolegut të saj, Andi Agarajit. Rezulton se ishte pikërisht Qirjako ajo që përdorte userin me emrin Moza Seraj, nga ku dolën të dhënat. Sipas dosjes, Qirjako kishte kërkuar që t'i ndryshohej emri i user-it, por kjo gjë nuk është bërë. Nëpërmjet E-mailit të saj të punës, te ai i Agaraj, Qirjako dërgoi në ditë të ndryshme listë pagesat e muajve shtator 2020, tetor 2020, dhjetor 2020, janar 2021, mars 2021 dhe shtator 2021.

Shqiptarja.com mësoi dy ditë më parë se Andi Agaraj, i cili sipas prokurorisë ka shitur të dhënat personale te dy përmbaruesit, ishte teknik IT në Drejtorinë e Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, në kohën kur ishte ende në qeverisje Partia Demokratike, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014, kur në krye të Tatimeve ishte Briseida Shehaj, e propozuar nga PS, por prej kohësh e lidhur me LSI, me të cilën edhe u kandidua. 

Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi  stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!  

 

VIDEO- Te dhenat e fundit me gazetarin Arsen Rusta dhe deklarata e prokurorise

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:53
Report Tv siguron fotot, kush janë të arrestuarit për skandalin e pagave! Specialisti i IT pasion fotografinë, kishte bërë kalendar nudo për 2021

Report Tv ka siguruar foton e 4 personave të arrestuar sot për skandalin e pagave. Në pranga ka rënë , specialistja e IT,Eni Qirjako dhe specialistit të nivelit të lartë, Andi Agaraj. Ky i fundit kishte pasion edhe fotot, ku kishte realizuar kalendarin e vitit 2021 me foto nudo të vajzave shqiptare, të ndryshme për 12 muajt e vitit.

Kjo dyshje ia ka shitur të dhënat Klodian Sotës dhe Endri Ikonomit, edhe këto të arrestuar.

 

 

Ora 14:28
U arrestuan se blenë të dhënat e shqiptarëve, reagon Dhoma e Përmbaruesve: Nuk janë përmbarues, por mashtrues

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka reaguar në lidhje me arrestimin e Endri Konomit dhe Klodian Sotos, të cilët akuzohen nga prokuroria se kanë blerë për përdorimin e tyre të dhënat personale të shqiptarëve. Sipas tyre, ato nuk janë përmbarues, por mashtrues, pasi sipas tyre nuk punojnë në këtë punë.

Reagimi i plotë

NUK JANË PËRMBARUES – JANË MASHTRUES

Informojmë dhe sqarojmë mediat bashkë me opinionin publik se dy personat që blenë dhe përdorën të dhënat e shqiptarëve, përkatësisht Endri Ikonomi dhe Klodian Sota nuk janë përmbarues dhe nuk kanë qenë kurrë të tillë. Kryeprokurorja e Tiranës sot u shpreh se “këta dy persona punojnë në fushën e përmbarimit”, por në fakt të dy punojnë në fushën e MASHTRIMIT:

- I pari ka krijuar “PRO 3VT” sh.p.k. – Institucion financiar mikrokredie;

- I dyti “SMART COLLECTION” sh.p.k. – Kompani “Mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të trete...”.

Të dyja kompanitë në mashtrim të ligjit dhe qytetarëve, pa asnjë lloj licence për këto aktivitete, janë regjistruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe lejuar nga Banka e Shqipërisë. Akuzojmë publikisht titullarët e këtyre dy institucioneve për lejimin e tyre, ashtu si të dhjetëra të tjerave që ne i kemi denoncuar disa herë si “Baraka Financiare”, të cilat mbledhin borxhe nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit. Kemi denoncuar pa reshtur fenomenin e bërjes së “përmbarimit” me telefonata dhe shkresa mashtruese, që s’kanë asnjë lidhje me shërbimin përmbarimor shtetëror apo privat, por vetëm me këta blerës të paskrupullt të borxheve të qytetarëve dhe databazave shtetërore.

Shteti me gjithë organe ligjzbatuese prej vitesh ka heshtur! Ashtu si janë blerë borxhet e shqiptarëve për dy lekë, po për aq pak sot pamë se janë blerë edhe instrumentet për t’i shantazhuar ata, adresat, numrat e telefonit, të dhënat e gjendjes civile, mjeteve motorike etj.

Dhoma e Përmbaruesve i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të mos “flejë” mbi çështjet e denoncuara prej dy vitesh nga Ministria e Drejtësisë dhe prej disa muajsh nga përmbaruesit. Databazat e shtetit shqiptar janë blerë për të mashtruar dhe shantazhuar publikun dhe ky duhet të ishte hetim i përfunduar prej kohësh…

Ora 11:00
Dosja/ Skandali me publikimin e të dhënave, punonjësi i IT te Tatimet, Andi Agaraj ia shiti me CD përmbaruesve për 20- 30 mijë lekë

Sipas hetimeve të Prokurorisë, rezulton se është punonjësi i IT, Andi Agaraj ai i cili të dhënat që i dërgonte kolegia e tij, Eni Qirjako ja ka shitur përmbaruesve Klodian Sota dhe Endri Ikonomi në periudha të ndryshe për shumën 20-30 mijë lekë. Agaraj , të dhënat i kalonte me e-mail në programin Wetransfer, i shkarkonte në kompjuterin e tij të punës dhe më pas i kopjonte në CD dhe ja dërgonte dorazi dy përmbaruesve.

Ora 10:59
Skandali me publikimin e të dhënave personale, ja kush janë dy 2 specialistët e IT te Tatimet që i nxorën dhe dy përmbaruesit që i blenë

Andi Agaraj dhe Eni Qirjako janë dy specialistët e IT te Drejtoria e Tatimeve, të cilët morën të dhënat personale për të mbi 650 mijë qytetarëve, duke ja shitur më pas dy përmbaruesve, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Ora 10:50
Prokuroria: Hetojmë përmbaruesit pse blenë të dhënat dhe i shpërndanë ato

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha se prokuroria po vijon hetimet edhe për të zbuluar qëllimin e që përmbaruesit privat që i blenë këto të dhëna dhe i shpërndanë,

“Do i shkohet deri në fund çdo lloj subjekti të përfshirë në këtë veprimtari çfarëdolloj niveli qoftë ai. Po hetojmë jo vetëm autorët që kanë marrë të dhënat por edhe në drejtim të hetimit të qëllimit të përdorimit të këtyre të dhënave për efekt të shpërndarjes së tyre të përgjithshme”, tha Imeraj.

Ora 10:44
Skandali me publikimin e të dhënave, Imeraj: Veprimtari e nisur që me patronazhistët! Nën hetim edhe ata që krijuan akses tek të dhënat, pavarësisht qëllimit

 

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj bëri me dije se veprimtaria e publikimit të të dhënave personale ka nisur në vend prej disa muajsh, duke përmendur patronazhistët. Sipas Imeraj hetimet do të shtrihen edhe për peronat që kanë krijuar akses në këto të dhëna dhe publikimin e tyre me çfarëdo qëllimi.

"Është arritur të vihen para përgjegjësisë penale dy persona të tjerë që punojnë në sektorin privat që kanë blerë të dhënat. Prokuroria vazhdon hetimet, pasi sekuestrim i dokumentacionit është bërë edhe në institucione të tjera si DPSHTRR pasi dolën edhe të dhëna për targat, Duke patur parasysh që një veprimtari ka muaj që zhvillohet nisur me patronazhistët dhe më pas me publikim e targave e pagave, Prokuroria është në funksion të plotë për të vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës. Pistë hetimi edhe për ata që kanë krijuar aksesin për pasjen e këtyre të dhënave dhe publikimin e tyre me çfarëdo qëllimi. Garantojmë hetim objektiv dhe të plotë për të zbuluar edhe qëllimin e autorëve nëse donin t'i përdornin këto të dhëna apo kishin qëllime të tjera nëpërmjet publikimit. Nxjerrjen e qëllimit të këtyre të dhënave", tha ajo.

Ora 10:43
Kryeprokurorja Imeraj: Punonjës të përmbarimit blenë të dhënat e shqiptarëve, i përdorën për punët e tyre

Kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj tha se subjektet private të cilat kanë blerë të dhënat janë persona në fushën e përmbarimit, të cilët janë arrestuar. Ndërsa qëllimi i blerjes së të dhënave është përdorur për punën e tyre, por detajet janë ende nën hetim nga prokuroria.

'Grupi hetimor ka qenë i devotshëm në kryerjen e veprimeve duke përfshirë dhe nxjerrjen e qëllimit të publikimit të këtyre të dhënave. Nga ana jonë deri në këto momente është zbuluar mekanizimi i ngjarje sesi këto të dhëna të përftuar kanë mundur të aksesojnë dhe ti përdorin. këto të dhëna janë shitur. Prokuroria është e vendosur të hetojë çdo lloj subjekti apo individ që kanë një qëllim të caktuar. Në raport se kush janë subjketet, janë persona që punojnë në fushën e përmbarimit të cilët këto të dhëna personale i kanë përdorur për qëllime të punës së tyre. Jemi në fazën kur kemi punonjës shtetërore, që i kanë përdorur dhe shitur ato, dhe më pas për persona të tjerë që i kanë blerë.'- tha Imeraj.

Ora 10:37
Prokuroria: Dy specialistët e IT të Tatime morën të dhënat personale dhe ua shitën subjekteve private

Prokuroria e Tiranës tha se dy personat e arrestuar, me profesion IT te drejtoria e tatimeve kanë marrë të dhënat personale dhe ua kanë shitur subjekteve private.

“ Duke marrë si shkak dëmtimin e interesave të shtetasve ku shpërndahen nëpër rrjete sociale, është zhvilluar hetimi dhe janë marrë info nga të gjitha institucioneve, janë sekuestruar servera dhe kompjutera dhe kemi identifikuara 4 autorë ku dy janë punonjësit në drejtorisë së tatimeve dhe nga të cilët ka dyshime që kanë rrjedhur të dhënat personale. Specilaisti i IT te tatimet duke patur akses dhe kanë marrë këto të dhëna dhe më pas i ka shpërndarë këto të dhëna duke ua shitur subjekteve private”, tha  prokuroria